2017-06-29 12:19:00

Dekorimi për RV shqip “Kalorës i urdhërit të Skënderbeut” e “Urdhëri Nënë Tereza”


Redaksia shqipe pranë Sekretarisë së Selisë së Shenjtë për Komunikim, deri dje pranë Radio Vatikanit, në festë për vlerësim-dekorimin që Presidenti i Shqipërisë, Shkëlqesia e tij Zoti Bujar Nishani u dha Prefektit të Sekretarisë për Komunikim, imzot Dario Viganò e drejtuesit të redaksisë shqipe, dom Davi Gjugjës.

Kjo ngjarje domethënëse e ka zanafillën mjaft të largët në kohë, që nga tetori i vitit 1951. E këndej na lejohet pyetja: ç’do të kishin menduar a ç’do të kishin thënë themeluesit e Programit shqip të Radio Vatikanit, po të ishin gjallë, sot, më 29 qershor 2017? Kur Prefektit të Sekretarisë për Komunikimin e Selisë së Shenjtë, imzot Dario Edoardo Viganò dhe përgjegjësit të Programit shqip të Radio Vatikanit, don David Gjugja, iu akordua titulli i nderit “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”?

Po kujtojmë se është nderimi i dytë, i rëndësishëm, domethënës, siç përmendi edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia Tij Bujar Nishani: “Sot, kam vendosur të dekoroj me Titullin “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut”, Monsingior Dario Edoardo VIGANO dhe Dom David XHUXHA.

Dekorimi i këtyre dy personaliteteve fetare dhe të mediave të Vatikanit, është një vlerësim dhe mirënjohje për çdo gjë që Monsignior VIGANO dhe Dom DAVIDI, por edhe Radio Vatikani, e sidomos Radio Vatikani sesioni ne Gjuhën Shqipe, kanë bërë dhe po  bëjnë për thellimin e raporteve në mes të Selisë së Shenjtë dhe kombit shqiptar në përgjithësi”.

Është, pra, nderimi dytë për redaksinë shqipe të Radio Vatikanit, pas datës 10 nëntor 2005, kur gjysma e qeverisë së asokohshme shqiptare, me kryeministrin Sali Berisha, ishte në Sallën Markoni të Emitentes së Selisë së Shenjtë, për t’i dorëzuar Radio Vatikanit, Çmimin më të lartë, që jep Shqipëria: “Urdhërin Nënë Tereza”,  i cili i shkonte aq për shtat Radios së Papës e redaksisë shqipe të saj.

Si sot edhe atë ditë Radioja korrte frytet e farës së hedhur në mes të stuhive të motit, duke vërtetuar plotësisht fjalët e Ungjillit, që kumtonte e vijon të kumtojë: “Me të vërtetë po ju them: ‘S’ka njeri, që të ketë lënë shtëpi, o vëllezër, o motra, o nënë, o baba, o bij, o tokë për shkak tim e për shkak të Ungjillit, i cili të mos marrë që tashti njëqind herë aq në shtëpia e në vëllezër e në motra e në nëna e në bij e në tokë, së bashku me salvimet e, në të ardhmen, jetën e pasosur” (Mk 10-29).

Po kujtojmë se më 10 nëntor 2005, në Sallën e madhe “Markoni” të Radios u mblodhën përfaqësues të të gjitha programeve, u shkëmbyen fjalime e urime. Foli kryeministri i asokohshëm, Berisha e drejtori i Radio Vatikanit, atë Federiko Lombardi. Pastaj, “Urdhëri Nënë Tereza”, në duart e atë Lombradit, që e mori plot entuziazëm: “Është Urdhër i titulluar ‘Nënë Tereza’, Urdhër paqeje, mëshire, dialogu, dashurie. Mbart mesazhin e madh se ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë Shqipërisë me këtë frymë: frymë paqeje, dialogu e dashurie”.

Po të ishin gjallë themeluesit, do të ishte varur në gjoksin e ndonjërit prej tyre. Po ata ishin të vdekur, mërgimtarë të përjetshëm në dhe të huaj. Prandaj tani Urdhri i artë varet në gjoksin e Prefektit të Sekretarisë së Selisë së Shenjtë për Komunikim, Mons Dario Viganò e të priftit dom David Gjugjës, drejtuesit e përgjegjësit të redaksisë shqipe të Sekretarisë së Selisë së Shenjtë për Komunikim, e kështu ndërmjet shumë medaljeve të tjera, edhe kjo e sotmes, është simbol i ndihmesës që dhanë Papët e Selia e Shenjtë për lirinë e Kombit të vogël e të madh shqiptar.

Ky dekorim nga ana e Presidentit të Shqipërisë, Zoti Bujar Nisha, tregon respektin, vlerësimin e mirënjohjen e një pune a më mirë të themi të një misioni, në gjuhën shqipe, që është bërë që nga fillimi e deri në ditët tona, me përkushtim, dashuri, siç pohoi Presidenti Nishani: ”..Radio Vatikani ka qenë  një promovues i atyre vlerave që shqiptarët i patën, e i kanë si të shenjta, e të shtrenjta, e që u qenë mohuar gjatë historisë.

Kjo radio, e shoqëroi nga afër popullin shqiptar, pa dallim feje a ndonjë përkatësie tjetër, në udhën e kalvarit të tmerrshëm që kaloi gjatë diktaturës ateiste e anti-njerëzore të komunizmit.

Mikrofonat e Radio Vatikanit, kanë qenë  të hapur përherë për çdo figurë a personalitet që ka kontribuar  për ruajtjen e shpresës së popullit  tonë, për përkrahjen e rrugëtimit të vlerave njerëzore, shpirtërore, shoqërore e demokratike të Shqipërisë drejt integrimeve Europiane, atje ku e kemi vendin si komb.

Prandaj, me lejoni që me këtë rast të falënderoj edhe njëherë këtë zë të fuqishëm, jo vetëm fetar, por edhe të shprehjes së lirisë për ne” tha Presidenti Nishani.

pra, qe zë i fuqishëm që kapërceu telat me gjemba, për të hyrë në çdo vatër shqiptare, që kishte etje për një fjalë të lirë, për një kumt të gëzuar, një shpresë, një rreze drite. E ndërsa kujtojmë, tingëllon ora për nisjen e kumtit të ri, të programit të sotëm, të dekorimit të sotëm e vazhdimit të mëtejshëm shtigjeve të reja, me shpresë në Zotin.








All the contents on this site are copyrighted ©.