2017-06-22 14:16:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: lutje për shenjtërimin e meshtarëve


Nesër, Kisha Katolike në mbarë botën kremton Ditën kushtuar shenjtërimit të meshtarëve. Pa u ndalur shumë në kuptimin e kësaj Dite, që nuk ka nevojë për komente, po ju propozojmë lutjen e Papës Piu XII për shenjtërimin e meshtarëve, publikuar më 17 qershor 1956. Ati i Shenjtë u pati kërkuar besimtarëve ta thonë vazhdimisht në ndihmë të barinjve të Kishës.

O Jezus, Papë i amshuar, Bari i Mirë, Gurrë e jetës, që me zemërgjerësinë e veçantë të Zemrës sate të ëmbël na ke dhënë meshtarët, që të plotësohen në ne  ato plane shenjtërimi që hiri Yt ua frymëzon zemrave tona, po të lutemi: eja në ndihmë të tyre me mëshirën tënde shpëtimprurëse.

Në ta o Jezus, Feja qoftë e gjallë në vepra; Shpresa, e patundur në sprova; Dashuria, e zjarrtë në synime. Fjala jote, o rreze e Urtisë së amshuar, le të bëhet, përmes meditimit të vazhdueshëm, ushqim i përhershëm i jetës së tyre shpirtërore; shembujt e jetës dhe të Mundimeve të tua le të përtërihen në sjelljen e në vuajtjet e tyre në të mirë të diturisë sonë, për shndritjen dhe ngushëllimin e dhimbjeve tona.

Premto o Zot, që meshtarët tanë, të shkëputur nga çdo interes i kësaj bote dhe të nxitur vetëm nga dëshira për lavdinë më të madhe të Hyjit, ta kryejnë me besnikëri detyrën e tyre, me ndërgjegje të pastër deri në frymën e fundit. E kur me vdekjen e trupit do të dorëzojnë në duart e tua punën e bërë mirë, le të kenë prej Teje, o Zot Jezus, që ishe Mësuesi i tyre në tokë, çmimin e përjetshëm të kurorës së drejtësisë në shkëlqimin e shenjtorëve. Ashtu qoftë.








All the contents on this site are copyrighted ©.