2017-05-16 13:26:00

Papa Françesku: paqja e Jezusit është e vërtetë, jo ajo e botës


Paqen e vërtetë nuk mund ta prodhojmë, është dhuratë e Shpirtit Shenjt. Kështu tha sot Papa Françesku, gjatë homelisë së meshës kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë nënvizoi se “paqja pa Kryqin, nuk është paqja e Jezusit” dhe kujtoi se Zoti mund të na japë paqen edhe në mesin e mundimeve.

Zoti na e dhuron paqen edhe në mundime

“Po ju lë paqen, po ju jap paqen time”. Këto janë fjalët e Krishtit në Darkën e Mbrame, mbi të cilat e mbështeti homelinë Papa. Por paqja e Jezusit është e ndryshme nga ajo e botës, nënvizoi. Paqja e botës nuk i parashikon mundimet, por është artificiale, reduktohet në “qetësi”, në sigurinë se nuk na mungon asgjë; është paqe, që nuk na lë të shohim përtej hundës sonë, ashtu si pasaniku për të cilin flet Shkrimi Shenjt, theksoi Françesku:

“Bota na mëson rrugën e paqes me anestezi: na deh për të mos e parë realitetin tjetër të jetës: Kryqin. Prandaj, shën Pali [në Leximin e parë] thotë se duhet hyrë në Mbretërinë e Qiellit përmes rrugës së mundimeve. Por, a mund të kemi paqe në mundime? Nëse do të varej prej nesh, jo: ne nuk jemi në gjendje të arrijmë paqen e qetësisë së shpirtit, paqen psikologjike, sepse ekzistojnë mundimet: kush një dhimbje, kush një sëmundje, kush një vdekje… ekzistojnë. Ndërsa paqja e Jezusit është dhuratë: është dhuratë e Shpirtit Shenjt. E kjo paqe dhurohet edhe në mesin e mundimeve. Nuk është ndonjë lloj stoicizmi, si ai i fakirit: jo. Është tjetër gjë”.

Paqja e Zotit nuk mund të blihet

Paqja e Zotit, vijoi Papa Françesku, është dhuratë, që na bën të ecim përpara. Krishti, pasi u dha paqen dishepujve të vet, vuan në Kopshtin e Ullinjve e aty ofron vetveten për të plotësuar vullnetin e Atit Qiellor. Vuan vërtet, theksoi Ati i Shenjtë, por nuk i mungon ngushëllimi i Zotit. Ungjilli tregon se në qiell u duk një engjëll për ta ngushëlluar:

“Paqja e Zotit është e vërtetë, hyn në realitetin e jetës, nuk e mohon jetën: jeta është kështu. Ekziston vuajtja, ka të sëmurë, ka shumë gjëra të këqia, ka luftra… por paqja e brendshme, që është dhuratë, nuk humbet. Ne ecim përpara, duke mbartur kryqin dhe vuajtjen. Paqja pa Kryqin nuk është paqe e Krishtit: është paqe, që mund të blihet. Mund ta bëjmë ne, por nuk zgjat: përfundon”.

Të lutemi për hirin e paqes së shpirtit

 Kur zemërohemi, vërejti Papa, e humbasim paqen. Kur zemra shqetësohet e na kap ankthi, do të thotë se ajo nuk është e hapur për paqen e Krishtit, sepse nuk jemi në gjendje ta jetojmë jetën, ashtu si vjen, me të gjitha kryqet e dhimbjet. Duhet t’i lutemi Zotit që të na japë hirin e paqes së Tij, përfundoi Ati i Shenjtë:

“‘Duhet të hyjmë në Mbretërinë e Zotit përmes shumë mundimeve’. Hiri i paqes, që të mos e humbim paqen e brendshme… Duke folur për këtë, një shenjt thoshte: ‘Jeta e të krishterit është rrugë ndërmjet persekutimeve të botës e ngushëllimeve të Zotit” (Shën Augustini, De Civitate Dei XVIII, 51,ndr). Zoti na dhashtë ta kuptojmë mirë si është paqja, që Ai na dhuron përmes Shpirtit Shenjt”.








All the contents on this site are copyrighted ©.