2017-06-07 18:03:00

Pushtetarë të Hondurasit bisedojnë, në Vatikan, me Parolin e Gallagher


Nga e hëna e kaluar zëvendës-presidenti i Hondurasit, Ricardo Alvarez e ministrja e jashtme dhe e bashkëpunimit ndërkombëtar, Maria Dolores Aguero, janë në Itali për një sërë takimesh me homologët e tyre. Dje, në Vatikan, u pritën në audiencë nga sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin dhe kryeipeshkvi Paul Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.

Në një klimë përzemërsie u kujtuan nismat e ndryshme të qeverisë së Hondurasit për të krijuar vende pune, për të rritur nivelin e sigurimit kombëtar dhe për të mbrojtur emigrantët, duke u krijuar mundësi të reja.

Në qendër të bisedimeve, edhe stabiliteti demokratik në Kontinentin latinoamerikan. U kujtua gjithashtu krijimi i kushteve lehtësuese nga ana e qeverisë hondurene për mbështetjen e Ditës Botërore të Rinisë, që do të mbahet në Panama, në janar 2019. Hondurasi luan një rol të rëndësishëm si udhë kalimi për mijëra të rinj, që do të shkojnë në Panama nga SHBA-të, Meksika, Guatemala e Salvadori. Për herë të parë vendi po promovon edhe turizmin  fetar.








All the contents on this site are copyrighted ©.