2017-06-01 12:51:00

Papa: jo, fesë së ideologjizuar, të kumtohet Krishti edhe ndërmjet persekutimeve.


Predikim, persekutime, lutje. Gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Françesku i theksoi këto tri fjalë, duke përshkruar jetën e Shën Palit Apostull. Papa e vuri theksin mbi shembullin, që na jep edhe sot, Apostulli i Popujve, i cili vijon të na ftojë ta kumtojmë Ungjillin ndërmjet persekutimeve të botës dhe ngushëllimeve të Zotit.

“Jeta e Shën Palit Apostull është gjithnjë në lëvizje. Vështirë - tha Papa - ta mendosh Palin duke u thekur në diell, në ndonjë plazh. Pali është gjithnjë në lëvizje - rikujtoi Françesku - për t’u ndaluar, më pas, tek fragmenti i sotëm, shkëputur nga Veprat e Apostujve e për të vënë theksin pikërisht mbi tri përmasat e kësaj jete, që jetonte Pali, gjithnjë në lëvizje, gjithnjë për udhë.

Shën Pali, gjithnjë në lëvizje për të predikuar Krishtin

Përmasa e parë - kujtoi Papa - është predikimi, kumtimi. Pali - komentoi - shkon në të katër anët për ta kumtuar Krishtin e, kur nuk predikon në ndonjë vend, punon:

“Por ajo, që bën më shumë, është predikimi. Pasioni i tij është të predikojë, të kumtojë Krishtin! Nuk rri kurrë ulur pranë shkritores: jo, ai është gjithnjë, gjithnjë në lëvizje. Duke çuar gjithnjë përpara kumtin e Jezu Krishtit. Me zemrën plot zjarr, plot zell, zell apostolik, që e çonte gjithnjë përpara, kurrë përmbrapa. E kjo është një nga përmasat, që i sjell edhe shumë telashe, vështirësi e pengesa".

Me ndihmën e Shpirtit Shenjt mund të përballohen të gjitha persekutimet

Përmasa e dytë e kësaj jete të Palit, janë pikërisht vështirësitë, më qartë, persekutimet. Në Leximin e parë të sotëm - vijoi të kujtonte Papa - të gjithë bashkohen për ta akuzuar e për ta gjykuar, si njeri që shkakton trazira:

“E Shpirti Shenjt i frymëzoi Palit mprehtësinë, aq më tepër ngaqë e dinte se ata nuk ishin njëmendjeje, por plot me luftëra të brendshme, se saduçenjtë nuk besonin në Ngjalljen, ndërsa farizenjtë besonin. E ai, për të dalë nga ky çast i vështirë, tha me zë të lartë: ‘Vëllezër, unë jam farize, bir farizenjsh. U nxora në gjyq nga shkaku i shpresës në ngjalljen prej së vdekurish”.
S’i kishte kryer ende mirë këto fjalë, kur plasi sherri: farizenj e saduçenj nisën të kacafyten, sepse njëra palë besonte, tjera jo, e ata, që dukeshin si një korp i vetëm, u përçanë keqas, të gjithë.

Këta, pra, ishin rojtarët e Ligjit, rojet e doktrinës së Popullit të Zotit, rojtarët e fesë: njëri besonte një gjë, tjetri - një tjetër. Këta njerëz - nënvizoi Papa - e kishin humbur fare Ligjin e doktrinën e fenë, sepse i kishin shndërruar në ideologji.

Forca e Shën Palit është lutja, takimi me Zotin   

Shën Palit, pra, - kujtoi Papa - iu desh të luftonte shumë për këtë. Përmasa e parë e jetës së Apostullit të madh - rikujtoi - ishte kumti, zelli apostolik: ta çonte përpara Jezu Krishtin; e dyta, të vuante persekutime, luftëra. Së fundi, përmasa e tretë, lutja. Pali - nënvizoi Françesku - e kishte këtë lidhje të fortë me Zotin:

“Zoti i vinte pranë shumë shpesh. Një herë, na thotë se, gjatë lutjes, qe mbartur gati-gati në qiell, e nuk dinte si t’i tregonte fjalët e bukura që kishte dëgjuar atje. Po ky luftëtar, ky kumtar i horizonteve të pafundme, që kërkonte gjithnjë më shumë, më shumë, kishte përmasën mistike të takimit me Jezusin. Prej këndej i buronte forca: prej takimit me Zotin në lutje, si takimi në udhën e Damaskut, kur po shkonte t’i persekutonte të krishterët. Pali është njeri, që takoi Zotin, e këtë nuk do ta harronte kurrë më. E do ta kërkonte vazhdimisht Zotin, për ta takuar. Si njeri i lutjes”.

Këto, pra, - përfundoi Papa – janë tri sjelljet, që na i mëson Pali: zelli apostolik për të kumtuar Krishtin, përballimi i persekutimeve e lutja: dëshira e tij më e madhe ishte të takohej me Zotin, e Zoti me të. E kështu shkonte përpara ndërmjet persekutimeve të botës e ngushëllimit të Zotit:

“Zoti - përfundoi Papa - na e dhashtë ne të gjithëve, të pagëzuarve, hirin t’i mësojmë këto tri mënyra sjelljeje në jetën tonë të krishterë: ta kumtojmë Jezusin, t’i bëjmë ballë persekutimeve e joshjeve, që kërkojnë të na ndajnë nga Jezusi, e të kemi hirin e takimit me Krishtin, në lutje”.   








All the contents on this site are copyrighted ©.