2017-05-25 12:51:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: shpjegimi i lutjes “Falemi Mari”


Sot është e enjtja e fundit e muajit të majit e me emisionin e sotëm përfundojmë ciklin tonë të shkurtër, kushtuar lutjes “Falemi Mari”. Ju kujtojmë të gjithëve se të dielën, besimtarët shqiptarë nga e gjithë Italia do të mblidhen në Gjenacan, në shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë, për të kremtuar Pajtoren e tyre, në 550-vjetorin e kalimit të fugures së Zojës nga shenjtërorja e Shkodrës në atë të këtij vendi të vogël, pranë Romës. Do të jenë të pranishëm ipeshkvijtë e Shqipërisë dhe kardinali Ernest Simoni-Troshani.

Por t’i kthehemi lutjes “Falemi Mari”. Në pjesën e fundit të saj i drejtohemi pikërisht Zojës, që të ndërhyjë për ne pranë Atit Qiellor, deri në fund të jetës. Por le t’i shohim fjalët e kësaj pjese:

Lutu për ne mëkatarët

         Me këtë frazë i kërkojmë Nënës së Zotit të ndërhyjë për ne pranë Trinisë Shenjte. Të ndërhysh do të thotë të flasësh në favor të dikujt për të nxjerrë një hir. Shën Maria mund të ndërhyjë, sepse është si nga ana e Zotit, ashtu edhe nga ana e jonë. Maria zotëron një lloj “gjithëpushteti” jo të drejtpërdrejtë. Vetëm Zoti është i gjithpushtetshëm, por Maria mund të nxjerrë prej Hyjit çdo të mirë për ata bij nevojtarë, që vetë Zoti ia ka besuar (shih Gjn 19,26). Marisë i drejtohemi, të vetëdijshëm se jemi mëkatarë, të sëmurë nga mëkati. Por Krishti erdhi pikërisht për këta të sëmurë, siç na e kujtojnë Ungjijtë (shih Lk 5,31; Mk 2,17; Mt 9,12). Nuk e fshehim mjerimin tonë, por ia paraqesim Birit të Zotit të tejetlartë dhe Nënës së Tij.

Tash

         Kush prej nesh mund të thotë se pikërisht “tash”, në këtë çast, nuk ka nevojë për asgjë nga Zoti? Përkundrazi, shpesh, gjërat për të cilat kemi nevojë nuk janë aspak të vogla! Fjala “tash” apo “tani” e lutjes “Falemi Mari” është jehonë e fjalës “sot” në pjesën kur flitet për “bukën e përditshme” në lutjen e Atynës, që na ka mësuar Krishti. Njeriu ka nevojë për Zotin në çdo çast të jetës së vet. Të besosh të kundërtën do të thotë ta gënjesh plotësisht veten.

         Por, fjala “tash” e lutjes është edhe leksion e paralajmërim për njeriun, tepër shpesh i humbur në keqardhjen për të shkuarën, që nuk mund të ndryshohet e në iluzionet për një të ardhme, e cila është e pasigurtë e akoma duhet realizuar. Kështu fjalët “tani, “sot”, “e përditshme”, përjashtohen nga jeta e njeriut. Lutja “Falemi Mari” na mëson t’i japim së tashmes përmasën e duhur dhe rëndësinë që i takon; të jetojmë, sipas shembullit të besimit të Marisë, të sotmen tonë, me intensitet e fryt, duke e ushqyer me kujtesën e së kaluarës dhe me pritjen e së ardhmes.

E në fill të vdekjes sonë

         Ndër gjërat që na presin në të ardhmen, pa pikën e dyshimit, është edhe vdekja. Të gjithë e kanë frikë, duan ta largojnë, shpesh e injorojnë, por ajo është pashmangshmërisht e pranishme. Duke na vënë ballë për ballë me frikën tonë, lutja drejtuar Zojës na e sjell me forcë ndërmend këtë realitet. Kur themi Rruzaren, e shqiptojmë 50 herë fjalën “vdekje”. Nuk themi “kalim” në botën e përtejme, ose në një jetë më të mirë, ose “shkuarje” në shtëpinë e Atit Qiellor. Është vetëm fjala “vdekje” me ndershmërinë e saj lakuriqe. Feja na thotë se Krishti, duke vdekur, e mundi vdekjen, por natyra jonë njerëzore na bën që, me çdo qelizë tonën, ta refuzojmë këtë realitet. Në lutje, Shën Maria na tregon se mund të bëjmë vetëm një gjë: t’ia ngulim sytë Krishtit. Krishtit të gozhduar në kryq, të përqeshur e të përbuzur, që po vdiste; trupit të Tij të vdekur, të mbyllur në varr pas një guri të stërmadh; Krishtit vërtet të gjallë në amshim, shndërruar në lavdinë e Ngjalljes. Me Jezusin si shembull dhe me mbështetjen e Zojës së Bekuar, shpresa e sotme na mban në të tashmen e na predispozon për ta pritur me qetësi të ardhmen, deri në orën e fundit, deri në fill të vdekjes sonë.

         Le të lutemi si e Lumja Elizabeta e Trinisë Shenjte, e re, mistike franceze e viteve të para të ‘900-ës: “Vdekja s’është tjetër, veçse gjumi i një fëmije, që fle në kraharorin e nënës. Më në fund, nata e mërgimit do të mbarojë përgjithmonë dhe do të kemi në dorë trashëgiminë e shenjtorëve në dritë”. Ta shohim Marinë, Zojën tonë të lutjes, Zojën e Rruzares, sikur të ishte kjo nënë, e cila na mban në kraharor njëlloj si nëna për të cilën flet shën Elizabeta e Trinisë Shenjte.








All the contents on this site are copyrighted ©.