2017-05-12 19:30:00

Lutja e Papës Françesku në Kapelën e Dukjeve të Zojës së Fatimës


Papa Françesku u lut në Kapelën e Dukjeve të Zojës së Fatimës - vizita e tij e parë, pas takimeve ceremoniale dhe ndalimit në kapelën e bazës ushtarake, ku zbriti me avion. Në lutjen e zjarrtë, që i drejtoi Shën Marisë, së bashku me besimtarët, ndjehej reflektimi mbi pjesën e tretë të Sekretit të Fatimës, profeci vuajtjesh për Kishën e për Papën, që Gjon Pali II e pati bërë të njohur në vitin 2000. Atëherë, shenjti i ardhshëm pati parë vetveten në ipeshkvin e veshur me të bardha, përshkruar nga motër Luçia dos Santos. Iu referua plagosjes së rëndë nga Ali Agça në atentatin e 13 majit 1981.

Sot, Papa Françesku, në të njëjtën linjë me fjalët e Benediktit XVI, i cili në vitin 2010 pati thënë: “Zhgënjehet ai që mendon se misioni profetik i Fatimës ka përfunduar”, iu lut Zojës së Fatimës, së bashku me besimtarët e mbledhur në shesh, me këto fjalë:

Ati i Shenjtë Bergoglio:

Të falemi Mbretëreshë,

o e Lumja Virgjër e Fatimës,

Zojë me Zemër të Papërlyer

Strehë e rrugë që çon te Zoti!

Shtegtar i Dritës, që vjen tek ne nga duart e tua,

falenderoj Hyjin Atë, që, në çdo kohë e në çdo vend, vepron në historinë e njeriut;

shtegtar i Paqes, që Ti e kumton në këtë vend,

i thur lavde Krishtit, paqja jonë, dhe përgjërohem që në botë të ketë pajtim ndërmjet popujve;

shtegtar i Shpresës i frymëzuar nga Shpirti Shenjt,

vij si profet e lajmëtar për t’u larë këmbët të gjithëve, në tryezën që na bashkon.

 

Refreni i kënduar nga besimtarët (latinisht):

Ave o clemens, ave o pia!

Salve Regina Rosarii Fatimæ.

Ave o clemens, ave o pia!

Ave o dulcis Virgo Maria.

 

Ati i Shenjtë:

Të Falemi, Nënë e Mëshirës,

Zojë e veshur me të bardha!

Në këtë vend, nga ku para 100 vjetëve

iu tregove të gjithëve planet e mëshirës së Zotit,

të shikoj të veshur me dritë

e, si ipeshkëv i veshur me të bardha,

kujtoj të gjithë ata që,

të veshur me bardhësinë e Pagëzimit,

duan të jetojnë në Zotin

e thonë misteret e Krishtit në Rruzare për të arritur paqen.

 

Refreni…

 

Ati i Shenjtë:

Të falemi, o jeta e ëmbëlsimi,

o shpresa jonë, të falemi

O Virgjër Shtegtare, o Mbretëreshë Universale!

Në intimitetin më të thellë të qënies,

në Zemrën tënde të Papërlyer,

shikoji gëzimet e njerëzve

përudhë drejt Atdheut Qiellor.

Në intimitetin më të thellë të qënies,

në Zemrën tënde të Papërlyer,

shikoji dhimbjet e familjes njerëzore

që gjëmon e qan në këtë shekull plot me lot.

Në intimitetin më të thellë të qënies,

në Zemrën tënde të Papërlyer,

stolisna me shkëlqimin e gurëve të çmuar të kurorës tënde

e na bëj shtegtarë, ashtu si ishe edhe Ti shtegtare.

Me buzëqeshjen tënde prej Virgjëre

Gjallëroje gëzimin e Kishës së Krishtit.

Më vështrimin tënd plot ëmbëlsi

Përforcoje shpresën e bijve të Zotit.

Me duart në lutje, që i larton drejt Zotit,

bashkoji të gjithë në një familje të vetme njerëzore.

 

Refreni…

 

Ati i Shenjtë:

O e dhimbshmja, o e buta,

o e ëmbla Virgjëra Mari,

Mbretëreshë e Rruzares së Fatimës!

Bëj ta ndjekim shembullin e të Lumëve Françesku e Gjaçinta,

e të atyre, që i kushtohen kumtimit të Ungjillit.

Do të përshkojmë kështu çdo shteg,

do të shkojmë shtegtarë përgjatë të gjitha rrugëve,

do të shembim të gjitha muret

e do të kapërcejmë çdo kufi,

duke dalë drejt çdo periferie,

duke dëshmuar drejtësinë dhe paqen e Zotit.

Me gëzimin e Ungjillit, do të jemi Kisha e veshur me të bardha,

me atë bardhësi, që është larë nga gjaku i Qengjit

derdhur edhe sot nëpër luftrat, që e shkatërrojnë botën ku jetojmë.

E kështu, do të jemi, si Ti, pasqyrë e varganit të shndritshëm

që ndriçon rrugët e botës,

duke u dëshmuar të gjithëve se Zoti ekziston,

se Zoti është,

se Zoti banon në mesin e popullit të vet,

dje, sot e në amshim.

 

Refreni…

 

Ati i Shenjtë së bashku me besimtarët:

Të falemi, o Nëna e Zotit,

o Virgjër Mari, Mbretëreshë e Rruzares së Fatimës!

Bekuar mbi të gjitha gratë,

je figurja e Kishës së veshur me dritën e Pashkëve,

je nderi i popullit tonë,

je triumfi kundër sulmit të së keqes.

 

O Profeci e Dashurisë së mëshirshme të Atit,

Mjeshtre e Kumtimit të Lajmit të Mirë të Birit,

Shenjë e Zjarrit përvëlues të Shpirtit Shenjt,

na mëso, në këtë shekull gëzimesh e dhimbjesh,

të vërtetat e amshuara, që Ati u zbulon të vegjëlve.

 

Na trego forcën e mantelit tënd mbrojtës.

Zemra jote e Papërlyer

u bëftë streha e mëkatarëve

dhe rruga, që çon deri te Zoti.

 

Në bashkim me vëllezërit e mi,

në Fe, në Shpresë e në Dashuri,

Ty po të besohem.

Në bashkim me vëllezërit, përmes Teje, i kushtohem Zotit,

o Virgjër e Rruzares së Fatimës.

 

E së fundi, i mbështjellë me Dritën, që vjen nga duart e tua,

do t’i thur lavde Zotit në shekuj të shekujve.

Amen.

 

Refreni…








All the contents on this site are copyrighted ©.