2017-06-29 12:04:00

Fjalimi i Imzot Viganò në Tiranë për dekorimin me titullin Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”


Zoti President i Republikës së Shqipërisë

Dr. Bujar Nishani

Zotërinj e Zoja,

Miq të nderuar,

Ishte lumturisht i papritur ky takim, që na mblodhi sot, në Selinë Tuaj të nderuar, Zoti President, në këtë rast fatlum, për të cilin ju falënderojmë nga zemra.

Ju, me ndjeshmërinë tuaj fisnike, e quajtët “domethënës”, sepse shprehje e një udhe të gjatë e të ndërlikuar, që i krijoi Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë kushtet për të ndërtuar në shekuj një lidhje të fortë. Historia dokumenton  se Selia e Shenjtë i pati gjithnjë për zemër “Trojet e shqiponjave”, siç e dëshmojnë posaçërisht vizitat e dy Papëve, Shën Gjon Palit II, më 1993 dhe Papës Françesku, më 2014. Dy ngjarje, që u ndoqën dhe u shtjelluan gjatë gjithë zhvillimit të takimeve të ndryshme, nga Radio Vatikani, së pari, e, së dyti, nga Sekretaria për Komunikimin.

Redaksia radiofonike në gjuhën shqipe i nisi transmetimet më 3 tetor 1951, pikërisht kur për popullin Tuaj niste një periudhë e vështirë dhe e ndërlikuar, të cilën të gjithë e kemi ende të freskët në kujtesë. Në këtë stinë, të karakterizuar nga vështirësi e vuajtje të rënda, falë Dom Zef Shestanit, kjo redaksi u bë, e vijon akoma të jetë, shprehje konkrete e dashurisë dhe e kujdesit të Papës dhe Selisë së Shenjtë për popullin shqiptar.

Kjo tokë e banuar prej një populli numerikisht të vogël, vuajti shumë. U persekutua e u martirizua por, me ndihmën e Zotit, qëndroi, e luftoi  betejën e mirë, i mbeti besnike identitetit të vet, rrënjëve të veta, fesë së vet, aq sa t’i dhuronte Evropës “Athleta Christi”, Gjergj Kastriotin- Skanderbeg, figurë e ndritur e Kombit shqiptar, emri i të cilit i jep shkëlqim të ri titullit të nderit “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, me të cilin Ju patët mirësinë të më dekoroni.

Nuk ka dyshim se heroizmi dhe jeta e jashtëzakonshme e Gjergj Kastriotit u dha shqiptarëve guxim e forcë për ta flakur tutje robërinë e pushtuesit, duke zgjedhur udhën drejt qytetërimit perëndimor. Në misionin e tij të madh për mbrojtjen e Atdheut, Gjergj Kastrioti pati, në Selinë e Shenjtë, një aleat të besueshëm e të sigurt, një portë gjithnjë të hapur, siç e tregon edhe afresku, që na flet edhe sot e kësaj dite nga Porta e Bujtinës së tij Romake (në rrugicën Skanderbeg) – asokohe, përbri Selisë së Papëve, në Pallatin e Qurinales - ku ende sot e kësaj dite lexojmë: GEORG CASTRIOTA SCANDERBEG PRINCEPS EPIRI. AD FIDEM. ICONIS REST.AN. DOM. MDCCCXLIII”.

Siç e kujtuat edhe Ju, nuk është hera e parë që udhët tona takohen: u takuan në ditën fatlume të vizitës së Papës Françesku në trojet shqiptare, gjatë së cilës Ati i Shenjtë pati rastin të vlerësojë mikpritjen Tuaj të ngrohtë e të sinqertë. Po nuk mund të harroj edhe ngjarjen e madhe historike të shenjtërimit të Nënë Terezës, Bijë e këtij populli fisnik, atë të Lumnimit të 38 Martirëve të Kishës katolike shqiptare, emërimin e kardinalit Ernest Simoni Troshani e, së fundi, emërimin, pikërisht këto ditët e fundit, të tre ipeshkvijve të rinj.

Këto takime qenë gjithnjë paraprijëse të gëzimit dhe të dialogut vëllazëror, edhe në frontin ndërfetar, siç u shpreh Papa Françesku, nësa ju drejtohej Juve, Zoti President dhe Autoriteteve vendore, më 2014: “Kjo që ndodh në Shqipëri tregon se bashkëjetesa paqësore dhe e frytshme ndërmjet njerëzve dhe bashkësive me përkatësi të ndryshme fetare jo vetëm që urohet, por është e mundur dhe e zbatueshme konkretisht. Bashkëjetesa paqësore ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, në të vërtetë, është pasuri e paçmueshme për paqen dhe zhvillimin e harmonishëm të një populli. Është vlerë, që duhet ruajtur e duhet ushqyer çdo ditë me edukimin për të respektuar dallimet dhe identitetet specifike, të gatshme për dialog e bashkëpunim në dobi të të gjithëve, duke e njohur dhe duke e nderuar njëri-tjetrin. Është dhuratë, të cilën duhet t’ia lypim gjithmonë Zotit, në lutje. Uroj që Shqipëria ta vijojë këtë udhë, duke u bërë për shumë vende shembull frymëzimi”.

