2017-06-22 12:13:00

Papa, ROACO-s: Kishat në Siri, Irak dhe Egjipt vuajnë nga persekutimi e terrorizmi


Papa Françesku priti sot paradite pjesëmarrësit e Asamblesë së 90-të të përgjithshme të ROACO-s (Bashkimi i Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore). Emigracioni i besimtarëve të Kishave Lindore, persekutimi i tyre, por edhe dëshmia e klerit të këtyre Kishave, qe në qendër të fjalës, që u drejtoi Ati i Shenjtë.

Mbi Kishat e Lindjes janë vërsulur valë të tmerrshme persekutimi

         Papa kujtoi se ROACO ndihmon Kishat e Lindjes që nga viti 1968 e disa nga agjencitë katolike, që bëjnë pjesë në të, festojnë përvjetore të rëndësishme, si për shembull, 800-vjetori i pranisë së françeskanëve në Tokën Shenjte. Por nuk harroi edhe historinë, nganjëherë të dhimbshme të këtyre viteve:

        “Mbi Kishat e Lindjes janë vërsulur shpesh valë të tmerrshme persekutimi e travajësh, si në Lindjen evropiane, ashtu edhe në Lindjen e Mesme. Emigracione të shumta e kanë dobësuar praninë e tyre në territoret ku lulëzojnë prej shekujsh. Tani, falë Zotit, disa prej tyre janë kthyer në liri pas periudhës së dhimbshme të regjimeve totalitare, por të tjera, sidomos në Siri, Irak dhe Egjipt, i shohin bijtë e tyre të vuajnë për shkak të luftës e të dhunës pa kuptim të terrorizmit fundamentalist”.

Të ushqehet gjithnjë stili i afërsisë ungjillore

         Ati i Shenjtë nënvizoi se pa Kryqin e Krishtit, nuk mund të ketë Kishë, por pikërisht ai Kryq është gurra e shëlbimit për të krishterët. Këtë duhet ta kenë të qartë sidomos seminaristët e të gjithë ata, që duan t’ia kushtojnë jetën Zotit. Papa vuri në dukje se shumica e tyre e zgjedhin këtë rrugë me vetëdije për thirrjen, që kanë marrë, duke dëshmuar Krishtin e duke i shërbyer me përkushtim bashkësisë, që u besohet. Por ka nga ata, vërejti Ati i Shenjtë, që e shohin meshtarinë si status shoqëror, i cili, në disa zona gjeografike, u mundëson një rol parësor udhëheqës, sipas kritereve të pushtetit të kësaj bote e sipas skemave kulturore të atij vendi:

         “Është themelore – nënvizoi Papa Françesku – të ushqehet gjithnjë stili i afërsisë ungjillore: në ipeshkvij, që ta jetojnë në marrëdhëniet me meshtarët e tyre, në mënyrë që këta t’i bëjnë besimtarët ta ndjejnë përkëdheljen e Zotit. E të gjithë ta ruajnë hirin e dishepujve të Zotit, që nga të parët, që duhet të mësojnë të bëhen të fundit me të fundmit. Seminaristi dhe meshtari i ri do ta ndjejnë kështu, gëzimin e bashkëpunimit në shëlbimin e Zotit, që përkulet si Samaritani i Mirë për të derdhur në plagët e zemrave e në historitë njerëzore, vajin e ngushëllimit e verën e shpresës ungjillore”.

Edhe në ditët tona, të krishterët derdhin gjakun

         Kishat Lindore, shtoi më pas Ati i Shenjtë, janë kujtesa e krishterimit, me kishat, kuvendet, vendet e shenjta, që duhen ruajtur, duke favorizuar shtegtimin në rrënjët e fesë. Por sidomos, duhet të vazhdojnë të jenë tempull i gjallë i Hyjit. E Papa ngriti zërin:

         “Të mos harrojmë se në Lindje, edhe në ditët tona, të krishterët – s’ka rëndësi nëse janë katolikë, ortodoksë a protestantë – derdhin gjakun si vulë të dëshmisë së tyre. Besimtarët lindorë, nëse detyrohen të emigrojnë, duhet të mirëpriten në vendet e mbërritjes e duhet të vazhdojnë të jetojnë sipas traditës së tyre kishtare”.

         Kjo detyra aktuale e ROACO-s, që Papa ia besoi organizatës, duke iu lutur Nënës së Hyjit që puna e saj të jetë vërtet urë ndërmjet Lindjes e Perëndimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.