2017-05-11 14:32:00

Papa Françesku: feja dhe morali kuptohen më mirë përudhë


Populli i Zotit është gjithnjë në ecje për t’u thelluar në fe. Kështu theksoi Papa Françesku në homelinë e meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë u përqendrua në Leximin e parë të liturgjisë së sotme, marrë nga Veprat e Apostujve, ku Shën Pali flet për historinë e Shëlbimit deri tek Jezu Krishti.

Shëlbimi i Zotit është përudhë

“Shëlbimi i Zotit – tha Papa – është përudhë drejt plotësisë së kohëve”, një udhë me shenjtorë e mëkatarë, në të cilën Hyji e udhëheq popullin drejt takimit me Të, si në çastet e këqia, ashtu edhe në ato të mira. Në fund të kësaj udhe, përshkruar nga Shën Pali në Leximin e parë të sotëm, kemi Jezu Krishtin, por, nënvizoi Françesku, nuk mbaron me kaq. Jezusi na ka lënë Shpirtin Shenjt, i cili na bën ta kujtojmë e ta kuptojmë mesazhin e Krishtit. Fillon kështu një udhë e dytë, gjatë së cilës kuptojmë diçka më shumë, interpretojmë më mirë Urdhërimet e Tënzot e moralin e tyre. Diçka që dikur konsiderohej normale, sot, për shembull, është mëkat mortar:

 “Le të mendojmë për skllavërinë: kur shkonim në shkollë na tregonin ç’bënin me skllevërit: i merrnin nga një vend, i shisnin në një vend tjetër, edhe në Amerikën Latine shiteshin e bliheshin… Është mëkat mortar. Sot, e themi këtë! Atëherë, jo! Madje, disa thonin se mund të bëhej kjo gjë, sepse këta njerëz nuk kishin shpirt! Na u desh të ecim përpara për ta kuptuar më mirë fenë dhe moralin. ‘O atë, falenderojmë Zotin që sot nuk ka skllevër!’ Ka…edhe më shumë!... por të paktën e dimë se është mëkat mortar. E njëjta gjë edhe për dënimin me vdekje: dikur ishte normal. Sot, themi se është i papranueshëm”.

Populli i Zotit është gjithnjë përudhë

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për luftrat fetare, vijoi Papa Françesku. Për të kuptuar gjithnjë e më mirë gjithçka, na vijnë në ndihmë shenjtorët, edhe ata të fshehurit, që nuk nderohen zyrtarisht, por që i kanë sjellë shumë të mira botës. Jemi gjithnjë në ecje, nënvizoi Bergoglio, sepse kështu na ka dashur Zoti:

         “Populli i Hyjit është përudhë. Gjithnjë. Kur Populli i Zotit ndalet, bëhet si i burgosuri në një stallë, si gomari brenda saj: nuk kupton, nuk ecën përpara, nuk thellohet në fe, në dashuri, nuk e dlir shpirtin. Por ka edhe një tjetër plotësim të kohrave, i treti. I yni. Secili prej nesh është përudhë drejt plotësimit të kohës së vet. Secili prej nesh do të mbërrijë në çastin e kohës së plotë e jeta do të mbarojë e do të takojë Zotin. Ky është çasti ynë. Personal. Që ne e jetojmë në udhën e dytë, në plotësimin e dytë të kohës së Popullit të Zotit. Secili prej nesh është përudhë. Le të mendojmë se apostujve, predikatarëve, të parëve, iu desh t’i bëjnë njerëzit të kuptojnë se Zoti e ka dashur, e ka zgjedhur, e ka dëshiruar popullin e vet përudhë, gjithmonë”.

Rrëfimi është hap drejt Zotit

Shpirti Shenjt, nënvizoi më tej Papa Françesku, na nxit të ecim. Kjo është vepër e mëshirshme e Zotit, që na shtyn të ecim drejt plotësisë së kohës sonë personale. Kur rrëfehemi, shtoi, duhet ta pyesim veten nëse, përveç turpit për mëkatet, e ndjej se ai hap është një avancim i mëtejshëm në rrugën drejt plotësisë së kohrave. T’i kërkosh falje Zotit nuk është gjë e rëndomtë e as e thjeshtë:

“Do të thotë ta kuptoj se jam përudhë, me një popull që ecën e që një ditë – ndoshta sot, nesër, ose pas 30 vjetësh – do të jem ballë për ballë me Zotin, që nuk na lë kurrë vetëm, por na shoqëron në rrugën tonë. Pyeteni veten: kur shkoj të rrëfehem, a mendoj për këto gjëra? Se jam përudhë? Se është një hap drejt takimit me Zotin, drejt plotësimit të kohës sime? E kjo është vepra e madhe e mëshirshme e Hyjit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.