2017-06-20 12:56:00

Papa: don Mazzolari na nxit të jemi Kishë e të varfërve, në kërkim të të largtëve


Sot, shtegtimi i Papës Françesku, së pari, në varrin e don Primo Mazzolari-t, në Bozzolo e, më pas, tek don Lorenzo Milani, në Barbiana. Dy meshtarë italianë me mendime e vepra, që i paraprijnë Koncilit II të Vatikanit, sidomos përsa i përket Kishës “së varfër”, për të cilën predikon edhe Bergoglio. Kisha të mos i shpërfillë barinjtë si don Primo Mazzolari, meshtar jo i zakonshëm, gjithnjë afër të varfërve e në kërkim të “të largtëve”, pohoi Ati i Shenjtë në Bozzolo, në kishën e Shën Pjetrit, ku pati qenë famullitar don Mazzolari e ku Papa u ndal në lutje para varrit të meshtarit kremonez. Sot, nënvizoi ipeshkvi i Kremonës, imzot Antonio Napolioni, ndjejmë “të njëjtin parfum të Ungjillit”, që ndjente edhe don Mazzolari. Prelati lajmëroi edhe fillimin e procesit të lumnimit të don Primo Mazzolari-t, më 18 shtatorin e këtij viti.

 Edhe në rrugët e sheshet e Bozzolo-s, don Mazzolari ishte sot më i pranishëm se kurrë. “Edhe unë e dua fort Papën”: parrulla mbi oratorin e Bozzolo-s ishte marrë nga titulli i një vepre të don Primos. Fjalë, që përmbledhin kuptimin e vizitës së Papës Françesku, e cila duhej të ishte private, por u kthye në një festë popullore. Të shumtë, të rinjtë që dëgjuan Atin e Shenjtë, i cili u ndal gjatë me ta. Koret dhe duartrokitjet, flamurët e Vatikanit e hareja e të pranishmëve shoqëruan hyrjen e Papës në kishën e Shën Pjetrit, ku Françesku, pasi nderoi shtatoren e Zojës, u ndal në lutje para varrit të don Mazzolari-t. Gjest i thjeshtë, por i fuqishëm, që simbolizoi përqafimin e Pasardhësit të Shën Pjetrit për meshtarin e përvuajtur, i cili, nganjëherë, nuk kuptohej, sepse tepër profetik për kohën.

Papa Françesku tha fjalë plot pasion për don Primon, i ndërprerë shpesh nga duartrokitjet. Gjurma e lënë nga meshtari, nënvizoi, është sa e shndritshme, aq edhe e parehatshme, pasi është gjurma e famullitarit jo klerikal, forcë e Kishës në Itali dhe kudo. Don Primo është quajtur “famullitari i Italisë” e Ati i Shenjtë kujtoi fjalët e Papës Pali VI, i cili pati pranuar se ishte e vështirë t’i shkoje pas një profeti si famullitari i Bozzolo-s. Duke përdorur tre elemente të natyrës, “lumin, shtëpinë në arë dhe fushën”, që don Mazzolari i kishte përditë para syve, Papa Françesku shpjegoi aktualitetin e mesazhit të tij.

Lumi i Fjalës së Zotit të gjallë

         “Fjala e tij, e predikuar apo e shkruar – theksoi Ati i Shenjtë – e merrte qartësinë e mendimit dhe forcën e bindjes nga lumi i Fjalës së Zotit të gjallë, nga Ungjilli”, kremtuar “me gjeste sakramentore, që nuk zvetënoheshin kurrë në rit të thjeshtë”. Don Mazzolari, shtoi Papa, nuk u fsheh nga vuajtja e njerëzve të vet, por u përpoq ta ndryshojë botën, duke mos ngulur këmbë në ruajtjen e së kaluarës:

         “Don Mazzolari nuk ishte ndonjë, që ka nostalgji për Kishën e së kaluarës, por u përpoq ta ndryshojë Kishën dhe botën përmes dashurisë plot pasion e përkushtim të plotë. Në shkrimin e tij ‘Famullia’, ai propozon shqyrtimin e ndërgjegjes përsa u përket metodave të apostullimit, i bindur se mungesat në famullinë e kohës së tij e kishin zanafillën në mënyrën e gabuar të mishërimit të Fjalës së Zotit”.

         Papa përvijoi, më pas, tri rrugë, që largojnë nga ajo ungjillore: së pari, indiferenca, “mosndyerja e duarve”, duke e parë botën nga dritarja. Ky qëndrim, nënvizoi, bën ta kesh të qetë ndërgjegjen, por s’ka gjë të përbashkët me krishterimin. Së dyti, “aktivizmi separatist”, e quajti Ati i Shenjtë. Është impenjimi për të ngritur institucione, banka e kooperativa me frymëzim katolik, duke rrezikuar krijimin e një bashkësie elitare, që favorizon klientelizmin katolik. Gabimi i tretë, sipas Atit të Shenjtë, është tundimi i spiritualizmit, që parapëlqen devocionin në vend të apostullimit.

