2017-05-13 10:52:00

Papa në Fatima: të bëhemi, si Maria, shenjë e mëshirës së Zotit


Papa që dje është në Shenjtëroren e Fatimës, në Portugali ku sot, 13 maj, do të shenjtërojë barinjtë vegimtarë Françesku e Xhaçinta. Çast kulmor i kremtimeve për njëqind vjetorin e dukjeve. Mbrëmë, në Kapelëzën e ngritur mbi vendin e dukjeve mariane, Françesku iu lut Zojës dhe i priu Rruzares Shenjte.

Pas një mëngjesi me shi, mbi Fatimën shndriti përsëri dielli. Pikërisht në çastin kur Sheshi i Shenjtërores, përplot me qindra mijëra besimtarë, tundej nga bohoritja gazmore për arritjen e Françeskut, shtegtarit të shpresës e të paqes. Përballë shtatores së Zojës, në Kapelëzën e dukjeve, Papa tha një lutje të frymëzuar nga “Të falemi Mbretëreshë”, në të cilën iu paraqit turmës si “ipeshkvi i veshur me të bardha”. “Vij si profet e lajmëtar, për t’ju larë këmbët të gjithëve, për t’u ulur rreth së njëjtës sofër, që na bashkon” -  theksoi Françesku. Pastaj, një ftesë misionare:

"Faz-nos seguir o exemplo dos Bem-aventurados Francisco e Jacinta..."

“Ndihmona të ndjekim shembullin e të Lumëve Françesku e Xhaçinta dhe të gjithë atyre, që i kushtohen kumtimit të Ungjillit. Do të përshkojmë, kështu, çdo drejtim, do të shkojmë si shtegtarë në të gjitha udhët, do t’i shembim të gjitha muret e do të kapërcejmë çdo kufi, duke dalë në drejtim të të gjitha periferive e duke shpallur drejtësinë e paqen e Zotit”.

Më Papa u rikthye në Sheshin e ndritur nga  mijëra flakëza, në duart e shtegtarëve, për bekimin e qirinjve. Në Kapelëz shqiptoi një meditim marian me temën e mëshirës. Maria - shpjegoi - është mësuesja e jetës shpirtërore e jo “shenjtëreshë”, tek e cila ngarendet për të kërkuar favore  me çmim të ulët. Virgjëra Mari, me gjithë njomësinë dhe dashurinë e saj, nuk është më e mëshirshme se Zoti:

"Possamos, com Maria, ser sinal e sacramento da misericórdia..."

Françesku uroi, në përfundim, që secili prej nesh të bëhet, me Marinë, shenjë e sakramentit të mëshirës së Zotit, që fal gjithnjë, fal gjithçka.

Pasi përfundoi Rruzarja Shenjte, Papa u largua nga sheshi, ndërsa kardinali  Parolin kremtoi mbrëmësoren, që i parapriu shenjtërimit të sotëm. “Edhe nëse vijojnë luftërat - nënvizoi kardinali në homeli -  ne duhet të vijojmë të lutemi, sepse lutja nuk është kurrë e kotë”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.