2017-06-23 08:51:00

Në Francë përkujtohet 700 vjetori i enklavës së Papëve në Avignone


Në Francë u përkujtua sot, shtatëqind vjetori i enklavës së Papëve në Avignone të Francës. I pranishëm, i dërguari i Papës Françesku, kardinali Paul Poupard, Kryetar nderi i Këshillit Papnor të Kulturës.

Jemi në vitin 1305 e, prej një viti, kardinajtë janë mbledhur në Perugia. Papa Bonifaci VII ka vdekur. Pritet gjatë zgjedhja e një Pape të ri. Më në fund zgjidhet Papë Bertrand de Got, Kryeipeshkëv i Bordeaux, francez, mik i mbretit të vendit të vet. Merr emrin Klementi V. Ashtu si papët e tjerë, nuk niset menjëherë drejt Romës, përfshirë nga luftëra të brendshme shkatrrimtare. Romës së pushtuar nga frika, nga bandat, nga plaçkitjet, nga çrregullimet e të gjitha natyrave. Ku njerëzit jetojnë të mbyllur ndër kullat e tyre të fortifikuara e fisnikët synojnë të fusin hundët edhe në punët e Kishës. Roma është shndërruar në qytet me netë të frikshme, plot me pusi. Tradhtitë janë rend të ditës. As zgjedhja e Papës nuk mund ta ndryshojë situatën.

Në këto kushte u mor vendimi i hidhur për ta zhvendosur selinë papnore jashtë Rome, në Avignone të Provenz-ës. Kështu, një ditë prej ditësh, një karvan pa fund me karroca e kuaj, nisi shtegtimin drejt Francës. Shtegtonin Papa e kardinajtë e, pas tyre, arkat me petka, me piktura, me orenditë më të çmuara si dhe një grup i pafundëm me shoqërues.

Karvani më në fund arriti në cak, duke rënë nga zjarri i Romës, në flakadanin e Avignone-s, ku mbreti i Francës filloi menjëherë të ndërhyjë në punët e Kishës deri në atë masë, sa kjo periudhë nisi të quhej “burgimi avignonez”. Histori e gjatë, që vijoi me ndërtimin e Pallatit të famshëm të Papëve, në vitin 1334, nga arkitetkiti Pierre Poisson, pasuruar me kapela e kulla, me Katedralen Notre Dame des Doms e mjedise për përdorime të ndryshme,

Gjatë periudhës avignoneze këtu papnuan nëntë papë, duke nisur nga Klementi V (1305), deri tek antipapa Benedikti XIII (1394-1423).

Pallati vigan Papnor, ende në këmbë, vizitohet shumë, duke i çuditur shtegtarët me boshllëkun e frikshëm të mjediseve të tij. Arsyeja? Gjithçka kishin brenda u vodh e u rrënua gjatë Revolucionit francez. Pasojë e përhershme e revolucioneve.

Kështu Qyteti i Amshuar, i rënë në letargji të plotë nga ikja e papëve, u zëvendësua me qytezën franceze për rreth 70 vjet, derisa në fronin e Shën Pjetrit u zgjodh Gregori XI që, ndonëse francez, vendosi të rikthehej në Romë(1377).

Rol të dorës së parë në këtë kthim luajti, ndërmjet tjerash, shën Katerina e Sienës, terciare domenikane që, duke i shkruar Gregorit XI, duke denoncuar korrupsionin e oborrit papnor e duke i kujtuar me këmbëngulje se Selia e Pjetrit ishte Roma, jo Avignone, e bindi Papën të kthehej.  Me interes të veçantë letërkëmbimi i Shën Katerinës me Papën, që ajo e quante “Jezusi i ëmbël mbi tokë”,  sepse e donte me gjithë fuqinë e shpirtit Kishën e Krishtit të kryqëzuar e dëshironte ta shikonte, siç e dëshiron vetë Zoti. Ishte data 13 shtator 1376, kur Gregori XI kapërceu urën mbi Rodan  e la pas shpine Avignone-n. Nisi kështu, kthimi drejt Romës, kthim që u kurorëzua plotësisht me zgjedhjen e Urbanit VI.

Ky, Avignone, me pallatet e tij të heshtura, që janë aty për të treguar këtë histori, me fundin e lum të kthimit të papëve në Selinë e Apostullit Pjetër. E për këtë histori u fol sot edhe në kremtimet me rastin e 700-vjetorit të zhvendosjes së papëve drejt Avignon-it, në të cilin mori pjesë edhe i dërguari i Papës Françesku, kardinali Paul Poupard, Kryetar nderi i Këshillit Papnor të Kulturës.








All the contents on this site are copyrighted ©.