2017-06-01 12:52:00

Papa Françesku: familja, tharm i një bote më njerëzore


Në përvjetorin e njëzetë të themelimit, Federata evropiane e Shoqatave familjare katolike u takua me Papën Françesku, në një audiencë private, të përqendruar mbi vlerat e familjes dhe mbi sfidat, që duhet të përballojë sot në Evropë. Anëtarët erdhën sot në mesditë në Sallën Klementine në Vatikan, pasi iu kushtuan solemnisht Virgjërës Mari në festën e Pasisë së Zojës, me një kremtim në Kapelën Paoline të Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, në Romë. Njëzet vjet, u tha Papa, janë pak për një bilanc, por sigurisht janë të mjaftueshme për të falenderuar Zotin, që iu ka dhënë gjallërinë dhe entuziazmin në punë e në jetë. E duke iu referuar gjendjes së vështirë të familjeve në botën e sotme, theksoi:

         “Familjet nuk janë objekte muzeumi. Përmes tyre konkretizohet dhurata e Hyjit, në impenjimin e ndërsjelltë për fëmijët e në shërbimin ndaj shoqërisë. Në këtë mënyrë, familjet janë si tharmi, që ndihmon në zhvillimin e një bote më njerëzore, më vëllazërore, ku askush nuk ndjehet i refuzuar, ose i braktisur”.

         Federata, që ka degë në 14 vende të Evropës, është e pranishme dhe aktive në Këshillin e Evropës, në Konferencën e OJQ-ve ndërkombëtare dhe në platformën e BE-së për të drejtat themelore. Nuk ka aleat më të mirë për zhvillimin e gjithanshëm të shoqërisë, nënvizoi Papa Françesku, se sa prania e familjeve në indin e saj, pavarësisht nga ndryshimet ndërmjet bashkëshortëve, apo edhe ndërmjet vetë familjeve:

         “Sot, më shumë se kurrë, është e nevojshme kultura e takimit, në të cilën të vlerësohet bashkimi, duke i ruajtur ndryshimet, të vlerësohet reciprociteti e solidariteti ndërmjet brezave. Ky ‘kapital familjar’ duhet të ndërthuret në marrëdhëniet ekonomike, shoqërore e politike të kontinentit evropian. Stili familjar, që ju doni ta mbroni, nuk është subjekt i ndonjë ideologjie, por bazohet mbi dinjitetin e padhunueshëm të njeriut. E vetëm duke pasur për bazë atë dinjitet, Evropa mund të jetë vërtet familje popujsh”.

         Ati i Shenjtë vuri në dukje katër krizat e Evropës: atë demografike, atë të emigracionit, atë të punës e atë edukative. Këto kriza, nënvizoi, mund të gjejnë horizonte pozitive vetëm në kulturën e takimit, pra, kur protagonistët shoqërorë, ekonomikë e politikë takohen e bashkëpunojnë për të përcaktuar politika në favor të familjes. Pastaj, këshilla për Federatën:

         “Detyra juaj, shpesh, do të jetë të provokoni dialogun konstruktiv me protagonistët e ndryshëm të skenarit shoqëror, pa e fshehur identitetin tuaj të krishterë, madje, ky identitet do t’ju lejojë të shihni gjithnjë përtej dukjes e përtej çastit. …kultura e çastit presupozon edukimin për të nesërmen”.

         Papa Françesku iu kthye koncepteve të Nxitjes Apostolike “Amoris Laetitia”, duke folur për aleancën ndërmjet brezave. Të moshuarit janë kujtesa, u tha shoqatave katolike familjare, ndërsa brezat e rinj janë përgjegjësia, që keni përpara. Ati i Shenjtë përvijoi një sërë detyrash:

         “Shërbimi juaj për shenjtërimin e jetës konkretizohet në aleancën ndërmjet brezave; konkretizohet në shërbimin për të gjithë, sidomos për më nevojtarët, për të gjymtët, për jetimët; konkretizohet në solidaritetin me emigrantët; konkretizohet në artin plot durim të edukimit, që e sheh çdo të ri si subjekt të denjë për gjithë dashurinë familjare; konkretizohet në të drejtën për jetë të të sapolindurit, që akoma nuk ka zë; konkretizohet në kushte jetese të denja për të moshuarit”.

         Së fundi, Papa Françesku u kërkoi anëtarëve të Federatës të gjejnë mënyra e burime të reja që familja të plotësojë tri detyrat e saj: të mbështesë brezat e rinj, t’i shoqërojë në rrugët e jetës, e të jetë pikë referimi për vlerat e jetës, çdo ditë.








All the contents on this site are copyrighted ©.