2017-05-20 00:00:00

Shenjtorët e javës 21 - 28 maj


E diel 21 maj, Kisha katolike kremton të Dielën VI të Pashkëve e, gjithnjë më 21 maj, kalendari përkujtob edhe shën Kristoforin Magalanes, meshtar e shokët e tij martirë në Meksikë dhe, Shën Eugjenin Mazenod, ipeshkëv i Marsejës, themelues i Oblatëve të Zojës së Papërlyer. 

Të hënën më 22 maj, kalendari kishtar përkujton shën Ritën nga Kasha, rregulltare agostiniane dhe Shën Julianën, virgjër e martire. Liturgjia e ditës na kujton se i krishteri është i thirrur të jetë dëshmitar i dashurisë së Krishtit. Për t’i qëndruar besnik kësaj thirrjeje, duhet të kërkojë dritë e forcë nga Shpirti Shenjt, që është dashuria e Birit dhe e Atit.

Të martën më 23 maj, kalendari përkujton shën Gjon Batistin de Rosi, meshtar romak. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është gjithmonë me ne: na e ka premtuar ai vetë. Edhe pse nuk e shohim, Shpirti i Tij Shenjt e gjallëron fenë tonë, na forcon, na ndriçon e na ngushëllon. 

Të mërkurën më 24 maj, kalendari kishtar përkujton e kremton Zojën Ndihmëtare. Liturgjia e ditës na kujton se Shpirti Shenjt, Shpirt i vërtetësisë dhe i dashurisë, i prin Kishës në rrugën drejt Krishtit e Atit të tij qiellor. 

Të enjten më 25 maj, Kisha katolike do të kremtojë një nga solemnitetet e mëdha të Krishtit: të Shëlbuemit, që rrezaton mbi gjithë universin dritën e Zotit të ngjitur në qiell e na kujton se shëlbimi u përket të gjithë popujve. 

Të premten më 26 maj, kalendari përkujton shën Filip Nerin, themelues i Kongregatës së Priftërinjve të Oratorit; shën Eleuterin papë e shën Simetrin, martir. Liturgjia e ditës na kujton këngën e Psalmistit: “Vetëm në Zotin pushon shpirti im”. E Jezusi na siguron: “Lum ata që vuajnë, sepse do të ngushëllohen”. 

Të shtunën më 27 maj, kalendari kishtar përkujton shën Augustinin, kryeipeshkëv i Kanterbërit. Duke na kujtuar se Ati na do e na krijon mundësinë të nxjerrim prej tij hiret që i kërkojmë në emër të Krishtit, liturgjia e ditës na fton të bashkojmë zërin në himnin e lavdit që ia këndojnë Zotit mbarë popujt e tokës.

Të dielën e ardhshme më 28 maj, Kisha katolike do të Dielën e 7-të të Pashkëve. Për ato Kisha që nuk kanë pasur mundësi ta kremtonin solemnitetin e të Shëlbuemit, të enjten më 25 maj, kjo festë kremtohet po këtë të diele.

Po më 28 maj, kalendari kishtar përkujton shën Gjermanin. Gjithnjë më 28 maj bie Dita e 51 Botërore e Komunikimeve Shoqërore.








All the contents on this site are copyrighted ©.