2017-06-28 14:21:00

Imzot George Frendo merr nesër nga Papa, palion e metropolitit


Është traditë, që në festën e Shën Pjetrit e të Shën Palit, Papa i Romës bekon paliot apo paliumet, të cilat u vihen më pas mbi sup kryeipeshkvijve metropolitë. Edhe sivjet, Papa Françesku, gjatë meshës së nesërme në Solemnitetin e festës së dy apostujve, do të bekojë paliot, që simbolizojnë bashkimin e kryeipeshkvijve metropolitë me Selinë e Shën Pjetrit. Gjithashtu, palio, i thurur me lesh qengji, është simbol i Bariut të Mirë, që e mban delen, pra besimtarin, mbi supe.

         Mesha e kryesuar nga Papa Françesku në Bazilikën vatikanase, do të paraprihet nga lutja e Rruzares në sheshin e Shën Pjetrit e nga leximi i emrave të 36 kryeipeshkvijve. Në procesion, kryeipeshkvijtë, por edhe kardinajtë e bashkëkremtuesit e tjerë, hyjnë në Bazilikë. Diakonët marrin paliot nga Varri i Shën Pjetrit e, edhe vetë Ati i Shenjtë, së bashku me mitropolitin ortodoks, kryepeshkop i Telmessos, kryetar i delegacionit ortodoks nga Patriarkati i Kostandinopojës, që tradicionalisht vjen në Romë me rastin e kësaj feste, zbresin për një lutje në Varrin e Shën Pjetrit. Më pas Papa ngjitet në altar dhe dëgjon paraqitjen e kryeipeshkvijve metropolitë, vendosur në gjysëm-rrethi para tij. Metropolitët e rinj bëjnë betimin. Vijon riti i bekimit të paliove nga Papa Françesku, i cili do t’ua dorëzojë ato kryeipeshkvijve vetëm në fund të kremtimit. Do të mund ta mbajnë palion mbi supe, vetëm pasi t’ua ketë vendosur nunci apostolik në vendin e origjinës, në një kremtim me pjesëmarrjen e besimtarëve lokalë. Një ndër 36 kryeipeshkvijtë e rinj metropolitë të këtij viti, është edhe kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo. Në mikrofonin e don David Gjugjës, ai shpjegon pikërisht këtë mënyrë të re për dorëzimin e palios e pastaj flet për sfidat e fesë në Shqipëri. Ta dëgjojmë…








All the contents on this site are copyrighted ©.