2017-06-14 13:44:00

Papa Françesku do t’i hapë punimet e Kuvëndimit kishtar dioqezan


Do t’i hapë Papa Françesku, punimet e Kuvëndimit kishtar dioqezan, më 19 qershorin e ardhshëm, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Tema e sivjetme është “Të mos i lëmë vetëm! T’i shoqërojmë prindërit në edukimin e fëmijëve adoleshentë”.

Pas fjalës së hapjes, mbajtur nga Papa, do të paraqiten temat e gjashtë laboratorëve, që do të zhvillohen ditët e mëpasme në 36 prefekturat e dioqezës. Mbrëmjen e datës 19 do ta mbyllë kardinali mëkëmbës i dioqezës së Romës, Agostino Vallini, që do ta përfundojë mandatin e tij pas nëntë ditësh.

I pranishëm, kryeipeshkvi Angelo De Donatis

Do të jetë i pranishëm në Kuvëndim edhe kryeipeshkvi Angelo De Donatis, i emëruar më 26 maj nga Ati i Shenjtë mëkëmbës i ri i pëgjithshëm për dioqezën e Romës. Të pranishëm edhe ipeshkvijtë ndihmës, priftërinj, rregulltarë, rregulltare si dhe qindra laikë ardhur nga realitetet e ndryshme kishtare të dioqezës së Romës.

Sfida e gjashtë laboratorëve

Gjashtë laboratorët, që do të mbahen të martën, më 20 qershor, do të punojnë për trajtimin e temave: “Shtëpia dhe jeta në familje”; “Shkolla dhe studimi”; “Të ndërveprohet me vetminë e krijuar nga mjetet e komunikimit”; ”Marrëdhëniet ndërmjet breznive”; “Varfëria në jetë, vuajtja, vdekja”; “Të kapërcehet izolimi i familjeve”. Pjesëmarrësit në takimin e së hënës, 19 qershor, do të marrin materialin ndihmës, i cili do t’i ndihmojë për ballafaqimin. Materiali nis me hyrjen, pasuruar nga fragmente të rëndësishme të Amoris laetitia,  e vijon, në pjesën e dytë, me pyetjet, që folësit të mos largohen nga konkretësia e jetës  dhe e realitetit baritor  e të mund të arrijnë edhe në hartimin e propozimeve.

Më 18 shtator, orientimet për vitin e ri baritor

Takimi dioqezan, si zakonisht, do të mbyllë edhe vitin baritor, por epilogun do ta ketë të hënën, më 18 shtator kur, përsëri në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, ipeshkvijtë-ndihmës do të flasin për rezultatet e laboratorëve të zhvilluar në prefekturat e sektorëve të ndryshëm dhe kryeipeshkvi mëkëmbës, Angelo de Donatis, do të japë orientimet baritore për vitin e ri.








All the contents on this site are copyrighted ©.