2017-06-03 15:58:00

Papa Françesku: tetori 2019, muaj i posaçëm i lutjes për misionin


Një kohë e jashtëzakonshme lutjeje e reflektimi për misionaritetin e Kishës. Njoftimin për këtë nismë të re e dha sot Françesku, në audiencën me Veprat Papnore Misionare. Nismës do t’i kushtohet muaji tetor 2019. Kisha - tha Papa - ka gjithnjë nevojë të riungjillëzohet.

Shqetësohet zemra e Françeskut për Veprat Papnore Misionare, shqetësim që ato e njohin mirë. Ati i Shenjtë nuk dëshiron të rëgjohen në një organizatë, që mbledh e shpërndan, në emër të Papës, ndihma ekonomike për Kishat më nevojtare. Për ta shmangur këtë rrezik, është e nevojshme  të gjinden rrugë e mënyra të reja më kishtare shërbimi për misionin universal të Kishës. Prej këndej, edhe njoftimi i paradites së sotme, gjatë fjalimit drejtuar 170 pjesëmarrësve në Asamblenë e përgjithshme të organizmit, shoqëruar nga kardinali Fernando Filoni, prefekt i Kongregatës  për Ungjillëzimin e Popujve.

“Për ta përtërirë zellin e pasionin - tha Papa - e pranova me kënaqësi kërkesën tuaj, hartuar së bashku me Kongregatën e Ungjillëzimit të Popujve, për të shpallur një kohë të jashtëzakonshme lutjeje dhe reflektimi kushtuar missio ad gentes. I kërkoj mbarë Kishës t’ia kushtojë këtij qëllimi muajin tetor të vitit 2019".

Papa zgjodhi vitin 2019, sepse në këtë vit bie njëqindvjetori i Letrës Apostolike të Papës Benedikti XV Maximum illud, kushtuar frytit të apostullimit dhe shenjtërisë së jetës: “Kush predikon Zotin, të jetë njeri i Zotit” - porosit Benedikti XV.

“Përtritja kërkon pendesë - vijon Françesku - i cili dëshiron që misioni të jetohet si mundësi e përhershme për ta kumtuar Krishtin, për t’i ndihmuar njerëzit ta takojnë, duke e dëshmuar e duke i bërë edhe të tjerët pjesëmarrës të takimit tonë personal me Të”.








All the contents on this site are copyrighted ©.