2017-05-24 16:04:00

Trump në Vatikan: disa kuriozitete


Trump për takimin me Papën

“Me Papën pata një takim fantastik. Ai është personalitet i madh”: kështu u shpreh presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, në bisedë me kryeministrin italian, Paolo Gentiloni, në Vilën Taverna.

Trump: pas takimit me Papën, më i vendosur se kurrë për paqen

“Takimi me Papën ishte nderi më i madh i jetës sime. U largova nga Vatikani më i vendosur se kurrë për të vijuar mbrojtjen e paqes në botë”. Kështu shkruan presidenti amerikan Donald Trump në Twitter 

Çka i jep me hangër burrit?

Papa shkëmbeu batuta me zonjën Melania Trump për gjellët që i pëlqejnë, asaj e të shoqit. Sepse edhe presidentët hanë, natyrisht! E pyeti, prandaj, në gjuhën spanjolle çka i jep burrit të hajë. E ajo, duke vënë buzën në gaz e duke  e bërë edhe Papën të bëjë të njëjtën gjë, u përgjigj: “Pica”. Po fjala picë i kujtoi Françeskut një emër tjetër të artit kulinar….

A keni ngrënë ndonjëherë potica?

Papa, duke biseduar me Zonjën e parë amerikane, Melaninë, me origjinë sllovene, e pyeti a kishte ngrënë ndonjëherë potica. Zonja, duke dëgjuar emrin e ëmbëlsirës, që gatuhet në atdheun e saj, u çudit e gjegji: “Poticë? Posi s’kam ngrënë”. Kështu e shqiptoi fjalën, ndërsa në tekstin që shoqëronte fotot, u shkrua “pica”. Por Papa nuk e kishte fjalën për picën, por për poticën. Potica është një lloj ëmbëlsire, që i pëlqen shumë Atit të Shenjtë, i cili ka pasur rastin ta shijojë në shtëpinë së mbesës, Maria Ines Narvajo, e  martuar me një argjentinas me origjinë sllovene. Po ju, që i lexoni këto rreshta, a keni ngrënë ndonjëherë poticë?

Melania: foto e vizatime me fëmijët e spitalit “Bambin Gesù”

Vizitë shumë familjare, ajo e Zonjës së parë amerikane, Melania, sot paradite, në orën 11.00, ndërmjet pacientëve të vegjël të spitalit të Krishtit Fëmijë. Zoja bëri disa vizatime me fëmijët, i lejoi ta fotografonin me celularët e tyre të vegjël, u fotografua me ta dhe u shpërndau shumë dhurata, që i kishte sjellë me vete. Pastaj vizita në repartet e terapisë intensive dhe të kardiokirurgjisë. Fëmijët i dhuruan një tufë të madhe me lule, e Melania i vuri sakaq tek këmbët shtatores së Zojës së Mrekullive, duke u ndaluar disa minuta në lutje. Në vijim bëri një fotografi me gjithë grupin e fëmijëve e në librin e Sallës së lojrave të spitalit la shënimin: “Great visiting you! Stay strong and positiv. Much love. Melania”. Në fund la aty edhe firmën, një zemër e një lule.

E së fundi, vizitoi edhe Kapelën e spitalit, ku u gjunjëzua në lutje për disa çaste.

Zonja Melania flet gjashtë gjuhë

Pas vizitës në Vatikan dhe në Spitalin pediatrik të Krishtit Fëmijë, zonja e parë amerikane u takua me kryeministrin italian Gentiloni. Melania iu drejtua Kryeministrit në gjuhën italiane, me pyetjen: “Ciao, come stai?”: “Tungjatëjeta, si jeni!”. Folën disa çaste për Spitalin e sapovizituar e, më pas, zonja amerikane la takim në Taormina, me zonjën Gentiloni. Donald Trump i sqaroi të pranishmit se zonja e tij flet gjashtë gjuhë.

Trump tek Papa: foto familjare para Gjyqit të Mbramë

Familja Trump nuk mundi t’i shpëtojë tundimit për të bërë një foto para Gjyqit të Mbramë të Mikelanxhelos, në Kapelën Sikstine. Pas takimit me Papën, presidenti amerikan me të shoqen, të bijën e dhëndrin, shkuan, sipas programit, të vizitojnë Kapelën Sikstine. E kush shkel në Vatikan, e nuk dëshiron ta vizitojë këtë mrekulli të papërsëritshme? E vizituan edhe Trumpët dhe u mahnitën aq para afreskeve të 1400-tës, sa s’mundën të largoheshin “pa e marrë me vete” këtë mrekulli. Në fotografi, natyrisht! Kështu familja Trump u radhit në shkallët para altarit e, duke dalë, mori me vete edhe  “Gjyqin  e Mbramë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.