2017-06-11 13:53:00

Fundjava me Papën e me Kishën


Sot Lutja e Mbretëreshës Qiellore i la vendin asaj të Engjëllit të Tënzot, që Papa ia kushtoi festës së Trinisë Shenjte. E kremtoi, si zakonisht, në mesditë, duke nisur me fjalët njohura nga gjithë të krishterët. 

Romë: Sot, në orën 17.30, kardinali Baltazar Enrique Porras Cardozo, kryeipeshkëv i Méridës, mori në dorëzim Titullin e Shenjtorëve Gjoni Ungjilltar e Petroni, në Rrugën Mascherone, 61.

Romë: Dje Papa ishte për vizitë zyrtare në Quirinale. Me këtë gjest deshi t’i kthejë vizitën që i pati bërë në Vatikan, më 18 prill 2015, Presidentit të Republikës Italiane, Sergio Mattarella.  Ati i Shenjtë arriti në Oborrin e Nderit të Quirinales në orën 11.00. Për ta pritur kishte dalë presidenti i Republikës, Sergio Matarella, Pas nderimeve ushtarake dhe Himneve të dy vendeve, Papa bisedoi privatisht me presidentin e më pas u shkëmbyen dhuratat dhe u paraqitën dy delegacinet zyrtare. Françesku u ndalua për disa çaste në Kapelën e Zojës Nunciatë, për të vijuar vizitën në Sallonin e Korracierëve, ku  Presidenti dhe Papa mbajtën fjalimet e rastit, duke vënë në dukje marrëdhëniet e mira dypalëshe dhe ndihmën e vazhdueshme reciproke  Vizita vijoi në Kopshtet e Quirinales, ku Ati i Shenjtë dhe Presidenti  përshëndetën rreth 200 fëmijë të ftuar nga zonat e dëmtuara prej tërmetit. Rreth orës 12.45 Papa u largua nga Quirinale, për t’u rikthyer në Vatikan.

Pak kohë më parë, ndërsa ishte për vizitë në Argjentinë, duke iu përgjigjur një të riu, që i kërkonte mendimin e tij për Papën argjentinas, presidenti italian Mattarella e pati sintetizuar kështu figurën e Bergoglios: “Më ngjall entuziazëm. Mund të flisja gjatë për të, por për ta përmbledhur mendimin tim, ju them se Papa bashkon italianët me argjentinasit. Kardinali Bergoglio ishte ipeshkëv i Buenos Ajres e u bë Papë: tani është ipeshkëv i Romës, shumë i dashur nga një mori njerëzish. Kreu i shtetit italian nënvizoi edhe se Papa po bëhet gjithnjë më shumë pikë referimi në botë, njeri që krijon besim, sidomos në të rinjtë.

Këta - thënë me dy fjalë- dy personalitetet, që u takuan dje në Quirinale, gjatë një vizite më se miqësore,  me shumë fryt.  

Vatikan: Në audiencën e përgjithshme të së mërkurës,  mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, duke përshëndetur nismën “Një minut për paqen”, mendimi i Papës shkoi edhe një herë tek popujt e Lindjes së Mesme, të cilët dëshiron t’i shikojë në paqe, të lirë nga çdo tip dhune. I nxiti, prandaj, të krishterët të luten për pajtimin në këtë rajon. E nisma ‘Një minut për paqen’, u përsërit  të enjten e kaluar, në orën 13.00, në vende të ndryshme, në kujtim të përvjetorit të takimit të Françeskut me presidentin e ndjerë izraelit Peres dhe presidentin palestinez Abbas:

“Në kohën tonë ndjehet fort nevoja për t’u lutur – të krishterë, hebrenj e myslimanë – për paqen”- kujtoi me këtë rast Papa.Dialogun me Islamin, dinjitetin e gruas, vëmendjen ndaj familjes dhe inkulturimin e Ungjillit, Papa Françesku ua kërkoi, për t’i dhënë hov të ri veprimtarisë misionare, edhe pjesëmarrësve të Kapitullit të përgjithshëm të Misionarëve dhe Misionareve të Zojës Ngushëlluese, duke i pritur, të hënën e  kaluar në audiencë, në Vatikan.

Përpjekje e përbashkët

E forcoi aleancën ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, mbledhja e ndihmave për Sirinë, organizuar në Rusi nga bashkësitë fetare. Nisma u promovua nga Grupi i punës për ndihmë humanitare ndaj popullsisë siriane, organizëm në gjirin e Këshillit presidencial për bashkëpunimin me organizatat fetare (Komisioni i të cilit për bashkëpunim ndërkombëtar kryesohet nga metropoliti i Volokolamsk, Hilarioni). Këto ditë, gjatë një konference shtypi të agjencisë Tass, u fol për rezultatet e para të mbledhjes së lëmoshëve, në praninë e përfaqësuesve të Kishës ortodokse ruse, të Kishës katolike, të Kishës apostolike armene, të Bashkimit të të krishterëve të fesë ungjillore, të Asamblesë shpirtërore të myslimanëve dhe të Drejtorisë qendrore të myslimanëve të Rusisë.

