Të krishterët duhet të dinë ta duan njëri-tjetrin, sipas shembullit të Zotit. Kjo, thirrja e Papës drejtuar besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për lutjen e Mbretëreshës Qiellore. Françesku më pas kujtoi konfliktin gjakatar, që vijon në Republikën Qendrafrikane, duke kërkuar të ndalohet ndeshja e armatosur. Njoftoi edhe se, më 28 qershor, do të emërojë pesë kardinaj të rinj, ardhur nga të katër anët e botës.
Nuk është kurrë as e lehtë, as e sigurt, edhe në bashkësinë e krishterë, të duash sipas shembullit të Zotit e me hirin e Tij. Pa harruar se pikërisht kjo dashuri është urdhërimi kryesor i Ungjillit. Papa Françesku, në të Dielën VI të Pashkëve, kujtoi Darkën e Mbrame të Jezusit me dishepujt e Tij. E u ndalua në çastin më dramatik të kësaj Darke, kur Zoti u premtoi atyre se pas Tij nuk do të mbeteshin jetimë, sepse do të merrnin një “Paraklit tjetër”, “Shpirtin e së Vërtetës”. Fjalë, këto, që përçojnë gëzimin e ardhjes së re të Krishtit, përmes Shpirtit Shenjt:
“Duke medituar këto fjalë të Jezusit, përceptojmë sot, me ndjesinë e fesë, se jemi popull i Zotit, në bashkim me Atin e me Krishtin, përmes Shpirtit Shenjt. Në këtë mister bashkimi, Kisha gjen burimin e pashterrshëm të misionit të saj, që realizohet përmes dashurisë”.
Dashuria na bën ta njohim Jezusin, e dashuria për Zotin e të afërmin, është urdhërimi më i madh i Ungjillit - theksoi Françesku - e Zoti na thërret të përkojmë bujarisht me thirrjen ungjillore të dashurisë, duke e vënë Atë në qendër të jetës sonë e duke iu kushtuar shërbimit të vëllezërve, posaçërisht atyre, që kanë më shumë nevojë për ndihmë e ngushëllim:
“Nuk është kurrë as gjë e lehtë, as e sigurt, edhe në bashkësinë e krishterë, të duash sipas shembullit të Zotit e me hirin e Tij. Nganjëherë grindjet, krenitë, zilitë, smira, përçarjet e vrugojnë edhe fytyrën e bukur të Kishës. Bashkësia e krishterë do të duhej të rronte në dashurinë e Krishtit, por ndodh që pikërisht djalli zgjat kthetrën e ne shpesh e lëmë të na gënjejë”.
Këtë theksoi Papa, për të vërejtur, më pas:
“Sa e sa njerëz janë larguar, për shembull, nga ndonjë famulli a bashkësi për shkak të mjedisit gjuhëgjatë, të zilisë, të smirës që gjetën në atë mjedis”.
As për të krishterin - vijoi Papa – nuk mund të thuhet me siguri se di të dojë gjithmonë:
“Dëgjojeni këtë, eh? Çdo ditë duhet ta mësojmë artin e të dashurit, çdo ditë duhet ta ndjekim me durim shkollën e Krishtit, çdo ditë duhet të falim e ta shikojmë Jezusin, e duhet ta bëjmë me ndihmën e këtij avokati, të këtij ngushëlluesi, të dërguar nga Jezusi, që është Shpirti Shenjt”.
Menjëherë pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Françesku bëri thirrje të ngutshme për Republikën Qendrafrikane, komb i dashur për Papën, të cilin e vizitoi në vitin 2015. Vendi është thellësisht i tronditur nga ndeshjet e armatosura - kujtoi Papa - që kanë shkaktuar viktima e të shpërngulur të shumtë e që minojnë procesin e paqes:
“Jam pranë popullsisë, ipeshkvijve dhe gjithë atyre, që përpiqen për të mirën e njerëzve e për bashkëjetesën paqësore. Lutem për të vdekurit e të plagosurit e përsëris thirrjen: të heshtin armët e të mbizotërojë vullneti i mirë për të dialoguar e për t’i dhënë vendit paqe e zhvillim".
Françesku, pastaj, i ftoi besimtarët të bashkohen shpirtërisht, për kremtimin e festës së Zojës Ndihmtare, që nderohet në shenjtëroren e Sheshanit, në Shangai:
“Katolikëve kinezë u them: t’i lartojmë sytë kah Maria, Nëna jonë, që të na mësojë ta dallojmë vullnetin e Zotit për udhën konkrete të Kishës në Kinë e të na ndihmojë ta pranojmë bujarisht projektin e dashurisë së Tij. Maria na inkurajoftë të japim kontributin tonë personal për bashkimin e besimtarëve e për harmoninë e mbarë shoqërisë. Të mos harrojmë se feja duhet dëshmuar me lutje e dashuri, me zemër të hapur për takim e dialog, gjithmonë”.
Në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Françesku njoftoi se më 28 qershor do të mbledhë koncistorin për emërimin e 5 kardinajve të rinj:
“Prejardhja e tyre nga vise të ndryshme të botës shpreh katolicitetin e Kishës, të përhapur në mbarë tokën, e dorëzimi i një titulli a i një diakonie në Romë, tregon se kardinajtë i përkasin dioqezës së Romës që, sipas shprehjes së Shën Injacit: “kryeson dashurinë e të gjitha Kishave”.
Kardinajtë e rinj, që vijnë nga Mali, Spanja, Suedia, Laosi e San Salvadori, do të bashkëkremtojnë Meshën shenjte me Papën, më 29 qershor, Solemniteti i Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal.
Kardinajtë janë:
Imzot Jean Zerbo, kryeipeshkëv i Bamako, në Mali.
Imzot Juan José Omella, kryeipeshkëv i Barcelonës, Spanjë.
Imzot Anders Arborelius, ipeshkëv i Stokholmit, Suedi.
Imzot Luis Marie-Ling Mangkhanekhoun, ipeshkëv titullar i dioqezës Aquaenovensis in Proconsulari, mëkëmbës apostolik i Paksé, në Laos.
Imzot Gregorio Rosa Chávez, ipeshkëv titullar i Mullì, ndihmës i kryedioqezës së San Salvador, në El Salvador.
All the contents on this site are copyrighted ©. |