2017-06-13 00:00:00

Fragment nga një homeli e Shëna Ndout për të Dielën e parë të Rrëshajve


Fragment nga një homeli e Shëna Ndout për të Dielën e parë të Rrëshajve

Prolog

Plot me besim në Fjalën e mishnueme, që jep za e dije “e gjuhën e fëmijëve e bân të rrjedhshme” (Sap. 10,21) e  duert e së cilës janë nën krahët e kenieve të gjalla - si thotë Ezekieli (Krh Ez 1,8) po premtojmë rishtas me e çue deri në fund, të primë prej Tij e në Tê, që asht vetë udha, për nder të tij e për dobi të besimtarëve, veprën e fillueme tue nisë prej çastit në të cilin zû fill gjithë krijimi (Shih të dielen Settuagesima)1.

Në krye të kësaj pune propozuem të krijojmë një përkim – edhe pse jo në mënyrë të përkryeme, por të paktën të pjesshme – ndërmjet ungjijve të së dieles, të ciklit vjetor - me kallëximet e Testamendit të Vjetër e të Ri, si lexohen në kishë e edhe të letrave të të dieleve, me të hymit në meshë.

Duhet pasë parasysh se tue nisë prej kësaj së dielje mbas Rrëshajësh e deri të dielen e parë të gushtit në kishë lexohet historia e Mbretënve, që ndahet në katër libra e në këtë kohë numërohen tetë të diele. Dishrojmë, prandej, të vemë në përkim katershin me tetën, tue i përshtatë disa rrëfime të një libri, me fragmentet e dy ungjijve, e kështu në vijim, sa ma mirë që të jetë e mundun!

E DIELJA E PARË E RRËSHAJVE

Temat e predikimit

Ungjilli i së dieles I mbas Rrëshajësh: “Na ishte një njeri i pasun”; ungjill që ndahet në katër pjesë.

Posaçërisht predikimi i ipeshkvit a i predikatarit të Kishës që me bahre e me gurë, domethanë me vepra e me fjalë, duhet ta mposhtë djallin: “Davidi mori shtagën e vet”.

Pjesa I: predikimi kundër kënaqësive të pesë shqisave: “Mjerë ju, që qysh natje çoheni të dejun”.

Predikimi kundër grykësve: “Vinte djali i priftit”.

Predikimi mbi dashuninë e krishtênë: “Zoti asht dashuni”

Predikimi moral për të pasunin, domethanë, për korpin, e për Lazrin, domethanë për shpirtin mëkatnor: “Na ishte një herë një njeri i pasun”.

Predikimi për pishinën, pesë hajatet e saj dhe kuptimin e tyne: “Ishte në Jeruzalem një pishinë, që quhej hebraisht  “e dhenëve” .

Predikimi mbi predikatarët: “Qentë shkojshin e ia lëpijshin varrët.”

Pjesa II: Predikim mbi të pasunin e të vorfnin: “Ishin dy gra, Fenena e Ana”.

Predikim mbi dënimin e të pasunit e lumninë e të vorfnit: “Dagoni dergjej për dhe”, e “Do të vdes në çerdhen teme të vogël”.

Predikim mbi vorrimin e të pasunit: “Këtë i thotë Zoti Joakimit” dhe “ Kur njeriu do të vdesë”.

Pjesa III: predikim kundër përgojuesve: “Mos merr pjesë në gostat e popullit”; shpata me tre teha e prozhmimit.

Për t’u vû në dukje se kush asht në mëkat mortar, nëse bân vepra të mira, i vlejnë në pesë mënyra.

Predikim kundër atyne që shkrryhen ndër kënaqësi, të cilat shumë shpejt do t’u mungojnë: “Davidi mori heshtën dhe shtambën e ujit”.

Pjesa IV: predikim mbi shtëpinë e atit e pesë vëllazënve të të pasunit; kuptimi i tyne: “Të lutem, o atë”.

