2017-06-29 13:32:00

Imzot Viganò në Tiranë: lutje të vazhdueshme për popullin shqiptar


Ja çfarë tha Prefekti i Sekretarisë së Vatikanit për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Vigano, me telefon nga Tirana, ku ndodhet që dje për marrjen e titullit të nderit e ku ka dhënë një sërë intervistash e ka bërë një sërë takimesh:

         Në këtë udhëtim, kam me vete don David Gjugjën dhe gjithë redaksinë e gjuhës shqipe. Natyrisht, ekziston kjo lidhje e fortë dhe e vazhdueshme ndërmjet programit shqip të Radio Vatikanit dhe kombit shqiptar. Gjatë këtyre ditëve po ndjej edhe një herë të gjitha shijet e ngjyrat, që pamë kur ishim këtu me Atin e Shenjtë. Gjithçka flet akoma, me intensitet, për vizitën e Papës Françesku, me të cilin ndjehen shumë të lidhur të gjithë, e admirojnë dhe shohin në të dëshmitarin e madh e njërin nga krerët e botës. Presidenti i Shqipërisë na dha mua dhe don Davidit një titull të rëndësishëm, sepse na bëri Kalorës të Republikës. Është mënyrë për të falenderuar Selinë e Shenjtë, e cila, në vite, i ka interpretuar si duhet nevojat e njerëzve e të Shqipërisë, gjatë papnive, që kanë ndjekur njëra-tjetrën, që nga viti 1951 (vit i themelimit të programit shqip në Radio Vatikan). Ky udhëtim është zgjatim i vizitës së Atit të Shenjtë në Shqipëri.

         Titulli “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” i referohet heroit kombëtar të shqiptarëve, është i rëndësishëm për ta. Skënderbeu u quajt nga Papët edhe Athleta Christi, pasi mbrojti vlerat e krishtera. A e ndjeni këtë përgjegjësi?

         Ndjehem në shoqërinë e atyre meshtarëve dhe rregulltarëve të shumtë, të gjithë martirë, fotografitë e të cilëve kishin mbushur rrugët kur erdhi Papa Françesku. Ndjej përgjegjësinë personale për të vijuar ta dëshmoj e ta jetoj mesazhin ungjillor, gjithmonë e kudo. Të mos harrojmë – e tha edhe Papa pak ditë më parë – ekziston realisht një situatë, ku mesazhi i krishterë, por sidomos, dëshmitarët e krishterimit martirizohen. Duhet të kemi gjithnjë parasysh se bota tërhiqet nga Ungjilli e nga vlerat e krishtera, vetëm nëse dëshmitarët e këtyre vlerave – burra e gra – dinë të bëhen tërheqës. Vlerat e krishtera nuk mësohen, por jetohen. Prandaj, e ndjej shumë përgjegjësinë e edhe mirënjohjen. Ky rast do të kthehet për mua në lutje të vazhdueshme për popullin shqiptar, i cili është popull me moshë të re, i aftë jo vetëm për tolerancë, por edhe për vlerësimin e ndërsjelltë të traditave të mëdha fetare… Më bën përshtypje se njerëzit këtu, janë të rinj e me buzën në gaz. Duket se shqiponja, pas vizitës së Papës në Shqipëri, ka fluturuar vërtet lart. Është fluturimi i shpresës, e aftë t’i bëjë të ëndërrojnë brezat e rinj.








All the contents on this site are copyrighted ©.