2017-05-12 12:31:00

Papa Françesku sot në Fatima: mijëra shtegtarë drejt Shenjtërores mariane


“Me Marinë, shtegtar në shpresë e paqe”. Kjo, motoja e shtegtimit të Papës Françesku në Fatima. Sot, në orën 14.00, nisja për Fiumicino. Dhjetra mijëra shtegtarë, ardhur nga vende të ndryshme të botës, vijojnë të arrijnë këto orë në Shenjtërore, për të marrë pjesë në kremtimet e njëqindvjetorit të parë të dukjeve mariane, kryesuar nga Françesku. Në një videomesazh, Papa i siguroi se do t’ia besojë të gjithë Virgjërës Mari, pa përjashtuar askënd.

“Falënderojmë Zotin për shërimin e Lucas dhe e dimë, me gjithë besimin që kemi në zemër, se kjo mrekulli u krye me ndërmjetësimin e barinjve të vegjël, Françeskut e Xhaçintës”. Në prag të arritjes së Papës në Shenjtëroren mariane të Fatimës, i jati i Lucas Maeda de Oliveira, vogëlushit brazilian, shërimi i mrekullueshëm i të cilit i hapi udhën  shpalljes së shenjtërisë së dy barinjve të vegjël, shpreh, së bashku me të shoqen, gëzimin e madh sepse arriti të ndihmojë, kështu, për shenjtërimin, që do të kremtohet nesër nga Papa. Dy shenjtorë fëmijë, të parët jo martirë, ndihmuan e bekuan, me miqësinë e tyre, një fëmijë tjetër.

Në ditën e parë të shtegtimtit të tij të nëntëmbëdhjetë ndërkombëtar, Françesku do të arrijë, sot pasdite, nga Roma - në Bazën Ushtarake portugeze të Monte Real. Pas takimit privat me presidentin e Republikës, Marcelo Rebelo de Sousa, do të niset me helikopter për në Fatima. Vizita e parë, në Kapelëzën e dukjeve e - pas darke - bekimi i qirinjve dhe Rruzarja shenjte.

Nesër, në orën 10.00, përballë Bazilikës së Fatimës, Papa do të kremtojë Meshën, me shenjtërimin e Françeskut e të Xhaçintës Marto, pikërisht një shekull pas dukjes së parë mariane, në të cilën ishin dëshmitarë, së bashku me kushërirën, Luçinë. E ky është edhe çasti kulmor i këtij shtegtimi paqeje e shprese. 

Para kremtimit, takimi me kryeministrin, ndërsa pas Meshës me të sëmurët në tremen e Shenjtërores, rreth orës 12.30, dreka me ipeshkvijtë e Portugalisë. Në orën 15.00, nisja drejt Aeroportit romak të Ciampinos, ku pritet të arrijë rreth orës 19.00.








All the contents on this site are copyrighted ©.