2017-06-24 18:42:00

Nesër Shqipëria voton


Votohet nesër, në Shqipëri, për të zgjedhur parlamentin. Në krahasim me katër vjet më parë, ndërmjet socialistëve e demokratëve është krijuar një klimë më e qetë. Votimi mund e duhet të jetë provë për pjekurinë e vendit  si dhe etapë me rëndësi drejt bashkimit aq të dëshiruar me Evropën që, megjithatë, nuk dihet ç’rrugë të reja mund t’i hapë vendit. E kjo, sepse   është ende shumë larg kushteve të ëndërruara prej vitesh, për një jetë më të mirë. E dëshmon largimi i vazhdueshëm i rinisë nga vendi. E pensionet e vajtueshme të pleqve. Kjo situatë pengon edhe hyrjen e forcave të reja, larg ndikimeve të vjetra partiake, në politikë dhe në ekonomi. Të rinjtë e arsimuar jashtë, nuk gjejnë mikpritjen e dëshiruar në atdhe. Por ç’mund të thuhet në këto çaste në nivelin politik e atë shoqëror? Folëm me Nicola Pedrazzi-n, specialist për Shqipërinë i Vëzhguesit të Ballkanit e Kaukazit:

Përgjigje: - Në Shqipëri votohet çdo katër vjet. Hera e fundit ishte ajo e vitit 2013, kur zgjedhjet i fitoi koalicioni socialist, me në krye sekretarin e partisë socialiste shqiptare, Edi Rama. Partia socialiste, sipas sondazheve të fundit, është përsëri në krye të listës, me 50% të miratimeve. Parashikohet, kështu, që kryeministri i ri, të jetë përsëri ai i vjetri, Edi Rama. Çka ndryshon në krahasim me vitin 2013, është panorama politike e vendit, meqë është e vërtetë se çdo parti ka sekretarin e vet - domethënë formalisht kemi Edi Ramën për partinë socialiste, Lulzim Bashën për partinë demokratike e Ilir Metën për lëvizjen socialiste për integrim - por këto tri parti paraqiten të ndara. Pra nuk janë më në koalicion, e kjo lë udhën e hapur për aleanca e mirëkuptime nga më të ndryshmet - edhe ndërmjet së djathtës shqiptare dhe partisë socialiste. Por këto janë skena, që hapen vetëm pasi të votohet, sepse këtë herë partitë nuk janë bashkuar në koalicion.

Pyetje: - Flitet prej më se 20 vjetësh për hyrjen në Evropë. Për hapa të reja para drejt Bashkimit. Por sa larg është akoma Shqipëria nga Evropa?

Përgjigje: - Po ta shikojmë punën në këndvështrimin gjeografik, Shqipërinë e ndajnë vetëm 60 kilometra deti nga Puglia. Prej këndej, ka një histori, një gjeografi e edhe një proces bashkimi të nisur qëkur në Ballkanin perëndimor. Pranë, prandaj, edhe pse Shqipëria është kandidate për të hyrë në Bashkimin Evropian zyrtarisht që nga vera e vitit 2014. Njëkohësisht, është edhe larg. Sepse demokracia shqiptare është tepër e re, e pluralizmi, vetëm një nga faktorët e asaj demokracie, që ka fituar pjekurinë. Logjikat klientelare të ndarjes së pushtetit, të cilat dalin në pah posaçërisht gjatë fushatave zgjedhore - gjë që ndryshon tepër nga fushatat elektorale, zhvilluar në Francë a në Itali - tregojnë qartë se demokracia shqiptare nuk e ka arritur ende pjekurinë e duhur. Pjekuria e demokracisë, pra, duhet arritur. Prej këndej, në këtë këndvështrim, Shqipërisë i duhet të bëjë ende shumë, për t’u evropianizuar!








All the contents on this site are copyrighted ©.