Predikim mbi robninë e pesë shqisave: “Abigail u çue e shpejtoi hapin për me mbërrijtë Davidin”.

Hymje: Predikim i ipeshkvit  ose prediktarit të Kishës

Në atë kohë Jezusi u tha dishepujve të vet: “Ishte një njeri i pasun që veshej me purpur e petka lini e për gjithë ditë shtronte gosta të mëdha”(Lk 16,19).

Në Librin e parë të Mbretënve tregohet se Davidi “muer shkopin e vet në dorë, zgjodh pesë papërdhokë të lëmuet prej përronit e i shtîni në krahoçin e vet barituer, që e përdorte porsi hejbe, muer gjithnjë në dorë bahren e u fillue kundra filisteut”(17,40). Venia menden këtyne katër sendeve: shkopit, pesë papërdhokëve, hejbes e bahres. Shkopi simbolizon Kryqin e Krishtit, pesë papërdhokët, njohjen e Testamendit të Vjetër, krahoçi barituer hirin e Testamendit të ri, bahrja, drejtpeshimin e gjykimit. Prej këndej Davidi, domethanë predikatari, duhet të marrë shkopin, pra Kryqin e Krishtit, për të bajtë ma lehtë, mbështetë mbi të, lodhjen e udhës.

Për këtë shkop, në Librin e Zanafillës thohet: “E ‘i mend unë e kam kalue ketë Jordan vetëm me shkopin tem e tash jam bâ dy çetash". I drejti e kalon dashuninë kalimtare të kësaj bote me shkopin e kryqin e Krishtit e kështu kthehet në tokën e premtueme me dy çeta, me frytet e jetës aktive e të asaj kundruese.

Prediktari duhet ta ketë përherë në dorë këtë shkop, me veprat e mira. Thotë në të vërtetë, Abakuku: “Shkelqimi i tij asht porsi drita, vez’llim vetimash del prej duerve të tija”(3,4). Shkelqimi i jetës shenjte dhe i predikimit asht dritë për mëkatnorin. “Ju jeni drita e botës”(Mt 5-14): në vetë duert e predikatarit duhet të jenë dy krahët e kryqit që, me duer gozhdue mbi ta, të mos mundet kurrë me ba sende të palejueshme.

“Zgjodh pesë papërdhokë të lëmuet prej përronit e i shtîni në  krahoçin e vet barituer, që e përdorte porsi hejbe”. Hejbja e bariut në latinisht thirret pera, emën që mund të përdoret edhe për enën ku mbahet tambli: e asht figurë e Testamendit të Ri, ku ndihet hiri, që mund të krahasohet me tamblin. S’ka gja ma të kandshme se tambli, sepse nana ia jep falas (lat. Gratis), ferishtes, pa kërkue kurrgja prej saj.

Pesë papërdhokët simbolizojnë pesë librat e Mojzehit (Pentateuku), të cilët na kujtojnë dijen e gjithë Testamendit të Vjetër: libra, që predikatari, si ndihmë për predikimin e tij, duhet t’i marrë prej përronit, domethanë prej begatisë së Shkrimit Shenjt, për t’i shtî në krahoçin e Ungjillit. Në të vërtetë, në Testamendin e Ri gjejmë kuptimin e të Vjetrit, sepse, “njena rrotë asht mrenda një rrote tjetër” (Ez 1,16)

Ose, në pesë papërdhokët mund të shohim qortimet e rrepta me të cilat duhen dënue pa kurrfarë mëshire, ata që janë rob të shqisave të korpit. Në të vërtetë, shkelësit e Testamendit të Vjetër, vorrosë nën breshni gurësh, ishin figurat e mëkatnorëve të Testamendit të ri, që duhen gjuejtë me qortime të randa.

