2017-06-23 08:48:00

Më 23 qershor bie Dita ndërkombëtare e vejushave


Me 23 qershor bie Dita ndërkombëtare e vejushave. Duke e ditur se shpërdorimi i vejushave dhe i fëmijëve të tyre është një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut e se gratë e veja duhen mbrojtur, duke u siguruar kushte për të jetuar më mirë e për ta realizuar potencialin e tyre të pafundmë në ndërtimin e një bote më njerëzore, Kombet e Bashkuara e deklaruan 23 qershorin “Ditë Ndërkombëtare të vejushave”.

Numërohen më se 259 milionë vejusha në mbarë botën e pothuajse gjysma e tyre, jetojnë në kushte varfërie të plotë. Gratë e veja shpesh herë trajtohen keq nga familjet e tyre e edhe nga bashkësitë, që i shikojnë si qenie, të cilave nuk ka kush t’u dalë zot! Shumë janë viktima të diskriminimit, bazuar mbi gjininë e moshën. E shumë të tjera kalojnë një jetë tejet të trazuar nga shpërdorime fizike, morale e seksuale. Vejushat më të moshuara shpesh kanë tepër pak të ardhura ekonomike, pas një jete të vështirë, kaluar me punë tejet të rënda e krejtësisht të pashpërblyera. Edhe në vendet e zhvilluara, ka raste kur pensioni i grave është deri në 40% më i vogël sesa ai i burrave.  

Vejushave më të reja, kryefamiljare, u duhet të përballojnë edhe më shumë vështirësi: të rrisin e të edukojnë fëmijët vetëm, me të ardhura krejt të kufizuara.

Agjenda 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm, me premtimin që të mos lërë asnjë njeri mbrapa të tjerëve, e vë më shumë theksin pikërisht mbi vejushat, që janë më të shtypurat e më të izoluarat, por edhe më zemërdhimbshmet, të gjithëpranishme edhe në Ungjill. Vejushë mbeti Zoja e Bekuar, pas vdekjes së Shën Jozefit; vejushë ishte Shën Veronika, që ia fshiu Zotit fytyrën e përgjakur me pëlhurën, ku mbeti e stampuar. Vejushë, shën Rita e Kashias, që Zoti i dha hirin të ndërmjetësojë për zgjidhjen e nyjave jetësore të pazgjidhshme. E vejushë, gruaja që la në kasën e Tempullit gjithë ç’pati, e bindur se do të mendonte Zoti për të. Për vejushat e Besëlidhjes së Vjetër e të Re, mund të shkruhet një libër po aq i trashë, sa vetë Bibla. E një tjetër, po aq voluminoz, për Shenjtoret vejusha, që ia kushtuan gjithë jetën Zotit. E sa e sa të tjera, që i ndeshim duke ecur në udhët e Shkrimit Shenjt….Në historinë pa fund të njerëzimit…. E në botën tonë, ku ravgojnë 259 milionë prej tyre…

Me rastin e ditës ndërkombëtare të vejushave mbarë botës i drejtohet ftesa t’i ndihmojë të marrin pjesë me të drejta të plota në shoqëritë tona e t’u sigurojë një jetë të qetë, produktive, që ia vlen të jetohet edhe vetëm, e edhe në kushte të pajetueshme. E meritojnë!








All the contents on this site are copyrighted ©.