2017-05-23 13:35:00

Papa: të kalojmë nga një stil i vakët jete në kumtimin e gëzueshëm të Jezusit


Shumë të shuguruar janë persekutuar, sepse kanë denoncuar qëndrimet e kësaj bote: shpirti i keq parapëlqen një Kishë pa rreziqe e të vakët. Kështu tha Papa Françesku në homelinë e meshës së mëngjesit, kremtuar, si zakonisht, në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Dy vjet pas lumnimit, Ati i Shenjtë kujtoi imzot Oscar Romeron, kryeipeshkvin e San Salvadorit, vrarë nga skuadrat e vdekjes të lidhura me regjimin ushtarak, sepse pati denoncuar dhunën kundër të varfërve.

Shumë të persekutuar, sepse thonë të vërtetën

         Papa Françesku komentoi kapitullin e 16-të nga Veprat e Apostujve. Flitet për Palin e Silën në Filipe. Këtu, një skllave, që bënte magji, fillon t’i ndjekë e të bërtasë, duke u thënë të gjithëve se këta ishin “shërbëtorë të Zotit”. Ishte lavdërim, por shën Pali, duke e ditur se kjo grua zotërohej nga një shpirt i keq, ia largoi atë. E kuptoi, komentoi Papa Françesku, se nuk ishte ajo mënyra për ta kthyer qytetin në rrugën e  Zotit. Vërtet që të gjithë e pranonin doktrinën, por ishin kthime të rreme, jo të lira. Kjo gjendje përsëritet në histori, shpjegoi Françesku. Populli i Zotit ndiqte udhën e vet, i qetë, udhën e kësaj bote. Hyji dërgonte profetët, që ta shkundin nga apatia e ata shiheshin me sy të keq, sepse ua prishnin njerëzve rehatinë:

         “Unë kujtoj në atdheun tim, shumë burra e gra të shuguruar, të mirë e aspak ideologjikë, që thoshin: ‘Jo, Kisha e Krishtit nuk është kështu…’ – ‘Ky është komunist, jashtë!’, e i përzinin, i persekutonin. Të mendojmë për të Lumin Romero. Çfarë i ndodhi atij, vetëm se thoshte të vërtetën? E shumë e shumë të tjerë në historinë e Kishës, edhe këtu në Evropë. Pse? Sepse shpirti i keq parapëlqen një Kishë të qetë e pa rreziqe, një Kishë afariste, një Kishë të rehatit, në apati, të vakët”.

Shpirti i keq hyn gjithnjë nga xhepat

         Në kapitullin e 16-të të Veprave të Apostujve tregohet më tej se pronarët e skllaves u zemëruan. Nuk mund të fitonin më para, sepse skllavja nuk mund të bënte më magji. E Papa vërejti se shpirti i keq hyn gjithnjë nga xhepat. Kur Kisha nuk bëzan, ngriti zërin, shikoni ku e ka hallin e çfarë biznesi ka në dorë. Por, përveç parave, Ati i Shenjtë vuri në dukje edhe një fjalë tjetër: gëzimin. Pali e Sila çohen para gjyqit nga pronarët e skllaves dhe përfundojnë në burg, në pjesën më të brendshme të ndërtesës. Pali e Sila i këndojnë himne Zotit. Në mesnatë bie tërmet dhe hapen dyert e burgut, por Pali e Sila nuk ikin, duke e shpëtuar rojen, që deshi të vriste veten nga frika se mos nuk i gjente në burg e kështu, do ta pësonte edhe ai vetë. Por Shën Pali nuk e lë. Roja e pyet, dëgjon shpjegimet e Apostullit dhe kthehet në krishterim. Ua lan plagët, pagëzohet e, siç thuhet në Leximin e parë, “u mbush me gëzim”, nënvizoi Papa:

         “Kjo është udha e kthimit tonë të përditshëm: të kalojmë nga një jetë e kësaj bote, e qetë, pa rreziqe, - po,po, katolike, por tepër e vakët – në një jetë me të cilën kumtojmë vërtet Jezu Krishtin, në gëzimin e kumtimit të Krishtit. Të kalojmë nga një fe, që shikon pak si tepër fitimin, në fenë e në kumtin: ‘Jezusi është Zot’”.

Kisha nuk duhet të ketë frikë të shpallë Krishtin

         Kjo është mrekullia, që bën Shpirti Shenjt, theksoi Papa Françesku. Kapitulli i 16-të i Veprave të Apostujve na bën të kuptojmë si ecën Zoti me Kishën e vet, përmes martirëve:

         “Kisha pa martirë nuk ngjall besim; Kisha, që nuk rrezikon ngjall mosbesim; Kisha, që ka frikë ta kumtojë Jezu Krishtin e të dëbojë demonët, idhujt, zotin tjetër, që është paraja, nuk është Kishë e Jezusit. Gjatë lutjes falenderuam Zotin për rininë e përtërirë, që na jep me Jezusin dhe kërkuam hirin që Ai i Lumi të na e ruajë këtë rini. Kisha e Filipesë u risua dhe u bë Kishë e re. Të lutemi që të gjithë të kemi një rini të përtërirë, të kalojmë nga mënyra e vakët e jetesës në kumtimin e gëzuar se Jezusi është Zoti ynë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.