2017-05-12 14:25:00

Papa, shkencëtarëve të Observatorit Vatikanas: mos kini frikë nga zbulimet shkencore


Kisha të mos ketë kurrë frikë nga risitë, që sjellin zbulimet shkencore. Kështu pohoi Papa Françesku në përshëndetjen drejtuar pjesëmarrësve të Takimit me temë “Vrimat e zeza, Valët gravitacionale dhe veçoritë e përmasave hapësirë-kohë”, organizuar nga Spekula apo Observatori i Vatikanit. Gjatë këtij takimi, me pjesëmarrjen e shkencëtarëve nga e gjitha bota, u përkujtua trashëgimia e kozmologut belg, imzot George Lemaître, që konsiderohet ati i teorisë së Big-Bang-ut e që ka qenë drejtor i Akademisë Papnore të Shkencave, nga viti 1960 deri në vitin 1966, vit i vdekjes së tij.

Mos kini frikë nga e vërteta

 “Në pafundësinë hapësinore e kohore – pohoi Papa Françesku – ne njerëzit mahnitemi dhe e ndjejmë vogëlsinë tonë”. Duke cituar Albert Einsteinin, Ati i Shenjtë nënvizoi: “mund të thuhet se misteri i amshuar i botës është kuptueshmëria (qartësia) e saj”. Universi, iu drejtua Papa shkencëtarëve, na tregon vetë se nuk është fryt i kaosit apo i rastit, por i Dijes Hyjnore. Njerëzit duhet ta kërkojnë këtë të vërtetë:

“Nuk duhet pasur kurrë frikë nga e vërteta, as duhet të mbyllemi në qëndrime të patundura, por duhen pranuar risitë e zbulimeve shkencore me përvuajtëri të plotë. Duke ecur drejt periferive të njohurive njerëzore, mund të bëjmë vërtet përvojën autentike të Zotit, i cili është në gjendje të na e mbushë plot zemrën”.

Imzot Lemaître, shembull harmonie krijuese ndërmjet shkencës dhe fesë

Papa theksoi se temat, që kanë të bëjmë me universin janë themelore për shkencën, por edhe për teologjinë. Kujtoi më pas, figurën e imzot Lemaître dhe trashëgiminë e tij të madhe për Kishën dhe për punën kërkimore-shkencore:

“Imzot Georges Lemaître, në aspektin e tij të dyfishtë si meshtar katolik dhe kozmolog, me një tension të pandërprerë e krijues ndërmjet shkencës dhe fesë, e ka pranuar gjithnjë qartas dallimin metodologjik ndërmjet shkencës e teologjisë, parë si fusha më kompetenca të ndryshme, të cilat, megjithatë, u bashkuan harmonishëm në jetën e tij. Ky dallim, i pranishëm që me Shën Tomën e Akuinit, na mbron nga krijimi i lidhjeve të shkurtra, që mund të jenë të dëmshme si për shkencën, ashtu edhe për fenë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.