2017-05-21 15:00:00

Festa e Popujve: emigrantët në Romë


Ndërsa Papa Françesku kremtonte meshën në kishën e shën Pier Damianit, në sheshin para Bazilikës papnore të Shën Gjonit në Lateran mbahej Festa e Popujve, në edicionin e saj të 26-të. Organizatorët kryesorë: dioqeza e kryeqytetit italian, por edhe misioni skalabrinian e realitete të tjera kishtare e civile. Këtë vit, festa e emigrantëve, ku merr pjesë edhe kisha e shqiptarëve në Romë, ajo e Shën Gjonit të Malvës, frymëzohej nga fraza e Atit të Shenjtë “Të ndërtojmë ura, jo mure”.

         Gjithçka filloi në orën 10.00, në Seminarin e Madh Papnor, pranë Bazilikës, ku u mbajt forumi me temë “Bashkësitë e emigrantëve, Kisha dhe qyteti i Romës: gratë në dialog për integrimin ndërmjet popujve”. Në këtë kuvend, krejtësisht femëror, u paraqitën rezultatet e një studimi, kryer nga katër gra, përfaqësuese të katër zonave të mëdha nga e kanë prejardhjen emigrantët. Studimi i përgjigjet tri pyetjeve: “Ç’mund të bëjë bashkësia ime për të përmirësuar dialogun? Çfarë i kërkojmë qytetit të Romës për të përmirësuar dialogun? Çfarë i kërkojmë Kishës së Romës për të përmirësuar dialogun?” Dokumenti përfundimtar i këtij studimi do të titullohet “3 Ç-të e dialogut ndërmjet popujve”.

         Në orën 12.30, mesha në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, kryesuar nga ipeshkvi ndihmës i dioqezës së Romës, imzot Paolo Lojudice, kryetar i Komisionit rajonal për emigracionin në Lacio. Dita vijoi me banketin e popujve, ku njerëzit mundën të shijonin specialitete e prodhime tipike të 14 bashkësive pjesëmarrëse. Pasdite, rreth orës 15.00, nisi shfaqja folkloristike shumëetnike, gjatë së cilës kënduan e kërcyen rreth 20 grupe, nga vende të ndryshme të botës.








All the contents on this site are copyrighted ©.