2017-06-10 16:42:00

Papa tek Mattarella: punë për të rinjtë, politika për familjen dhe emigrantët


Aleanca për punën, posaçërisht për të rinjtë, politika për familjen, e akoma, sfida e fenomenit të emigracionit e të terrorizimit. Janë temat me rëndësi të dorës së parë, prekur nga Papa në fjalimin e mbajtur sot paradite gjatë vizitës tek Presidenti i Republikës të Italisë, Sergio Mattarella, në Quirinale. Tema, për të cilat u shpreh edhe presidenti Mattarella: “Në Kishë - nënvizoi - gjejmë një mbështetje me vlerë”.

Çasti kryesor i vizitës, që i bëri Papa kryetarit të Shtetit italian, ishte pikërisht ai i fjalimeve përkatëse, mbajtur në Sallonin e Korracierëve. Françesku është Papa i pestë i cili viziton Qurinalen, që nga lindja e Republikës Italiane. Me vizitën e sotme Françesku i ktheu Mattarellës, vizitën  në Vatikan, më 18 prill 2015.

Gjatë fjalimit, mbajtur me këtë rast, Papa theksoi se e shikon Italinë me shpresë, të bazuar mbi kujtesën plot mirënjohje ndaj etërve - “janë edhe të mitë” – kujtoi, që i mbrojtën vlerat themelore: dinjitetin e  njeriut, familjen e punën, të cilat u vunë në qendër të Kushtetutës republikane, si pikëmbështetje për jetën demokratike të popullit. Vlera që, si Papa, ashtu edhe Mattarella i kujtuan në fjalimet e tyre, posaçërisht përballë sfidave të reja, gjatë këtij takimi shumë të përzemërt.

Papa u ndalua posaçërisht tek problemet  e sotme të Italisë e të Evropës, si terrorizmi ndërkombëtar, që ushqehet nga fundamentalizmi, fenomeni i emigracionit, i thelluar nga luftërat dhe mungesa e ekulilibrit ekonomik, deri tek vështirësitë e breznive të reja për të gjetur punë të qëndrueshme e dinjitoze, vështirësi - nënvizoi Papa - që nuk e favorizojnë krijimin e familjeve të reja e lindjen e fëmijëve. Duhet aleancë sinergjish e nismash - theksoi Françesku - e burimet financiare duhet të jenë në shërbim të këtij objektivi me vlerë të madhe shoqërore.

Puna dhe politikat për familjen u theksuan nga Papa si dy shtylla, pa të cilat nuk mund të ndërtohet një ardhmëri e denjë për njeriun.

Françesku e lavdëroi Italinë sepse, duke shfrytëzuar burimet e saj shpirtërore, është e aftë t’i shndërrojë sfidat, si ajo e fenomenit të emigracionit, në raste për rritjen dhe zhvillimin e vendit. Në fjalimin drejtuar Presidentit Mattarella, Papa kujtoi edhe qëndresën e frymëzuar nga feja, me të cilën e jetuan këtë përvojë dramatike popullsitë e Italisë Qendrore, të dëmtuara nga tërmeti:

“Kisha në Itali është realitet jetik, që jeton me gëzimet e dhembjet e vendit - nënvizoi Papa - e frymëzuar nga mësimi i Kushtetutës baritore Gaudium et Spes, e cila shpreh dëshirën për bashkëpunim ndërmjet bashkësisë kishtare dhe asaj politike".

Mësim i sanksionuar nga rishikimi i Konkordatit të 1984-tës dhe impenjim që nxiti “një formë të veçantë laiciteti, jo armiqësor - kujtoi Papa - por miqësor e bashkëpunues, ndonëse me dallime të mirëpërcaktuara të kompetencave të secilit:

“Në Kishën katolike dhe në parimet e krishterimit, me të cilat është formuar historia e saj e pasur mijëravjeçare, Italia do të gjejë gjithnjë elementin më të mirë për zhvillimin shoqëror, për harmoninë e progresin e  saj të vërtetë. Zoti e bekoftë dhe e mbrojtët Italinë!”.

Përveç emergjencës së punës për të rinjtë, në fjalmin e tij, Presidenti Mattarella, foli për fuqizimin e frontit të përbashkët kundër terrorizmit e fanatizmit, si dhe për nevojën e respektimit të ambientit, që politika e shikon si një nga përparësitë e saj:

“E dimë se, siç na e kujtoi Shenjtëria Juaj me rastin e vizitës sime në Vatikan, dy vjet më parë, mund të gjejmë në Kishë mbështetje të vlefshme e të nevojshme, me vetëdijen - i kujtoj akoma pikë për pikë fjalët e Shenjtërisë suaj - që autonomia reciproke të mos e pengojë, por ta vlerësojë lart përgjegjësinë e përbashkët për njeriun konkret si dhe për nevojat shpirtërore e materiale të bashkësisë”.

Pallati i Quirinales i ruan edhe sot e kësaj dite shenjat e veprimtarisë së paraardhësve tuaj – i tha Mattarella Papës, duke kujtuar se jo shumë kohë më parë ishte pallat papnor – e, me kalimin e viteve, është bërë gjithnjë më shumë “Shtëpia e italianëve”     








All the contents on this site are copyrighted ©.