Në fillim secila bashkësi e pranishme në grupin e punës - shpjegoi drejtuesi, hieromurgu Stefan Igumnov – organizoi nisjen e ndihmave humanitare për banorët e Sirisë, por pastaj u vendos të bashkoheshin përpjekjet. Kjo ndihmon jo vetëm për një koordinim më të mirë të projekteve të veçanta, por edhe për arritjen e nismës në një nivel më të lartë, duke hartuar plane të përbashkëta. Karvani i parë humanitar, fryt i ndihmave të përbashkëta kristiano - myslimane, do të arrijë në Siri në fund të qershorit.

Kazakistan: Në Astana, dje u përurua pavijoni i Selisë së Shenjtë  në Expo 2017. I pranishëm, kardinali Turkson, shoqëruar nga imzot Francis Assisi Chullikatt, Nunc Apostolik në Kazakistan, Kirgizistan e Taxhikistan e nga përfaqësues të Kishës vendase. National Day e Selisë së Shenjtë është në program për datën  2 shtator.

Në Specia të Italisë, u lumnua Itala Mela, Oblate Benediktine në manastirin e Shën Palit jashtë Mureve të Romës. (†1957). Në kremtim, Papën e përfaqësoi kardinali Angelo Amato, Prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.

“Ishte mistike kushtuar kundrimit të përmasës trinitare të jetës së krishterë”. Në këto pak fjalë mund të përmblidhet dëshmia e Itala Mela-s lindur në Specia, më 28 gusht 1904. Prindërit e saj, mësues në një shkollë fillore, ishin njerëz me parime të shëndosha morale, por shumë larg nga feja. Ndërsa ndiqte gjimnazin, i vdiq  i vëllai. Kjo humbje e rëndë e dëshpëroi aq, sa vendosi të hiqte dorë nga feja. Por vetëm dy vjet më pas, falë një shkundjeje shpirtërore misterioze, nisi një jetë të re, me moton: “Zot, nëse je kund, bëj që të njoh!”. Ishe hapi i parë në udhën mistike, në qendër të së cilës do të kishte gjithnjë misterin e Trinisë Shenjte. Vdiq më 29 prill 1957, jo shumë larg kohëve tona.

Itali: Sot  u  organizua Shtegtimi në këmbë Macerata-Loreto. Pranë stadiumit Helvia Recina të Maçeratës, në orën 20.30, u kremtua  Mesha shenjte kryesuar nga kardinali Kevin Farrell, prefekt i Dikasterit për  laikët, familjen e jetën. Titulli i shtegtimit këtë vit ishte “Po ti, a më do?”, shkëputur nga Ungjilli i Shën Gjonit. Ndërsa vetë shtegtimi sivjet iu kushtua posaçërisht popullsive të dëmtuara nga tërmeti, nga luftërat, nga emigracioni, të krishterëve të persekutuar dhe të rinjve

Kujtojmë se në përfundim të audiencës së përgjithshme të së mërkurës, ndërmjet shumë përshëndetjeve tradicionale, që mbyllin takimin javor të Papës me mijëra besimtarë, Françeseku kujtoi atletët e rinj të Shtegtimit të 39-të Macerata-Loreto, të pranishëm në audiencë, kryesuar nga ipeshkvi Nazzareno Marconi. Të rinjtë patën ndezur në Sheshin e Shën Pjetrit   “Pishtarin e paqes”, të cilin Papa ua bekoi. 

Argjentinë: Lëmoshët vjetore të Karitasit kombëtar sivjet u mblodhën me ndjetin: “Nëse e shikon tjetrin si të ishte yt vëlla, nuk mund ta  përjashtosh”. Motoja u frymëzua nga një reflektim i Papës Françesku, shqiptuar në korrik 2015, në Kuito të Ekuadorit, gjatë takimit me shoqërinë civile, mbajtur në Kishën e Shën Françeskut. Me atë rast Papa pati thënë: “Shoqëria jonë fiton, kur çdo njeri, çdo grup shoqëror  ndjehet me të vërtetë si në shtëpi të vet. Si në familje, ku askujt nuk i shkon as nëpër mend t’i nxjerrë në rrugë të madhe prindërit, gjyshërit, fëmijët”.








All the contents on this site are copyrighted ©.