2017-06-25 14:19:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: të krishterët pësojnë dështime e persekutime edhe sot


“Mos kini frikë!”. Duke përsëritur ftesën e Jezusit drejtuar dishepujve, të dërguar në mision, Papa, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kujtoi se në kumtimin e Ungjillit nuk ka garanci suksesi e se duhen llogaritur edhe dështimet, vuajtjet, persekutimet. Pas lutjes mariane, ngushëllimet e Atit të Shenjtë për viktimat e shkarjes së dheut në Sichuan të Kinës dhe thirrja për paqe në Ukrainë.

Nëse në Ungjillin e së dielës Jezusi u drejtohet tri herë rresht dishepujve me fjalët: “Mos kini frikë”,  këtë e bën që t’i ushtrojë e t’i përgatisë - shpjegoi Papa - për t’i përballuar provat dhe persekutimet, të cilat nuk do t’u mungojnë:

“Nisja për mision nga ana e Jezusit, nuk ua garanton dishepujve suksesin, ashtu si nuk ua siguron mbrojtjen nga dështimet e vuajtjet. Ata duhet ta llogarisin si mundësinë e refuzimit, ashtu edhe atë të persekutimit. Kjo të tremb pak, por është e vërtetë”.

Dishepulli është i thirrur ta njëjtësojë jetën e vet me atë të Krishtit, që u persekutua nga njerëzit, njohu shijen e hidhur të refuzimit, të braktisjes, të vdekjes në kryq:

“Nuk ekziston mision i krishterë nën shenjën e qetësisë; vështirësitë dhe  mundimet janë pjesë përbërëse e veprës së ungjillëzimit…”.

E ky - vërejti Françesku - është rast për të verifikuar njëmendësinë e jetës sonë e të lidhjes sonë me Jezusin, të vetëdijshëm se Zoti nuk i braktis bijtë e vet në orën e shtrëngatës:

“Gjatë vështirësive të dëshmisë së krishterë në botë, nuk jemi kurrë të harruar, e kemi gjithnjë pranë Atin plot shqetësim e kujdes për fatet tona”.

Pa harruar se persekutimi i të krishterëve vijon në shekuj. E nuk mungon as sot:

“Ne lutemi për vëllezërit e motrat tona, që persekutohen e lumnojmë Zotin sepse, pavarësisht nga gjithë kjo, vijojnë ta dëshmojnë me guxim e besnikëri fenë e tyre”.

Një formë tjetër prove - vijoi Françesku - mund të jetë edhe mungesa e armiqësive:

“Përveçse si dele në mes të ujqërve, Zoti, edhe në kohët tona, na dërgon si roje agimi në mes të njerëzve, që nuk i duan agimet, nuk dëshirojnë të zgjohen nga plogështia e botës, e cila nuk do t’ia dijë për të Vërtetën e Ungjillit, mbasi i krijon vetë të vërtetat e veta kalimtare”.

Prej këndej, inkurajimi, që vjen gjithnjë nga Jezusi, për të mos pasur frikë nga ata, që na përqeshin, na tallin, na keqtrajtojnë; nga ata, që na injorojnë ose nga ata që e nderojnë Ungjillin sa për sy e faqe, por pas shpinës sonë, e luftojnë. Por edhe në këto rrethana rikujtoi Papa - “Mos kini frikë!”:

“Jezusi nuk na lë vetëm, sepse për Të jemi shumë të çmuar”.

Së fundi, lutja e Françeskut drejtuar Marisë:

“… na ndihmoftë ta kuptojmë se në dëshmimin e fesë nuk kanë rëndësi sukseset, por besnikëria ndaj Krishtit…”.

Pas kremtimit të Engjëllit të Tënzot, mendimi i Papës shkoi tek viktimat e  shkarjes së dheut mbi një nga fshatrat e provincës Sichuan në Kinë: deri tani 12 të vdekur e  120 të humbur:

“Lutem për të vdekurit, për të plagosurit e për të gjithë ata, që humbën shtëpitë. Zoti i ngushëlloftë familjet dhe i mbrojtët njerëzit, që po japin  ndihmesën e tyre”.

Më pas, kujtimi i ipeshkvit Teofilo Matulionis, mbytur nga urrejtja për fenë më 1962, kur ishte gati 80 vjeç, lumnuar sot në Vilnius:

“Ta falënderojmë Zotin për dëshminë e këtij mbrojtësi guximtar të Kishës e të dinjitetit të njeriut”.

Një përshëndetje të veçantë Papa i drejtoi klerit dhe besimtarëve të Kishës greko-katolike të Ukrainës si dhe shtegtarëve të ardhur nga Bjellorusia, që sot, në Bazilikën e Shën Pjetrit, kremtuan 150-vjetorin e shenjtërimit të Shën Jozafatit, duke iu lutur Zotit t’i japë secilit prej tyre… :

“ … guximin e dëshmisë së krishterë dhe dhuratën e paqes për tokën e dashur ukrainase”.








All the contents on this site are copyrighted ©.