2017-06-15 10:27:00

Dom Simon Kulli, ipeshkëv i ri i Sapës


I takoi detyra e vështirë e administrimit të dioqezës së Sapës, menjëherë pas kalimit në amshim të ipeshkvit të dashur të saj, imzot Lucian Avgustinit. Është fjala për don Simon Kullin, të cilin Papa Françesku e emëroi sot ipeshkëv të ri të Sapës. Por më hollësisht për emërimin e tij e për mënyrën si u prit në dioqezë, të dëgjojmë bashkëpunëtoren tonë nga Sapa, Violeta Marashi

AVEMUS EPISCOPIS

Emerimi i Ipeshkvit të Ri të Dioqezës së Sapës

Ipeshkvia e Sapës, lajmëron me gëzim se Shenjtëria e Tij Papa Françesku, sot me datën 15 qershor 2017 ka emëruar për Ipeshkëv të kësaj Dioqeze, Administratorin Dioqezan të Sapës dom Simon Kullin.

Lajmi u dha sot në orën 12.00 në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Vau-Dejës, në praninë e mbarë Klerit Dioqezan si dhe misionarëve laikë. Lajmi i emërimit të ipeshkvit të ri është bërë i ditur në të njëjtën kohë edhe nga Salla e Shtypit të Vatikanit dhe nga Gazeta Zyrtare e Vatikanit Osservattore Romano.

Shpalljen zyrtare të Ipeshkvit të ri e bëri Nunci i Ri Apostolik në Shqipëri, Imzot Charles John Braën, me praninë edhe të Kryetarit të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Arqipeshkvi Metropolit i Dioqezës Shkodër – Pult, Imzot Angelo Massafra.

Kështu, me emërimin e Dom Simon Kullit në krye të Ipeshkvisë së Sapës, Kishës Katolike në Shqipëri i shtohet një fletë e re në historinë e saj, duke shuguruar Ipeshkvin e parë shqiptar pas diktaturës komuniste. Me këtë ngjarje, sot gëzon mbarë kisha lokale, kombëtare, mbarë grigja e Sapës, e ndërsa jemi të sigurtë se gëzon në amshim edhe paraardhësi i tij, Imzot Lucjan Avgustini.

Violeta Marashi

 

Ta ndjekim përshëndetjen e tij për klerin dhe besimtarët, pas emërimit:

Fjalimi i Dom Simon Kullit në diten e shpalljes si Ipeshkev i Sapes nga Nunci Apostolik në Shqipëri imzot Charles John Brown, në Katedralen Shenjtja Terezë e Kalkutës, Vau-Dejes.

Shkëlqesi e nderuar Imzot Charles John Brown, Nunc Apostolik në Shqipëri,

I nderuar Imzot Massafra Arqipeshkev Shkoder-Pult, President i Konfereces Ipeshkvore të Shqiperisë.

I Nderuar Kleri i dioqezit të Sapës, të dashur besimtarë.

Së pari, dëshiroj të falenderoj Bariun e Mire Krishtin Zot i cili se harron kurre grigjen e vet dhe perkujdeset gjithmonë për të, e falenderoj Shpirtin Shenjt për çdo të mirë që ka bërë në jetën time, me jetën time dhe për jetën time, që po denjohet të më therrasë mua të padenjtin si pasues të apostujve për të perjetësuar veprën e Krishtit që është Bari i amshueshëm.

Së dyti, falenderoj  Kishën Shenjte Katolike, Shenjtin Atë Papë Franceskun për besimin në mua dhe vleresimin ndaj  jetës sime meshtarake.

Së treti  falenderoj klerin e dioqezës së Sapës dhe të gjithë  bashkpuntorët e ngushtë sepse secili nga ju ka kontribuar që Sapa të shëndërrohet në  një familje të mrekullueshme,  falë dashurisë që keni treguar dhe vazhdoni të tregoni ndaj meje duke më pranuar ashtu sikurse Zoti ka dashur që të jem.

Te jesh bari i një dioqeze është përgjegjësi e madhe dhe barrë e rëndë, për me tepër të jesh pasardhes i Imzot Avgustinit ketij bariu të mrekullueshem dhe të pa harruar. Do përpiqem të ndjek gjurmet tija. Dashuria e tij per këtë dioqezë më nxit të pranoj me bindjen dhe fenë e sigurtë se Krishti Bariu i mire është gjithmonë me ne deri në të sosur të botës dhe se kemi mbështetjen dhe ndërmjetësinë e Shenjtës Tereze të Kalkutës, martirëve të Shqipërisë, Zojës së Këshillit të mirë, Pajtores së Shqipërisë. Atyre u besoj vetveten dhe popullin fisnik të Sapës.

Ju faleminderit!

E tani disa nga fjalët e don Simon Kullit, pas vizitës "ad Limina" e takimit me Papën Françesku, gjatë këtij maji, në Vatikan:

Curuculum Vitae Dom Simon Kulli

Dom Simon Kulli lindi 14.02.1973 në fshatin Pistull të Dioqezës së Sapës. Fshat ky, 20 km nga Shkodra. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në fshatin Pistull.

Me 2 shkurt 1992 hyri në Seminarin Ndërdioqezan Shqiptar “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shkodër, dhe kryen dy vite parapergatitje për fillimin e studimeve filozofike e Teologjike.

Në vitin 1994 fillon studimet e Filozofisë; pas dy viteve, në vitin 1996 fillon studimet e Teologjisë, ndërsa me 14 shtator të vitit 1999 shugurohet diakon në Katedralen e Shkodrës, Gjatë periudhës së diakonatit, nga shtatori deri në Janar të vitit 1999 shërbeu në Katedrale të Shkodrës me famullitarin Dom Lucjan Avgustini, dhe nga janari i vitit 2000 deri në qershor shërbeu në Dajç të Zadrimës me dom Injac Dema Vikari Gjeneral i Dioqezes.

Dhe me 29 qershor të vitit Jubilar 2000, shugurohet meshtar po në Katedralen e Shkodrës së bashku me katër meshtarë të tjerë shqiptarë nga Imzot Angelo Massafra. Këta janë shugurimet e para meshtarake që u shuguruan pas 46 viteve të regjimit komunist në Shqipëri.  

Pas shugurimit meshtarak, menjëherë u emërua në Dajç të Zadrimës dhe shërbeu si ndihmës famullitar pranë Mons. Injac Demës, e njëkohësisht ishte dhe Sekretar i Ipeshkëvit të Dioqezës së Sapës, në atë kohë, Imzot Dodë Gjergjit. Në Dajç shërbeu nga viti 2000 – 2002.

Në vitin 2002, dom Simoni emërohet Kancelar Dioqezan i Sapës.

Prej vitit 2006 e deri në ditët e sotme ushtron detyrën e Famullitarit të Katedrales “Shën  Tereza e Kalkutës” – Vau-Dejës. Nga viti 2001 deri në vitin 2012 kreu detyrën e Drejtorit të Caritasit Dioqezan të Sapës. Po nga viti 2010 deri më 25 maj ushtroi deyrën e Delegatit të Caritasit Dioqezan, si edhe detyrën e Vikarit Gjeneral dhe Ekonomit të Dioqezës së Sapës.

Me kalimin në amshim të ipeshkëvit, Imzot Lucjan Avustini, me 25 maj 2016, Dom Simon Kulli zgjidhet nga Këshilli i Konsultorëve “Administrator Dioqezan i Dioqezës së Sapës” .








All the contents on this site are copyrighted ©.