“Muer shkopin e vet në dorë e u fillue kundra filisteut”. Shkopi, që ka dy  lidhca me të njajten gjatësi, asht simbol i koherencës ndëmjet doktrinës e jetës. Predikatari duhet ta ketë në dorë këtë shkop, që dora të përkojë me gojën, e sjellja e tij të përkojë me mësimin e tij: vetëm kështu mund të fillohet kundër filisteut e ta mbysë.

Filisteu paraqitet si njeri “që zhgrrahet prej pijes të teprueme”, simbol i të pasunit të kësaj bote, veshë me purpur (krh Lk 16,19), dejshem për shkak të teprimeve të grykësisë e të epshit, njeri që bjen prej hirit në faj e prej fajit do të rrokulliset, mandej, në gjehenë: pikërisht për të flitet në Ungjillin e soçëm: “Na ishte një njeri i pasun, i veshun me purpur”, etj…

2. Në këtë Ungjill duhen pasë parasysh katër fakte: së pari, kushtet e pabarabarta në të cilat jetojnë i pasuni, veshë me purpurë, e lypësi Lazër: “Na ishte një pasanik”; së dyti, vdekja e të dyve: “Ndodhi, mandej, që lypësi vdiq”; së treti, dënimi i të pasunit e lumnia e Lazrit: “Tue i naltue sytë e tij »; së katërti, lutja e disprueme e të pasunit për pështimin e pesë vëllazënve të vet: “Të lutem, o Atë Abram!”…

Për aq sa na lejon Zoti, po përpiqemi t’i ballafaqojmë me këto katër pjesë të Ungjillit, disa rrëfime të Librit të parë të Mbretënve.

Vërejmë se në hymje të kësaj së dielje këndohet: “Në mëshirën tande shpresoj unë paprâ (Ps 12,6). Lexohet edhe një fragment prej Letrës së të lumit Gjon “Zoti asht dashuni” (1 Gjn 4,8), fragment që do ta ndajmë në katër pjesë, tue i ballafaque me katër pjesët e përmenduna të Ungjillit. Pjesa e parë: Zoti asht dashuni”; e dyta “Në këtë asht diftue dashunia e Hyut për ne”; e treta “ Në dashuni, nuk ka frikë”; e katërta: “Ne, pra, e duem Zotin”.

KUSHTET E PABARABARTA TË JETËS SË TË PASUNIT, VESHË ME PURPUR, E TË LYPËSIT LAZËR

3. “Ishte nji njeri i pasun që veshej me purpur e petka lini e për gjithë ditë shtronte gosta të mëdha” (Lk 16,19).

Ky i pasun i panjohun, në një farë mënyre, para Zotit, nuk tregohet me emën. Nuk u gjykue i denjë të shkruhej në këtë Ungjill shenjt emni i tij, që kurr nuk do të shkruhet në librin e jetës së pasosun. Në shenj dënimi, tregimi nis me fjalët: Homo quidam, një farë. Edhe na themi një farë, për një njeri që e përbuzim ose nuk e njohim.

Ky farë burri përfaqëson të gjithë ata, që jetojnë simbas mendësisë së botës, njerëz të mishit, të shitun rob nën mëkat (Rm 7,14). Thotë për ta Psalmi: “Qe njeriu, që Zotin nuk e pat për mbroje. Po që u pështet vetëm mbi pasunitë e shumta, që në mbrapshti të veta shkoi tue u përforcue”(Ps 51,9). Vëreji këto tri shprehje: nuk e pat për mbroje, u pështet  dhe shkoi tue u përforcue. Me ta përkojnë tri shprehje të Ungjillit : “Ishte një njeri i pasun”, prej këndej, Zotin nuk e pat për mbrojtje; “veshej me purpurë e  me petka lini”, sepse “besonte në pasunitë e veta” e për gjithë ditë shtronte gosta të mëdha e kështu  shkoi tue u përforcue në mbrapshti të veta”.