Famullitari i të largtëve mendonte një Kishë në dalje

         Don Mazzolari, vërejti Papa Françesku, ishte “famullitari i të largtëve”, sepse i kërkonte me dashuri. E pastaj, duke përshkruar shtëpinë në arë të don Primos, Ati i Shenjtë vuri në dukje se ajo na e bën të qartë idenë e Kishës, që kishte në mendje meshtari. Edhe ai, theksoi Papa, mendonte për një Kishë në dalje, kur u thoshte meshtarëve se “duhej të dilnin nga shtëpia e nga Kisha, nëse populli i Zotit nuk vinte më aty”:

         “Don Mazzolari ishte i bindur se ‘fatet e botës përcaktohen në periferi’ dhe e ktheu humanitetin e tij në mjet të mëshirës së Zotit, sipas shembëlltyrës ungjillore të atit, që e përshkruan kaq mirë në librin ‘Aventura më e bukur’. Me të drejtë, ai është quajtur ‘famullitari i të largtëve’, sepse i deshi dhe i kërkoi gjithmonë, u shqetësua për të mos e caktuar në tryezë metodën e apostullimit të vlefshme për të gjithë e përgjithmonë, por propozoi shoshitjen si rrugë për të interpretuar shpirtin e çdo njeriu”.

         Që këndej, vështrimi i mëshirshëm i famullitarit të Bozzolo-s e kërkesa për të mos i masakruar njerëzit e thjeshtë. Thirrje e përsëritur me aq forcë, sa e qortonin e kur i kërkonin të bindej, kujtoi Papa, e përballonte me guxim kritikën, por edhe në gjunjë, duke i puthur dorën ipeshkvit, të cilin nuk reshti ta dojë e ta respektojë.

Në “fushën” e Popullit të Zotit duhet të hyjmë pa frikë

         Skenari i tretë, që përvijoi Ati i Shenjtë, ishte populli i zonës së Kremonës, të cilin e krahasoi me fushën pa fund të atij territori. Në këtë fushë, tha Papa Françesku, duhet të hyjmë pa frikë, sepse në mesin e njerëzve mishërohet mëshira e Hyjit:

         “Ju inkurajoj, vëllezër meshtarë, ta dëgjoni botën, ata që jetojnë e veprojnë në të, për të marrë përsipër çdo pyetje për kuptim e shpresë, pa pasur frikë se mos kaloni nëpër shkretëtira e zona të errta. Kështu mund të bëhemi Kishë e varfër, për e me të varfërit, Kishë e Jezu Krishtit. Ajo e të varfërve quhej nga don Primo ‘ekzistencë, që s’të lë rehat’ e Kisha ka nevojë ta njohë jetën e tyre, për t’i dashur ashtu siç janë”.

Zoti na ndihmoftë të mos i injorojmë profetët e vërtetë

         Don Mazzolari, vijoi Papa, jetoi “si meshtar i varfër, por jo si meshtar i shkretë”. Nuk bëri prozelitizëm, dha dëshminë e thjeshtësisë e të varfërisë në Kishë. “Të jeni krenarë – iu drejtua bashkësisë së Bozzolo-s – që keni lindur një meshtar të tillë”:

         “Nëse ju duket se nuk e keni kuptuar leksionin e don Mazzolari-t, ju ftoj sot, ta ktheni atë në thesar. Zoti, që ka bërë gjithnjë të lindin në Kishën shenjte Nënë barinj e profetë, sipas zemrës së Tij, na ndihmoftë sot të mos i injorojmë akoma. Sepse ata panë larg e nëse do t’i kishim ndjekur, do t’i kishim kursyer vetes vuajtje dhe poshtërime”.

         Papa Françesku e përfundoi fjalën e tij me një lutje të Don Primo Mazzolari-t për mëshirën e Zotit: “Askush s’është jashtë shpëtimit tënd o Zot, sepse askush nuk është jashtë dashurisë tënde, që nuk tronditet e as pakësohet për shkak të kundërshtimeve e të refuzimeve tona”. Më pas, Ati i Shenjtë vizitoi sakrestinë e famullisë, studion e përvuajtur të don Mazzolari-t, ku pa disa kujtime e vepra të meshtarit kremonez. Përshëndeti e bekoi besimtarët në sheshin para famullisë, për t’u nisur për në Barbiana, në dioqezën e Firences, në takimin me don Lorenzo Milanin, prift tjetër, apostull i të varfërve.








All the contents on this site are copyrighted ©.