2017-06-06 10:58:00

Vidhet relikja e Shën Gjon Bosko: Kisha torineze në lutje


Vijon shqetësimi dhe pakënaqësia për vjedhjen e relikes së Shën Gjon Boskos, të premten e kaluar, në Bazlikën e Kodrës Dom Bosko, në Castelnuovo të Astigjanos. Punohet me ngulm për ta gjetur, pa përjashtuar asnjë pistë, ndërsa në kremtimin e Rrëshajëve, të gjithë meshtarët e dioqezës së Torinos  kujtuan në lutje bashkësinë saleziane.

Mbarë Kisha piemonteze shtrëngohet në lutje rreth bashkësisë saleziane të Castelnuovos. Kryeipeshkvi i Torinos, imzot Cesare Nosiglia, u drejtoi atyre që e vodhën reliken, thirrjen “ta rikthejnë menjëherë, pa kushte, që të mbyllet kështu kjo faqe e dhunshme, e të mund të nderohet përsëri denjësisht kujtimi i dom Boskos në vendlindjen e tij”. Truri i dom Boskos, që u vodh mbrëmjen e së premtes së kaluar, ruhej pas Altarit të madh të  Bazilikës së poshtme të Castelnuovos, në fraksionin e Morialdos, ku Gjon Bosko lindi më 1815.

Si relikja, ashtu edhe gjithë kjo zonë, kanë një rëndësi të madhe, sepse Kodra e Dom Boskos, është shtëpia e tij. Papa Gjon Pali II pati ftuar që ky vend të bëhej Asizi salezian, Asizi i të rinjve. këtu lindi don Bosko, këtu jetoi, këty ëndërroi t’i edukonte të rinjtë, këtu zgjodhi si mësuese Marinë, këtu “truri i tij”, që ruhej në reliken e vjedhur, punoi vetëm për t’i kthyer të rinjtë e braktisur, nga ujqër në qengja, që të mund të ecnin e të vraponin drejt së mirë, drejt lumturisë, drejt lumnive ungjillore, krishterisht parajsa mbi tokë.

Trurin e këtij njeriu, që edhe sot i prek zemrat dhe i shndërron, për t’i bërë bashkëpunëtorë të misionit të tij, e vodhën, nësa edhe sot e kësaj dite qindra mijëra njerëz i ngjiten asaj kodre, për t’i kërkuar atij truri-relike, një mendim për problemet dhe shqetësimet e trurit të tyre. Këto ditë Kisha është plot me shtegtarë, por hajdutët nuk duken akoma.








All the contents on this site are copyrighted ©.