2017-06-06 15:56:00

Zemra e Krishtit: M’a çil zèrmen o njerì: Dishroj me ndejë me ty!


Zemra e Shenjtë të Jezu Krishtit, që me shumë devotshmëri kremtohet e adhurohet edhe në popullin shqiptar, është një festë e rëndësishme liturgjike, relativisht e kohës së vonshme, edhe pse devocioni ndaj Zemrës së Krishtit është i njohur edhe para se të aprovohej zyrtarisht kjo festë nga Kisha e para se Jezu Krishti t'i dëftohej Shën Margaritës Alacoque.

Me këtë rast duam të sjellim shkurtimisht disa fakte që lidhen me këtë festë të madhe për mbarë Kishën. Devocioni ndaj Zemrës së Krishtit kryesisht shfaqet në shekullin e XII, edhe atë me shën Bernardin. Por, mund të thuhet se shenjat e para të kësaj përshpirtërie ndaj Zemrës së Krishtit i hasim në traditën e etërve të Kishës, kur lexojmë faqet e para të shën Gjon Gojartit apo te shën Agostinit. Ata shkruajnë mbi gjoksin e shporuar të Shëlbuesit prej të cilit rrodhi gjak e ujë e që njëherit janë burimi i lindjes së Kishës dhe lulëzimit të sakramenteve.

Ky devocion do të vazhdojë të përhapet gjatë mesjetës edhe përmes dëftimeve shenjtës Lutgardë (1246). Kjo shenjtëreshë mistike e bashkësisë së Helftës, një ditë ftohet nga shën Gjoni Ungjilltar që së bashku të pushojnë mbi parzmën e Krishtit, dhe kjo e pyet shën Gjonin: Përse nuk i'a ke zbuluar botës kënaqësinë që ke përjetuar i mbështetur në parzmën e Tij në Darkën e mbrame, dhe ai i përgjigjet: Misioni im i vetëm ishte që t'ua zbuloj njerëzve natyrën Hyjnore të Fjalës së Mishëruar. Shën Gertruda e shën Matilda me shkrimet e tyre do të bëhen kështu instrumente për përhapjen e këtij dëftimi që do të pranohet mirë sidomos në Gjermani.

Kur flasim për festën e Zemrës së Krishtit, nuk mund e të mos e përmendim edhe shën Margeriten Maria Alacoque, e cila ditën e festës së shën Gjonit Ungjilltar, më 1673 përjetoi një vizion (dukje) mistike. Derisa ishte duke në adhurim para të Shenjtënueshmit Sakrament të Eukaristisë, asaj i duket Jezu Krishti i Gjallë. Ajo vëren se zemrën i'a rrethonte një flakë, gjembat e kurorëzonin atë ndërsa mbi zemër kishte një kryq. Kjo dukje do të ndodh për dy vjet rresht, çdo të premte të parë të muajit, ndërsa më 1675, ditën e festës së Korpit të Krishtit, Jezu Krishti i dëftohet me kraharorin e hapur, dhe duke i'a treguar zemrën i thotë: Ja kjo zemër që aq shumë i ka dashur njerëzit... Kam një etje të madhe të jem i dashur prej njerëzve sidomos në Sakramentin e Tejetshenjt të Eukaristisë, por nuk po e gjej askënd, që sipas dëshirës sime do ta shuaj këtë etje. Krishti kërkon prej saj që të themeloj devotshmërinë e nëntë të premteve të muajit, dhe i premton se ata që do ta nderojnë Zemrën e Tij dhe kungohen gjatë këtyre të premteve, do të shpërblehen me dashurinë e bekimet e Tij.

Më 1856, Papa Piu IX e shpall të obliguar këtë festë për mbarë Kishën, ndërsa më 1899, Papa Leoni XIII publikon një enciklikë përmes së cilës i'a kushton Zemrës së Krishtit mbarë botën. Zemra fizike është simbol i dashurisë. Edhe sipas ligjeve të natyrës njerëzore, të cilat feja dhe liturgjia jo vetëm se nuk i kanë kundërshtuar, por i kanë përdorur në simbolikën e tyre duke shprehur në mënyrë më të kuptueshme dashurinë e Krishtit ndaj njerëzve. Shën Toma i Akvinit thotë: “Të imagjinosh se objektet nuk janë të nevojshme për të na afruar te Zoti, është njëlloj sikur të harronim se jemi njerëz”.

Teolog të ndryshëm thonë se Papa Piu XII, në Haurietisaquas e shpjegon mirë motivin e devocionit ndaj Zemrës së Krishtit duke e identifikuar me dashurinë e Tij ndaj njerëzve. Prandaj, kur e adhurojmë Zemrën e Krishtit, ne e çmojmë pa masë dashurinë e Tij ndaj nesh. Mirëpo, nuk duhet të harrojmë se ajo Zemër edhe në aspektin fizik ka vuajtur për ne, me qëllim që të na lirojë prej së keqes dhe të na shfajësoj prej mëkateve. Ai tani kërkon prej nesh që ti kushtohemi me gjithë vetveten tonë sepse Zemra e Tij Hyjnore pret përgjigjen e dashurinë njerëzore, zemrën tonë.

Në një libër të vjetër uratësh në shqipe gjetëm këtë fjalë, që në festën e Zemrës së Krishtit, e përherë, Jezusi na thotë: “ M’a çil zèrmen o njerì: Dishroj me ndejë me ty”! Jezu Krisht, zemërbutë dhe i përvujtë. Bëj që zemra ime t'i përngjajë Zemrës sate.








All the contents on this site are copyrighted ©.