2017-06-01 11:09:00

Sudan, kisha të rrënuara. Një meshtar: vijon prej vitesh, shkojmë përpara


Duke nisur nga shkurti i kaluar, autoritetet e Sudanit vendosën të rrënojnë njëzet e pesë ndërtesa kulti të bashkësive të krishtera vendase. E, këto ditë, dy pastorë, Paul Salah dhe Naji Abdullah, u arrestuan dhe u mbajtën për disa orë, ndërsa kisha e lagjes Soba-al-Aradi, në Khartum, rrënohej plotësisht. Në rritje, shqetësimi i bashkësive të krishtera në Sudan që, ndonëse konsiderohen pakicë, sipas të dhënave jo zyrtare, përbëjnë 26% të popullsisë.

Në vijim, politika e rrënimit të kishave

Me sa duket, këtu vijon politika e rrënimit të kishave dhe vendeve të kultit që, sipas autoriteteve, nuk kanë lejet përkatëse të ndërtimit. Pas pavarësisë së Sudanit të Jugut nga Khartumi, në vitin 2011, qeveria sudaneze pati marrë vendim të mos jepte më autorizime për ndërtimin e kishave, me pretekstin se të krishterët u pakësuan shumë numerikisht, mbasi u zhvendosën në shtetin tjetër sudanez. Liderët e krishterë kanë protestuar vazhdimisht kundër pengesave të panumërta që u krijohen, kur është fjala për ndërtimin e kishave të reja, duke pasur parasysh edhe se fetë e tjera nuk trajtohen kështu, në një vend ku liria e fesë garantohet me kushtetutë.

Dëshmia e një meshtari nga Khartumi

Situatën na e përshkruan, nga Khartumi, një meshtar sudanez, që, për shkaqe sigurie, nuk dëshiron ta bëjë të njohur emrin. Dëshmi tjetër kjo, për situatën e vështirë, që kalojnë meshtarët në këtë vend:

Përgjigje: - Kjo po ndodh prej vitesh, nuk është gjë e re. Por duket se në këto çaste, meqë Bashkimi Evropian dërgoi një përfaqësues për të hetuar lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut, kjo gjendje nuk mund të fshihet më.

Pyetje: - Për cilat kisha e vende kulti bëhet fjalë?

Përgjigje: - Të gjitha kishat katolike e ungjillore.

Pyetje: - Pse u mbyllën, sipas autoriteteve?

Përgjigje: - Ata thonë se nuk i kanë dokumentet e duhura, nuk kanë miratimin e qeverisë për ndërtimin e një kishe në këtë apo në atë vend, por që nga vitet ’90, qeveria nuk i jep më asnjë bashkësie lejën për të ngritur ndërtesa të tjera,

Pyetje: - Atëherë, si mbijetojnë bashkësitë e krishtera vendase?

Përgjigje: - Bëjmë kështu: shkojmë në një vend, ku ka të krishterë, marrim një truall të vogël, nuk i themi askujt se do të bëhet kishë e ngremë katër mure, ndërtojmë brenda një kasolle e ja, kjo është kisha jonë, një strehë, ku mund të lutemi…

Pyetje: - Dy fjalë për bashkësinë e krishterë e mënyrën sesi është formuar në vend….

Përgjigje: -  Në Sudan banojnë Nubat, një fis a popull i Jugut gjeografik të Sudanit, domethënë, i pjesës jugore të vendit. Atje shumica e popullsisë është  krishterë. E, mbasi vuajnë nga lufta, Nubat janë shpërndarë në gjithë vendin, për shkak të konflikteve. Ka edhe eritreas, të strehuar nga Eritrea, në Sudan. Janë rreth 200 mijë eritreas, që jetojnë në Khartum e janë të gjithë të krishterë: ortodoksë ose katolikë të ritit lindor. Ndërsa Nubat janë të ritit latin. Kjo, situata e të krishterëve në Sudan.








All the contents on this site are copyrighted ©.