2017-05-22 11:25:00

Trump në Arabinë Saudite, kundër terrorizmit. Të mërkurën, në Vatikan


SHBA-të dhe Arabia Saudite njoftuan dje krijimin e një strukture rajonale për të luftuar kundër financimit të terrorizmit. Ky është rezultati i vizitës së presidentit amerikan Trump, i cili takoi në Riad, përfaqësues nga rreth 50 vende myslimane.

Marrëveshja u lidh ndërmjet gjashtë vendeve të Gjirit Persik, që zotohen të shkëmbejnë informacione për financimin e grupeve si Shteti Islamik dhe Al Kaeda. Siç shpjegoi vetë presidenti amerikan, në një fjalim me tone mjaft të larta, ajo konsiderohet historike dhe synon zhdukjen e terrorizmit islamik. Gjashtë vendeve, anëtarë të Qendrës së sapothemeluar, SHBA-të u propozojnë një aleancë vlerash të përbashkëta.

Pa precedent, sulmi i mbretit saudit Salman kundër Iranit, i cili u quajt kreu i terrorizmit botëror. Gati, përgjigjja e Teheranit. Ministri i jashtëm, Zarif, i akuzoi SHBA-të se duan të vjelin para nga Arabia Saudite. Pas Riadit, presidenti Trump ishte sot në Izrael – i pari president amerikan, që viziton Qytetin e Vjetër - e pastaj, do të vijë në Vatikan. Nëse të tria fetë bashkohen, nënvizoi Trump - duke iu referuar hebraizmit, krishterimit dhe islamizmit – paqja është e mundur në të gjithë botën, edhe ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.

Donald Trump do të takohet të mërkurën me Atin e Shenjtë Bergoglio, ndërsa e shoqja, Melania Trump do të shkojë për vizitë në Spitalin pediatrik “Bambin Gesù” të Romës. Kujtojmë se në shkurt 2016, Papa Françesku, duke iu referuar presidentit amerikan, pati thënë se “njeriu, që mendon vetëm të ngrejë mure, nuk është i krishterë”. Megjithatë, gjatë kthimit nga Fatima, vetë Papa Bergoglio nënvizoi “Unë nuk e gjykoj tjetrin, pa e dëgjuar”. Gjithsesi, qëndrimet e Atit të Shenjtë dhe të presidentit Trump duken radikalisht të kundërta, sidomos përsa i përket temës së emigracionit dhe ambientit. Vatikani shpreson që SHBA-të të favorizojnë paqen në Lindjen e Mesme dhe të rrisin ndihmat për vendet e varfëra. Trump është i paparashikueshëm, por do të gjejë një bashkëbisedues me mendje të hapur e gati ta dëgjojë. Vështirë të bëhen parashikime për rezultatet e takimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.