2017-06-01 13:40:00

Papa: nëse pranohen meshtarë për të mbushur boshllëqet, vihet hipotekë mbi Kishën


Foli pa doreza Papa Françesku në audiencën me pjesëmarrësit e asamblesë së përgjithshme të Kongregatës për Klerin. Fjala e tij u përqendrua mbi priftërinjtë e rinj, por pa letër iu drejtua ipeshkvijve:

“Dua t’ju them dy gjëra, spontanisht, ipeshkvijve për meshtarët: vendet boshe… mos i mbushni këto vende me njerëz, që nuk janë thirrur nga Zoti; mos i merrni nga çdo lloj ane; shqyrtojeni mirë thirrjen e një të riu, vërtetësinë e saj, nëse vjen për të gjetur strehë apo se e ndjen thirrjen e Hyjit. Nëse i pranojmë vetëm sepse kemi nevojë, të dashur vëllezër ipeshkvij, kjo është hipotekë për Kishën, hipotekë”.

E argumenti i dytë për të cilin Ati i Shenjtë foli pa letër në asamblenë e Kongregatës për Klerin, ishte afërsia e ipeshkvijve me meshtarët. “Sa herë – kujtoi – kam dëgjuar ankimet e meshtarëve, që thonë ‘e kam marrë në telefon ipeshkvin, por nuk ishte; kërkova një takim, sekretarja më tha se nuk kishte kohë për tre muaj’. Ai prift mbetet larg ipeshkvit”. E Papa ngriti zërin:

“Nëse ti, ipeshkëv, e di nga lista e telefonatave se ka marrë në telefon një prift, pavarësisht se e ke agjendën plot, po atë ditë, ose së shumti të nesërmen, merre në telefon, vlerësoni së bashku nëse është urgjente puna, por ka rëndësi që ai meshtar ta ndjejë se e ka një atë, ta ndjejë afërsinë. Nuk mund të udhëhiqet dioqeza, nuk mund të shenjtërohet një meshtar, pa afërsinë atërore të ipeshkvit”.

Pas përshëndetjes së kardinalit Beniamino Stella, Papa iu drejtua asamblesë me një fjalim të gjithanshëm, që fliste për “formimin tërësor” të meshtarëve, të aftë të integrojë të gjitha aspektet e jetës, për të pasur një dishepull misionar, për të hapur një rrugë tërheqëse, por edhe kërkuese, në shërbim të Krishtit e të grigjës së Tij. Siç e thamë, Ati i Shenjtë u përqendrua mbi priftërinjtë e rinj, që jetojnë gëzimin e fillimit të shërbimit të tyre, por edhe peshën e tij. Papa nënvizoi:

“Duhet ta pranojmë se, shpesh, të rinjtë gjykohen në mënyrë sipërfaqësore e pak si tepër lehtë etiketohen si brez ‘i lëngshëm’, pa pasione dhe ideale. Pa dyshim ka të rinj të brishtë, të çorientuar, të fragmentuar, ose të sëmurë nga kultura e konsumizmit dhe e individualizmit. Por kjo nuk duhet të na pengojë të pranojmë se të rinjtë janë të aftë të vënë bast ‘me vendosmëri’ mbi jetën e të vihen në lojë me bujari; ta hedhin vështrimin kah e ardhmja e të jenë, kështu, ilaç kundër dorëzimit e humbjes së shpresës, që karakterizojnë shoqërinë tonë; të kenë krijimtari e fantazi, guxim për të ndryshuar, të jenë shpirtmëdhenj kur është fjala për të tjerët, ose për ideale si solidariteti, drejtësia dhe paqja. Pavarësisht nga kufizimet e tyre, ata janë gjithnjë pasuri”.

E Papa u përvijoi meshtarëve të rinj - të cilëve u nënvizoi se janë zgjedhur nga Zoti, prandaj shumë të dashur për Të - tri rrugë për të mos u lëkundur e për të qenë gjithnjë në lartësinë e misionit, që Hyji u ka besuar: të luten pa u lodhur, të ecin gjithnjë e të ndajnë zemrën me të tjerët. Lutja, marrëdhëniet me Hyjin, kujdesi për jetën shpirtërore, janë shpirti i shërbimit dhe e ndihmojnë priftin ta shenjtërojë vetveten. Meshtari, theksoi Papa, duhet të jetë gjithnjë në ecje, shtegtar në udhët e Ungjillit e të jetës, gjithnjë në kontakt me botën e i gatshëm për të papriturat e Zotit. E së treti, duke kujtuar përvojën e tyre rinore në seminar, priftërinjtë të dinë të qëndrojnë në mesin e të rinjve, jo vetëm si miq, por si njerëz, që i dëgjojnë pyetjet e pa u bërë të mërzitshëm, ndajnë me të rinjtë vështirësitë e bukuritë e jetës:

“Të rinjtë nuk kanë nevojë për zyrtarë kishtarë profesionistë, ose për heronj, që, nga lart e nga jashtë, t’u përgjigjen pyetjeve të tyre; tërhiqen më shumë nga ata, që dinë të hyjnë me sinqeritet në jetën e tyre, duke i shoqëruar me respekt e duke i dëgjuar me dashuri. Është fjala për të pasur një zemër të mbushur plot me pasion dhe dhembshuri, sidomos ndaj të rinjve”.

Duke ua përsëritur tri rrugët, që kthehen kështu, në detyrë, Papa Françesku i këshilloi priftërinjtë ta jetojnë meshtarinë, me sytë e ngulur drejt Qiellit e duke menduar gjëra të mëdha. “Nuk është detyrë e lehtë – përfundoi Ati i Shenjtë – por duhet të kemi besim të plotë në Zotin, sepse Ai na paraprin në këtë udhë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.