Me gjithë ketë përkon çka lexojmë në Librin e parë të Mbretënve “Ishte një farë burrit në shkretinë e Maonit e pasuninë e kishte në Karmel e ishte shumë i pasun. Emni i këtij burrit ishte Nabal. Shtronte në shtëpi të vet gosta sikur të ishte mbret. Zemra e tij ishte e gëzueshme e ishte i dejun tapë. Emni i tij ishte Naabal (1Mbr 25,2,36). Nabal don me thanë i pamend; Maon, banesë e Karmel, “i mefshtë”.

Tri pjesët e këtij fragmenti përkojnë me tri pjesët e Ungjillit. Thotë Ungjilli: “Ishte një njeri i pasun”, e Libri i parë i Mbretënve: “Ishte një farë burrit në shkretinë e Maonit”. Në Ungjill: “Veshej me purpurë e me petka lini”, e Libri i Mbretënve, “Ai ishte shumë i pasun”. Ungjilli vijon: “Për gjithë ditë shtronte gosta të mëdha”, e Libri i Mbretënve: “Shtronte në shtëpi të vet gosta, sikur të ishte mbret”.

4. Pasaniku i kësaj bote asht i pamend, sepse nuk kënaqet me sendet e Zotit; ai asht “në shkretinë e Maonit, domethanë në atë banesë, për të cilën asht thanë: “Shtëpitë e tyne u shkretnojshin”(Ps 68, 26); “pasuninë e kishte në Karmel, e jetonte, kështu, në  mefshtësi; prandej thotë Amosi profetë: “Mjer ju që fleni në shtretën fildishi e shtriheni sa gjanë-gjatë në shtroje tueja” (6,4)

“E ky njeri ishte shumë i pasun“. Thotë Davidi: “Pashë të mbrapshtin tue u naltue porsi kedri i Libanit”(Ps 68,26)”,  unë vetë pashë se i marri lëshoi rrajë,  por u kujtova shpejt se rrajët e tij ishin tha(Jb 5,3).

“Në shtëpinë e tij shtronte gosta, si të ishte mbret”. Për ketë thotë Amosi: “Mjerë ju, o pasanikë të Sionit, që hani kingjat e njomë të grigjës e viçat e zgjedhun prej tanë tubës, e pini venë me kupa të mëdha e lyheni me parfume të zgjedhuna (6, 1,4,6).  E Isaia: “Mjer ata, që çohen për terr, turren mbas pijes deri në mesnatë e kthejnë te shtëpija me fëtyrat ndezë prej venet. Në gostat e tyne bien çeste e harpa, lodra e fyej e vena derdhet rrëkajë. Por nuk u bâhet vonë për vepër të Zotit, s’e kqyrin veprën e duerve të tija (5,11-12).

Veglat muzikore e vena janë simbol i kënaqësisë së pesë shqisave. Çestja, mbi të cilën ngrehen kordat sajue me zorrë bagtish, simbolizon synin, që sillet kah sendet që shikohen me lakmi. Lira, që thirret kështu për shkak të larmisë së zaneve, sepse prodhon tinguj të ndryshëm, simbolizon të ndigjuemit, që kënaqet pikërisht prej larmisë së tingujve. Lodra, që kur i bihet me dorë, tingëllon, simbolizon të prekunit. Flauti simbolizon nuhatjen me birat e  hundës, sepse i fryjmë, si bajmë pikërisht me birat e hundës. Së fundi, vena na kujton kjartë shijen.

Ata që janë skllavë të këtyne pesë shqisave, nuk ia venë menden veprës së Zotit, asaj që krijoi mbi tokën tonë (krh Ps. 73,12), domethanë mundimeve e vdekjes së tij e nuk duen as ta shikojnë veprën e duerve të tij, domethanë të vorfënt e tij, që i shestoi ai vetë me duert e veta në rrotën e predikimit dhe i kaliti në farkën e vorfnisë, si ban poçari me baltën.

Marrë nga “Sermoni di Sant'Antonio”








All the contents on this site are copyrighted ©.