2017-05-26 12:24:00

G7 e Taorminës: në qendër të mbledhjes, terrorizmi, klima dhe tregtia


U hap sot në Taormina të Italisë, mbledhja e 43-të e G7-ës, me krerët e shtatë kombeve më të zhvilluara të botës: SHBA-të, Japonia, Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Kanadaja. Në qendër të punimeve, tregtia, klima, por sidomos lufta kundër terrorizmit. Rusia, që kohët e fundit bashkohej me shtatëshen, mungon që nga viti 2014, kur pjesëmarrja e saj u pezullua për shkak të ndërhyrjes ushatarke në Krime.

Ojq-të dhe shoqatat e ndryshme kërkojnë më tepër vëmendje për të varfërit e botës, për 800 milionët, që nuk kanë mjaft ushqim, për mijëra njerëzit që emigrojnë, për të papunët, për pabarazinë, që hap humnera gjithnjë e më të mëdha ndërmjet atij që ka e atij që s’ka.

Por emergjenca e atentatit në Machester, fatkeqësisht, do ta eklipsojë disi këtë problematikë. Siguria dhe lufta kundër terrorizmit ishin edhe dje, argumenti kryesor i mbledhjes së nivelit të lartë në Bruksel. Nga Italia u propozua hartimi i një deklarate të përbashkët kundër ekstremizmit të dhunshëm, ndarja e shpenzimeve të masave antiterroriste ndërmjet vendeve evropiane, rifillimi i dialogut me Moskën dhe planifikimi i një strategjie afatgjatë bashkëpunimi me Rusinë. Organizata kishtare “Pax Christi” denoncoi kontradiktën ndërmjet luftës kundër terrorizmit dhe biznesit me trafikantët e armëve.

Edhe emergjenca e klimës në tryezën e G7-ës. E vështirë, gjetja e pikave të përbashkëta ndërmjet Bashkimit Evropian dhe presidentit amerikan, Donald Trump, i cili është kundër marrëveshjes së Parisit.








All the contents on this site are copyrighted ©.