Jemi takuar në Romë e në Tiranë, por pika e takimit tonë simbolik, të përditshëm, ishin antenat e Radio Vatikanit e sot, flukset multimediale me të cilat Sekretaria për Komunikimin po ristrukturon e po përtërin mediat vatikanase. Kujtimi i kohëve të vështira, kur vihej në lojë jeta e njerëzve, viktima të persekutimit e të dhunës, nuk mund të mos na sjellë ndër mend zërin shqiptar, që ngrihej nën hijen e Kupolës së Shën Pjetrit në mbrojtje të dinjitetit të njeriut, të lirisë fetare e të progresit të vërtetë, sipas mësimeve dhe dritës të Fjalës së Zotit e të shërbesës Papnore.

Zëri i Radio Vatikanit e shoqëroi hap pas hapi udhën e bashkatdhetarëve Tuaj gjatë viteve të errëta e të dhimbshme të diktaturës komuniste, u rikujtoi  historinë e Kombit Tuaj, vuri në dukje vlerat e saj,  nënvizoi ndryshimet themelore dhe ngjarjet më të rëndësishme, deri në agimin e lirisë e të demokracisë. Kujtoj se në studiot tona kaluan personalitete të mëdha, që me fjalën dhe mendimin e tyre, e mbështetën popullin shqiptar në kthesat më të vështira të historisë së së tij dhe e inkurajuan në kohët e rifitimit të lirisë. Mjafton të kujtojmë dy Shenjtorë: Shën Gjon Palin II e Shën Nënë Terezën.

Por duhet kujtuar edhe se nuk janë vetëm vuajtja, hija e Kryqit  dhe arritjet e mëtejshme, objekt i transmetimeve tona të djeshme e të sotme. Ne shfletuam e vijojmë të shfletojmë edhe faqe të historisë së lashtë e moderne, duke përfshirë edhe aktualitetin e një populli fisnik e të pasur me virtyte, siç është populli shqiptar, i cili bën pjesë me të drejta të plota, në familjen e madhe evropiane.

Mikrofonet tona, e portalet tona të informacionit, kanë qenë e janë gjithnjë të hapura për të kumunikuar gjithçka flet për dashuri, për shpresë, për vlera, që i bashkojnë njerëzit, popujt e kombet.

Për këtë arsye takimi ynë nuk u ndërpre kurrë e sot vijon me përpikmërinë e gatishmërinë karakteristike për mediat e reja, plot vëmendje, për të ndjekur hapat e sukseset e mëtejshme,  që  pritet t’i arrijë Shqipëria e shekullit të 21-të. Kështu fjala e Atit të Shenjtë vijon të përhapet nga Redaksia shqip, që përbën, në kuptimin më të plotë të fjalës, një urë ndërmjet këtij vendi të lavdishëm dhe Selisë së Shenjtë, ndërmjet Kishës vendase e asaj Universale. Nga Roma, tokë e martirizimit të Apostujve Pjetër e Pal (të mos harrojmë, Shën Pali është ungjillëzuesi i parë i shqiptarëve), deri në skajet më të largëta të botës, vijon të jehojë fort fjala e shëlbimit, posaçërisht atje ku mohohet dinjiteti i njeriut, ku  ka ende armiqësi, persekutime, dhunë.

Selia e Shenjtë merr mbi vete misionin, që kumtimi i Ungjillit të arrijë tek besimtarët si dhe tek të gjithë ata, që shprehin dëshirën e sinqertë të kërkojnë të vërtetën, të kërkojnë Zotin. Atyre u drejtohet zëri ynë, me miqësi, nderim, respekt e dashuri.

Zoti President, nuk mund të mos i kujtojmë të gjithë dëgjuesit tanë, lexuesit, miqtë që na ndjekin e t’i falënderojmë, kudo që gjenden.  Është  besnikëria e tyre dhe simpatia e tyre, që na nxit, na frymëzon, na mbështet në punën tonë, për ta treguar me pasion jetën e Kishës, misionin e Atit të Shenjtë.

Më lejoni, Zoti President, ta përfundoj këtë përshëndetje, e cila ju drejtohet plot mirënjohje për nderin që më bëtë, me fjalët Papës Françesku, shqiptuar këtu, në Tiranë, në shtatorin e vitit 2014, drejtuar mbarë shqiptarëve: “Zoti ishte pranë jush, të dashur vëllezër e motra, për t’ju mbajtur më këmbë; Ai ju priu e ju ngushëlloi e, së fundi, ju ngriti lart mbi krahë shqiponje, siç pati bërë me popullin e lashtë të Izraelit [...]. Uroj që Shqiponja, të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë shpresën, për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira. [... ] Mos e harroni shqiponjën. Shqiponja nuk e harron kurrë folenë, por fluturon lart. Fluturoni lart! Shkoni lart. Sot erdha t’ju jap zemër ta përfoconi shpresën në ju e rreth jush; t’i vini në lëvizje breznitë e reja; të ushqeheni përherë me fjalën e Zotit, duke ia hapur zemrat Krishtit, Ungjillit të Tij takimit me Zotin e takimit me njëri-tjetrin siç keni bërë gjuithnjë: përmes këtij takimi ju i jepni dëshminë tuaj mbarë Evropës”.

Ua besoj këtyre shprehjeve, të ngarkuara me emocione, të Papës Françesku urimin tim  dhe falënderimin tim më të sinqertë Ju, Zoti President, e, përmes Jush, mbarë Popullit të Shqipërisë. Zoti Ju bekoftë, e bekoftë Shqipërinë, ia ndriçoftë udhën dhe ëndrrën e përbashkët për një botë me solidaritet e paqe.

 

                                                                                                                                                                 Imzot Dario Edoardo Viganò

                                                                                                                                                                                 Prefekt

                                                                                                                                                                   Sekretaria për Komunikimin








All the contents on this site are copyrighted ©.