2017-06-06 11:03:00

Letra e Papës Françesku për homazhin e fundit kardinalit Husar


“Kardinali Lubomyr Husar, kryeipeshkëv i madh nderi i Kyiv-Halyč, ishte atë e prijës shpirtëror për mbarë Kishën greko-katolike të Ukrainës, të cilën ai e mblodhi nga trashëgimia e ‘katakombeve’, ku qe detyruar të mbyllej, për shkak të persekutimit”. Kështu shkruan Papa në një Letër drejtuar kryeipeshkvit të madh të Kyiv-Halyč, Sviatoslav Shevchuk, në ditën e homazhit të fundit, që iu bë kardinalit, i cili i mbylli sytë për dritën e kësaj bote më 31 majin e kaluar, në moshën 84 vjeçare. Kardinali Husar u varros dje në kriptën e Katedrales së Ngjalljes së Krishtit, në Kiev.

Në Letër, Françesku kujton numrin jashtëzakonisht të madh të njerëzve, që i bënë këto ditë homazhe trupit të pajetë të kardinalit, shenjë që tregon qartë kush ishte i Ndjeri: një nga autoritetet morale më të respektuara në dhjetëvjeçarët e fundit nga populli i Ukrainës. Kishës greko-katolike të vendit i dha jo vetëm sktrukturat kishtare, por sidomos, i riktheu gëzimin  e historisë së vet, bazuar mbi fenë përmes e përmbi çdo vuajtje.

Kur ia behën edhe për të pleqëria e sëmundja - vëren Papa - prania e tij ndërmjet popullit ndryshoi stil, duke u bërë shumë më intensive e më e pasur. Zëri i Kardinalit u ndje fort në jetën e vendit, si zë i mësuesit të urtisë. Mënyra e tij e të folurit ishte e thjeshtë, e kuptueshme nga të gjithë, e njëkohësisht, edhe shumë e thellë! Urtia e tij, ishte urtia e Ungjillit, ishte buka e Fjalës së Zotit, e thyer për njerëzit e thjeshtë, për të vuajturit, për të gjithë ata, që kërkonin dinjitet. Thirrjet e tij ishin të ëmbla, por edhe shumë kërkuese për të gjithë. E për të gjithë lutej pa pushuar, duke e ndjerë thellësisht në shpirt se tani kjo ishte detyra e tij kryesore. E njerëzit e  kuptonin menjëherë se ai i përfaqësonte, i mbronte, i ngushëllonte, pa shikuar ishin besimtarë apo jo e përtej ndryshimeve konfesionale. Kur fliste ai, të gjithë e ndjenin menjëherë se po fliste një i krishterë i vërtetë, një ukrainas, që e donte me pasion atdheun e tij, gjithnjë plot me shpresë, gjithnjë plot me besim në ardhmërinë e Zotit. E kishte një fjalë të mirë për gjithkënd. I dëgjonte njerëzit me ngrohtësi të thellë njerëzore e mirësjellje, që ua ngushëllonte zemrën. I pëlqente posaçërisht të dialogonte me të rinjtë, të cilët shkonin vazhdimisht ta takonin, sepse kishte aftësi të jashtëzakonshme për të komunikuar me ta.

Plot mirënjohje për këtë prani të pashembullt, fetare e shoqërore në historinë e Ukrainës, Papa i fton ukrainasit “të jenë besnikë ndaj mësimeve të tij e ta lëshojnë plotësisht vetveten në dorën e Provanisë Hyjnore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.