2017-06-18 12:23:00

Mesha e Françeskut në Shën Gjonin e Lateranit për Korpin e Krishtit


Papa Françesku do të kremtojë sonte ritet e Corpus Domini, sipas kalendarit liturgjik të Kishës italiane. Në orën 19.00 do të kryesojë kremtimin e Meshës në tremen e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran. Menjëherë pas Meshës, do të nisë procesioni eukaristik që, duke përshkuar Rrugën Merulana, do të arrijë, sipas traditës, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe.

Zhvendosja e Festës së Korpit të Krishtit të diel, nga e enjtja, 15 qershor, sipas kalendarit të Vatikanit - pati shpjeguar drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Greg Burke - u bë për të favorizuar praninë e njerëzve në festë, duke mos krijuar probleme, në një ditë pune. Për rëndësinë e Solemnitetit  të Corpus Domini në jetën e të krishterëve, intervistuam don Stefano Tardanin, themelues i Lëvizjes Dashuria Familjare:

Përgjigje: - Nuk ka gjë më të madhe se kjo, se Korpi e Gjaku i Krishtit. Nuk ka dhuratë më të madhe se Eukaristia, se Korpi i Krishtit mbi altar. Jezusi na premtoi: “Do të jem me ju gjithmonë ‑ deri në të sosur të botës!”. E edhe është shpirtërisht gjithnjë pranë njeriut. Po si është? Pikërisht me Eukaristinë. Ditë për ditë është atje, ku është Kisha, nusja e Tij besnike. Zoti nuk mund të na donte më shumë se kaq! E deshi botën dhe jetën tonë aq, siç na e kujton Ungjilli, sa të na e jepte, të na e dhuronte, të na e dorëzonte Jezusin, Birin e vet: dhurata e Hyjit Atë është Jezusi, që dhurohet për të na dhënë jetën e pasosur, jetën e vetë Zotit, jetën e vet. Prandaj u bë si ne, duke marrë natyrën tonë njerëzore, duke u bërë njeri, e kështu na shëlboi.

Pyetje: - Si e zbatojmë këtë shëlbim në jetën tonë të përditshme?

Përgjigje: - Pikërisht me Eukaristinë. Në Eukaristi Jezusi bëhet ushqim për secilin nga ne. E në Eukaristi, secili nga ne merr dhuratën e jetës së Jezusit. Që kur Zoti u bë njeri, ne marrim në natyrën tonë njerëzore, vetë Zotin, Jezu Krishtin, Zot i vërtetë e njeri i vërtetë. Zoti është Vetje e dhurohet personalisht. E kush e merr, e merr pesonalisht. E secili, pastaj, i dhurohet Atij personalisht. E ky është bashkimi eukaristik. Nuk është bashkim i zakonshëm, si ai ndërmjet njerëzve: është pambarimisht më shumë. Prandaj Jezusi, bariu ynë e mësuesi ynë, u bë bukë.

Pyetje: - E pse deshi të bëhej bukë eukaristike?

Përgjigje: - Ne ushqehemi me bukë. Buka është për korpin tonë e, pasi hahet, bëhet korpi ynë. Mund të themi se buka  njerëzore shuan urinë e korpit tonë… po ne kemi edhe një uri tjetër: urinë për jetë. Zoti, kur na dha shpirtin, e vuri aty edhe këtë uri. Buka njerëzore shuan urinë e trupit, por jo urinë për jetën e pasosur, që e kemi në shpirt. E tregon fakti se edhe duke ngrënë bukën njerëzore, rropatemi, kërkojmë, vuajmë, vdesim, e vetëm Zoti mund t’i përgjigjet urisë për jetën, që secili nga ne e ka në shpirtin e vet.








All the contents on this site are copyrighted ©.