2017-05-30 13:42:00

L’Osservatore Romano: koptët e Egjiptit, vrarë për shkak të fesë


“Njerëz me fytyrë të mbuluar u dhanë urdhër personave të mohonin fenë. Të gjithë refuzuan e atëherë, u vranë me një plumb kokës”. Ky tregim, që të rrënqeth mishin, publikuar në gazetën “L’Osservatore Romano”, u sjell ndërmend shqiptarëve një epokë të zymtë, kur të shkonte koka, nëse besoje në Zot. Njësoj si komunistët e djeshëm, sillen sot integralistët e Isis-it, shtetit të vetëquajtur islamik.

Gazeta vatikanase publikon deklaratat e të mbijetuarve nga sulmi i së premtes në Egjipt kundër një grupi të krishterësh koptë, që po shkonin me autobuz drejt një manastiri në shkretëtirë, rreth 200 km larg nga Kajro. Atentati shkaktoi 29 të vdekur, ndër të cilët shumë fëmijë. Qeveria egjiptiane konfirmon se 13 të plagosur janë shtruar në gjendje të rëndë në Kajro dhe në Minya.

Të mbijetuarit pohojnë se xhihadistët u dhanë urdhër udhëtarëve të zbresin nga autobuzi, duke u thënë se do t’ua kursenin jetën nëse do të ktheheshin në fenë islame. Por të krishterët, tregon njëri prej të mbijetuarve, “deshën të vdisnin më mirë, duke pohuar se ishin krenarë për fenë e tyre”.

Para se të hapnin zjarr, kujton një vajzë e shtruar në spital, terroristët, që mbanin uniforma ushtarake, i detyruan të gjitha gratë të dorëzonin gjërat që kishin me vete, sidomos sendet e çmuara. Edhe një fëmijë gjashtë vjeç tregoi për ato çaste tragjike, kur e ëma, krejt e re, për ta shpëtuar, e fshehu poshtë karriges dhe e mbuloi me një çantë të madhe.

Funerali i disa viktimave u kremtua në katedralen e Minya-s, vendi ku ndodhi sulmi. Autorët e atentatit, sipas autoriteteve, ishin stërvitur në Libi, ku, gjatë orëve të fundit, forcat ajrore egjiptiane bombarduan kampet e xhihadistëve pranë Dernës, si përgjigje ndaj sulmit kundër njerëzve, që thjesht, po shkonin të luteshin. “Egjipti nuk do të hezitojë së bombarduari kampet e stërvitjes së terroristëve, kudo ndodhen”, deklaroi presidenti Abdel Fattah Al Sisi.

Që prej muajsh, dega egjiptiane e Isisit ka vënë në shënjestër pakicën e krishterë kopte, edhe me atentate kamikaze, siç ndodhi të Dielën e Larit, kur dy persona shpërthyen në dy kisha të ndryshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.