2017-05-12 10:35:00

Fatima: Dukjet e Zojës më 13 maj 1917 tre fëmijëve në lendinat e Cova D’Irias


Më 13 maj 1917 tre fëmijëve nga Aljustrel, lagje e vogël e Fatimës, po kullosnin një grigjë të vogël në lëndinat e Cova D’Irias (dioqeza e sotme Iria-Fatima) u duket Zoja Bekueme. Quheshin Luçia, dhjetë vjeçe, dhe kushërinjtë e saj, Françesku e Gjaçinta ( 9 e 7 vjeç).

Aty nga mesdita, si kishin thënë Rruzaren, siç bënin gjithnjë, u ndalën e nisën të luajnë një lojë të çuditshme: mblodhën gurë, për të ndërtuar një shtëpizë. Ishte shi ai vend, ku sot lartohet bazilika. Nuk kishin nisur ende të bënin murin e tyre fëminor, kur panë një dritë të madhe. U trembën… Kujtuan se ishte dritë vetëtime. Vendosën të kthehen sa më shpejt në shtëpi, me gjithë grigjë. Po drita vetëtiu rishtas, e fortë, e ndritshme e ata panë përsipër një gëmushe (pikërisht ay ku sot ngrihet Kapela e Dukjeve) një Zojë më të bukur se dielli, më të bardhë se vetë hëna, me një rruzare të ndritshme në dorë

Zoja u tha tre barinjve se duhej të luteshin shumë e i ftoi të riktheheshin në Cova d’Iria  pesë muaj më vonë, me datën 13, në të njëjtën orë. Fëmijët bënë si u tha Zoja e bardhë e, më 13 qershor, korrik, shtator e tetor, Zoja iu duk rishtas e u foli atyre në Cova d’Iria.

Më 13 gusht fëmijët nuk mundën të shkojnë në vendin e takimit, sepse po merreshin në pyetje prej kryetarit të bashkisë të Villa Nuova di Ourem,  rreth, të cilit i përkiste Fatima. Kryebashkiaku i kërcënoi me të gjitha mënyrat të pohonin se kishin gënjyer. Po dukja u përsërit papritmas më 19 gusht, kur, si qenë liruar nga njeriu i qeverisë, po kullosnin përsëri grigjën  në “Dos Valinhos”, rreth 500 metra larg Aljustrel.

Në dukjen e fundit, atë të 13 tetorit, në praninë e 70.000 mijë vetëve, Zoja e bardhë, e veshur me dritë, tha se ishte “Zoja e Rruzares” dhe kërkoi që në atë vend të ndërtohej një kapelë për nder të saj. Pas kësaj dukjeje, gjithë ajo turmë ishte dëshmitare e mrekullisë, për të cilën flisnin tre barinjtë e vegjël. Mijëra sy kishin parë, mijëra veshë kishin dëgjuar e mijëra gojë ishin gati të dëshmonin për dukjen e Zojës. E akoma, kishin parë sesi dielli, i ngjashëm me një disk, që ndryshonte çdo çast ngjyrë, rrotullohej rreth vetes,  si rrotë zjarri, e dukej sikur do të shembej mbi tokë.

Më vonë Luçisë, kur ishte tashmë rregulltare e Shën Dorotesë, Zoja iu duk përsëri në Spanjë (më 10 dhjetor 1925 e më 15 shkurt 1926, në kuvendin e Pontevedrae, e akoma, natën ndërmjet 13 e 14 qershorit 1919, në kuvendin e Tuy). Iu duk e i kërkoi devocionin e pesë të shtunave (me Rruzaren,  meditimin e mistereve, Rrëfimin e Kungimin, për faljen e mëkateve të bëra kundër Zemrës së Papërlyer të Marisë).

Kërkoi edhe që Rusia t’i kushtohej Zemrës së Saj. Këtë kërkesë, që njihet si   “Sekreti i Fatimës”, Zoja e bëri në Dukjen e 13 korrikut 1917. Ishte koha kur pikërisht nga Rusia, do të niste salvimi shekullor i të krishterëve në gjysmën e Evropës.

Disa vjet më vonë, Luçia  tregoi edhe se, ndërmjet prillit e tetorit 1916, tre Vegimtarëve të vegjël u qe dukur një Engjëll tri herë rresht: dy herë në Loca do Cabego” e një herë pranë pusit të shtëpisë atërore. Në këto dukje Engjëlli i kishte ftuar për lutje e pendesë.

Prej vitit 1917 në Fatima nisën të duken gjithnjë më shumë shtegtarë, nga mbarë bota. Fillimisht në datën 13 të çdo muaji, tani, edhe çdo fundjave, por edhe çdo ditë të vitit; numri i shtegtarëve që e vizitojnë çdo vit  shenjtëroren arrin në katër milionë vetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.