2017-06-07 12:36:00

Papa: për paqen në botë, të luten të krishterë-hebrenj-islamikë


Të krishterët, hebrenjtë e myslimanët të luten për paqen në Lindjen e  Mesme. Kjo, thirrja e Papës Françesku në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, duke përshëndetur nismën “Një minut për paqen”.

 Mendimi i Papës, pra, shkoi edhe një herë tek popujt e Lindjes së Mesme, të cilët dëshiron t’i shikojë në paqe, të lirë nga çdo tip dhune. Françesku e mori shtytjen nga nisma “Një minut për paqen”, që t’i nxiste gjithë të krishterët të luten për pajtimin në rajonin e Lindjes së Mesme:

“Nesër, në orën 13.00, në vende të ndryshme përsëritet nisma ‘Një minut për paqen’, domethënë, një çast i vogël lutjeje, në kujtim të përvjetorit të takimit tim me presidentin e ndjerë izraelit Peres dhe presidentin palestinez Abbas. Në kohën tonë ndjehet fort nevoja për t’u lutur – të krishterë, hebrenj e myslimanë – për paqen”.

Në përfundim të audiencës, ndërmjet shumë përshëndetjeve tradicionale, që mbyllin takimin javor të Papës me mijëra besimtarë, sot Françeseku kujtoi atletët e rinj të Shtegtimit të 39-të Macerata-Loreto, që do të organizohet të shtunën e ardhshme, të pranishëm në audiencë, kryesuar nga ipeshkvi Nazzareno Marconi. Të rinjtë ndezën në Sheshin e Shën Pjetrit   “Pishtarin e paqes”, të cilin Papa ua bekoi.  








All the contents on this site are copyrighted ©.