2017-05-22 10:34:00

Papa hap sot asamblenë e përgjithshme të ipeshkvijve italianë


Papa Françesku hap sot pasdite, në Sallën e Sinodit në Vatikan, asamblenë e 70-të të përgjithshme të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, që do të përcaktojë treshen e kandidatëve për të zëvendësuar kryetarin aktual, kardinalin Angelo Bagnasco, i cili është në përfundim të detyrës. Pas përshëndetjes së vetë prelatit, në orën 16.30, Papa do të mbajë fjalën hyrëse, duke i lënë, pastaj, vend dialogut ndërmjet ipeshkvijve.

Nesër, asambleja do të zgjedhë tre kandidatët, emrat e të cilëve do t’i dorëzohen Papës Françesku. Më pas, do të vijojë diskutimi mbi temën e Asamblesë: “Të rinj, për një takim feje”. Ndër argumentet, përgatitja e Javës së ardhshme Shoqërore, që do të zhvillohet në Cagliari të Sardenjës, nga 26 deri më 29 tetor 2017; normat për regjimin administrativ të gjykatave kishtare në Itali dhe një sërë çështjesh me karakter juridiko-administrativ.

Të mërkurën, në orën 8.30, ipeshkvijtë italianë do të kremtojnë Eukaristinë në Bazilikën e Shën Pjetrit ne Vatikan. Të enjten, më 25 maj, në orën 13.30, do të mbahet konferenca e shtypit për rezultatet e asamblesë, në hollin e Sallës Pali VI, në Vatikan.I ftuar në punimet e asamblesë së ipeshkvijve italianë është edhe kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit, imzot Gjergj Frendo.








All the contents on this site are copyrighted ©.