2017-06-21 15:58:00

Belgjikë: forcat e rendit penguan një atentat në Bruksel


Belgjika sërish në shënjestrën e integralistëve. Në stacionin hekurudhor të Brukselit, një burrë u vra nga forcat e rendit, të cilat penguan kështu atentatin e mundshëm.

Ngjarja

Në orën 20.39 të ditës së djeshme, sipas prokurorit federal të specializuar në terrorizëm, Eric Van der Sypt, “personi hyri në stacion. Kaloi nga salla e biletave dhe pastaj u drejtua për nga udhëtarët, që ndodheshin në fund të shkallës. Në orën 20.44, mori valixhen, duke bërtitur, dhe e bëri të shpërthejë pjesërisht. Fatmirësisht, askush nuk u plagos. Valixhja mori flakë menjëherë. Atëherë, personi e braktisi bagazhin në flakë dhe zbriti mbi binarë, i ndjekur nga një punonjës i hekurudhës. Ndërkaq, valixhja shpërtheu për të dytën herë, edhe më fort. Ishte plot me gozhda dhe bombola gazi. Atentatori – vijoi prokurori – u ngjit sërish në hyrjen e stacionit, duke iu turrur një ushtari me britmën “Allah Akbar”. Ushtari hapi menjëherë zjarr, duke qëlluar disa herë. Personi vdiq në vend. Nuk mbante rrip eksploziv”, në kundërshtim me ç’u tha fillimisht.

Kush ishte atentatori?

Është fjala për një 36-vjeçar nga lagjja Molenbeek, prej nga vinte edhe atentatori i Teatrit Bataklan në Paris, Salah Abdeslam e terroristët e tjerë të grupit. Atentatori i mbrëmshëm quhet Oussama Zariouh, lindur më 20 janar 1981, maroken. Dihet se është kapur për drogë, por jo për terrorizëm.

Frikë në Belgjikë

Në Bruksel, por edhe në qytete të tjera të Belgjikës, u kthye frika. Stacioni hekurudhor i Namurit, në Valonia, u evakua për shkak të një pakoje të dyshimtë, ndërsa në Anversë, pas sinjalizimit të kalimtarëve që panë një burrë të armatosur, nisi një operacion i madh i policisë, me helikpterë, snajperë e ushtri, përreth stacionit qendror hekurudhor.








All the contents on this site are copyrighted ©.