2017-05-14 13:15:00

Papa Françesku gazetarëve: Fatima shpresë për paqen në botë


I përzemërt, i sinqertë e i thjeshtë, dialogu i Papës me gazetarët, të cilët e ndoqën në këtë shtegtim të ngarkuar me ngjarje dhe jashtëzakonisht prekës, në vise simbol i fesë katolike, nga buron shpresa e fuqishme, që përhapet në mbarë botën:

“ Sigurisht Fatima ka një mesazh paqeje, drejtuar njerëzimit - tha Papa - përmes tre komunikatorëve, që nuk i kishin mbushur akoma as 13 vjeç.  Shenjtërimi i Xhaçintës dhe i Françeskut, për mua ishte lumturi e vërtetë, shpresë paqeje për të gjithë”.

E, nën shenjën e mesazhit të  paqes, që vjen nga Fatima, një nga pyetjet e para iu kushtua takimit të afërt të Papës me presidentin amerikan, Donald Trump, që flet për mure, tolerancë zero ndaj emigrantëve të parregullt dhe rishikimin e të gjitha impenjimeve për mbrojtjen e ambientit:

Unë them çka mendoj, ai çka mendon, por unë kurrë, kurrë, nuk kam dashur ta gjykoj tjetrin, pa e dëgjuar. Ka gjithnjë porta, që rrinë mbyllur. E duhen kërkuar portat që, të paktën një kapak e kanë të hapur, e të hysh e të flasësh për shqetësimet e të shkosh përpara. Hap pas hapi. Paqja është punë artizanësh: endet çdo ditë”.

Paqja fitohet përmes dialogut dhe respektit për tjetrin. Përsa i përket dialogut, Papa u ndalua - e kjo ishte tema e pyetjes tjetër - tek dialogu me Vëllazërinë e Shën Piut X:

Duke përjashtuar çdo formë të triumfalizmit, them se marrëdhëniet janë vëllazërore. Me imzot Fellay kam marrëdhënie të mira: kam folur me të disa herë. Mua nuk më pëlqen t’i shpejtoj punët. Të ecim, të ecim, të ecim, e pastaj do të shohim. Për mua nuk bëhet fjalë për fitimtarë e të mundur, jo! Është problem ndërmjet vëllezërish, që duhet të ecin së bashku, duke kërkuar dialog pozitiv edhe me Kishat ungjillore. Janë bërë hapa të mëdha përpara. Është domethënëse për ekumenizmin - tha Françesku - të ecësh së bashku me lutje, me martirizim e me vepra bamirësie e mëshire, të kumtosh dashurinë e Jezu Krishtit, të kumtosh se Ai është Zoti, i vetmi Shëlbues e se hiri vjen vetëm prej Tij”.

Pastaj, rikujtimi i çasteve më prekëse të vizitës tek Zoja e Fatimës, pikërisht në ditën - kujtoi një nga gazetarët – në të cilën, 25 vjet më parë, Jorge Mario Bergoglio emërohej ipeshkëv ndihmës i Buenos Ajres:

Gratë dinë gjithçka, eh? Nuk e pata menduar këtë përkim, vetëm dje, nësa lutesha para Zojës, m’u kujtua. E i fola pakëz Zojës edhe për këtë. I lypa të falur për të gjitha gabimet e mia, por vetëm dje më ra ndër mend”.

Pastaj, i pyetur për ngjarjen e OJQ, të pandehura në shkandullin e marrëveshjeve të fshehta me skafistët, që transportojnë emigrantë në Mesdhe, Papa nënvizoi se e ka ndjekur çështjen, por edhe se pret lajme të sakta, para se të shprehë mendimin e tij.

E akoma, Françesku i kushtoi vëmendje të posaçme pyetjes për dukjet mariane në Medjugorie, në vendin që tërheq fuqimisht një mori besimtarësh, për të cilin Papa Benedikti XVI ka emëruar një komision të posaçëm, të kryesuar nga kardinali Ruini. Lidhur me këtë çështje, Françesku shprehu qëndrimin e tij:

Mua personalisht më pëlqen Zoja Nënë, Nëna jonë e jo kryetare zyre telegrafike, që ditë për ditë dërgon nga një mesazh në këtë a në atë orë: kjo nuk është nëna e Jezusit. Pastaj është edhe aspekti shpirtëror-baritor, njerëz që shkojnë e kthehen në rrugën e Zotit, njerëz që takojnë Zotin, që ndryshojnë rrugën e jetës…ky fakt shpirtëror-baritor nuk mund të mohohet”.

E edhe një temë tjetër delikate: ajo e shpërdorimeve mbi të miturit dhe dorëheqja e zonjës Mary Collins, kohëve të fundit, nga komisioni vatikanas, i krijuar ad hoc:

Unë kam folur me të. Po ajo vijon të punojë për formim me meshtarët mbi këtë pikë. Është grua e mirë, që dëshiron të punojë. Por ka bërë këtë akuzë, që nuk është krejt e paarsyeshme. Pse? Sepse ka shumë vonesa. Ka shumë pak njerëz të aftë për këtë, duhen shumë më tepër. Por edhe kështu si janë punët, po shkojmë gjithnjë përpara. Mery Collins në këtë drejtim kishte të drejtë, edhe pse ne ishim për udhë. Por janë dymijë raste të grumbulluara”.

Së fundi, një pyetje mbi fenë dhe shekullarizmim, problem që ka të bëjë me një mori vendesh me shumicë të krishterë, me zgjedhje politike të diskutueshme:

“ Është e qartë se shqetësohem për këto vende. Ka vende shumë katolike, por antiklerikale. Prej këndej - nënvizoi Françesku - u them meshtarëve të rrinë larg klerikalizmit. Është pikërisht klerikalizmi, që i largon njerëzit. Klerikalizmi është  plagë në Kishë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.