2017-06-26 14:35:00

Papa në takimin me Lilt: kultura e jetës nuk ndjek interesa tregtare


Vepra juaj “paraqet një mjet të dobishëm sensibilizimi e formimi. Kemi shumë nevojë të përhapet një kulturë jete, që shihet në qëndrime e sjellje. Kulturë e vërtetë popullore, serioze, për të gjithë, e pabazuar në interesa tregtare”. Kështu u tha Papa Françesku anëtarëve të Lidhjes Italiane për Luftën kundër Tumoreve (LILT), që i priti në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, në Vatikan.

“Impenjimi i institucionit tuaj është për shoqërinë pasuri e dyfishtë – nënvizoi Ati i Shenjtë. Nga njëra anë, me shumëllojshmërinë e shërbimeve, kontribuon në formimin e një stili parandalues në njerëzit e familjet: pra, favorizon krijimin e mendësisë se parandalimi onkologjik është para së gjithash, mënyrë jetese. Njëkohësisht, së bashku me realitete të shumta e të ndryshme në Itali, - u tha Papa anëtarëve të LILT – ushqeni vullnetariatin, pra, shprehjen emblematike të asaj veprimtarie falas, që duhet të ndikojë gjithnjë e më tepër në jetën e përditshme”.

Për Papën Françesku, “familjet kanë nevojë të shoqërohen në udhën e parandalimit; rrugë, ku përfshihen disa breza, në një ‘pakt’ solidar; rrugë, që vlerëson përvojën e atyre, të cilët e kanë jetuar, së bashku me familjarët, shtegun e ngushtë të patologjisë onkologjike”. 

Më pas, Ati i Shenjtë vuri në dukje bashkëpunimin e Lidhjes Italiane për Luftën kundër Tumoreve me strukturat shëndetësore, publike e private, si edhe ndihmën, që u jep familjeve, të cilat kanë nevojë për asistencë.

“Ky aspekt i fundit – vërejti Papa – përbën dëshmi që përkon me atë të bashkësisë kishtare, sepse ajo është e thirrur, për vokacion e mision, ta jetojë shërbimin për të vuajturit e ta jetojë sipas binomit tipik të krishterë përvuajtëri-heshtje. Në fakt, e mira bëhet dhe jep fryte sidomos kur realizohet pa lypur shpërblim e pa u dukur, në situatat konkrete e të përditshme të jetës”.

Ati i Shenjtë kërkoi, si zakonisht, daljen drejt “periferive”, duke nënkuptuar me “periferi”, çdo burrë e grua në kushte mënjanimi e braktisjeje, sidomos, çdo të sëmurë, i cili detyrohet të ketë ritme të ndryshme jetese, për shkak të patologjive, siç është rasti i asaj onkologjike. Të krishterët, theksoi Papa, duhet t’i kujtojnë shoqërisë të mos ketë frikë se humbet kohë me të sëmurët, të mos ketë frikë nga dhembshuria, nga lidhjet që japin mbështetje e ngushëllim, nga solidariteti i vërtetë.

“Meqë shëndeti është pasuri parësore dhe themelore për çdo njeri – përfundoi Ati i Shenjtë – do të ishte mirë që parandalimi onkologjik të shtrihet tek të gjithë, falë bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve publike e private, falë nismave të shoqërisë civile e atyre bamirëse. Në këtë mënyrë, me kontributin tuaj të veçantë, edhe në këtë sektor, mund t'i shndërrojmë shoqëritë tona në gjithnjë e më gjithëpërfshirëse”.








All the contents on this site are copyrighted ©.