2017-05-15 10:56:00

I Lum, jezuiti irlandez, atë Sullivan: shembull jete virtuoze


U shpall i Lum të shtunën, më 13 maj, në kishën e Shën Françesk Saverit në Dublin, jezuiti irlandez, atë John Sullivan, i cili ka jetuar në periudhën 1861-1933. Ritin e kryesoi i dërguari i Papës Françesku, kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. I kthyer në krishterim nga anglikanizmi, atë Sullivan ishte shembull jete virtuoze, siç shpjegon vetë kardinali Amato, në mikrofonin tonë:

 Atë John Sullivan ishte shumë rigoroz në respektimin e kushtit të varfërisë. Dëshmitarët e procesit përsërisnin shpesh se atë Sullivan ishte “i varfër ndër të varfër”, personifikim i frymës së varfërisë. Megjithëse pjestar i një familjeje të pasur, sapo u bë rregulltar, i la mënjanë të gjitha rehatitë dhe kënaqej me më të nevojshmen. Një dëshmitar përshkruan mobiljet françeskane të dhomës së tij: një karrige druri, një shtambë e thyer, gjunjësorja, disa libra, një enë me ujë të bekuar, kryqi nga i cili nuk ndahej kurrë, një tryezë të vogël dhe shtrati me pak batanije, edhe kur koha ishte shumë e ftohtë. Atë Sullivan imitonte kështu themeluesit e Urdhërit. Në Ushtrimet Shpirtërore, Shën Injaci i Lojolës shkruante: “Për ta imituar e për t’i përngjarë më shumë Krishtit, Zotit tonë, dëshiroj e zgjedh varfërinë së bashku me Krishtin e varfër, më mirë se sa pasurinë; fyerjet së bashku me Krishtin, që është plot me to, më mirë se sa nderet; e preferoj të vlerësohem si i marrë dhe i çmendur për Krishtin, që i pari u mbajt si i tillë, më mirë se sa i urtë dhe i mençur në këtë botë”.

Në karakterin e tij, spikat bindja…

Varfërisë rigoroze i shtonte bindjen e përsosur. Tregonte respekt të madh për eprorët dhe zbatonte vetvetiu e me besnikëri edhe urdhërin më të vogël. Përsëriste shpesh: “Pyes ç’do të kishte thënë a bërë tani, ati provincial”. Bindja e tij ishte e menjëhershme, absolute dhe e pakushtëzuar, edhe kur vendimi përfundimtar ndryshonte nga i tiji. Ishte rregulltar model. Një dëshmitar pohon: “Kishte dashuri të madhe për Shoqërinë e Jezusit dhe për Rregullën e saj: ne novicëve, gjatë Ushtrimeve Shpirtërore, na vinte në dukje rëndësinë e respektimit të plotë të Rregullës”.

Cilat janë aspektet e tjera, që dëshmojnë për shenjtërinë e tij?

Fryma e varfërisë dhe bindja e bënë të përvuajtur. Kur hyri në rishtari, atë Sullivan ishte burrë i pjekur, me një karrierë të shkëlqyer prej avokati dhe studiuesi. Shokët e tij të noviciatit, shumica të rinj të moshës 17-20 vjeç, mahniteshin nga mungesa e plotë e çdo lloj ndjenje epërsie ndaj tyre, si edhe nga thjeshtësia me të cilën pranonte edhe punët më të përvuajtura të shtëpisë. S’bënte asgjë për ta vënë veten në dukje, madje shpesh thoshte se ishte i paaftë për detyrat, që i ngarkonin. I pranonte kritikat dhe vrazhdësinë e të tjerëve. Ishte i vetëdijshëm se nuk kishte aftësi të mëdha oratorike. Nuk i shqiptonte qartë fjalët e prirej të fliste shpejt. Megjithatë, të gjithë e shihnin sinqeritetin dhe virtytin e tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.