2017-05-10 00:00:00

Kurs Ekzorçizmi. Imzot Martinelli: jetë më e thellë sakramentore


Filloi me 8 maj, në Universitetin Papnor romak Mbretëresha e Apostujve, kursi XII, titulluar “Ekzorçizmi dhe lutja e lirimit”. Qëllimi i ciklit të leksioneve dhe tryezave të rrumbullakta, që do të përfundojnë të shtunën e ardhshme,  do të jetë t’u ofrohen meshtarëve dhe laikëve mjetet e përshtatshme të formimit, mbi një argument shpesh të kaluar në heshtje, të diskutuar e të diskutueshëm: atij të praktikës së ekzorçizmit e të lutjes së lirimit nga djalli. Ndërmjet referuesve të njohur ndërkombëtarisht, edhe imzot Raffaello Martinelli, ipeshkëv i Fraskatit. E intevistuam:

 Mendoj se është një tip shërbimi, që bëhet për të reflektuar së bashku e për të përcaktuar mënyrat më të mira të ndërhyrjes në këtë fushë.

Në këtë kurs preken tematika si ajo e pushtimit nga djalli dhe e lutjes së lirimit prej atij, që populli nuk dëshiron as t’ia përmendë emrin, por e kujton me shprehje figurative si “qoftëlargu”, “ai, që u djegtë ndër ferra”, “ai, që mos ju kujtoftë emri”; duke shtuar edhe se “shejtani, kur nuk ka punë, rreh të birin” etj. etj. Me një fjalë, tema të lidhura me ekzorçizmin, që  nuk dëgjohen aq shpesh gjatë predikimeve. Pse, sipas jush?

 Në të vërtetë, vërehet se janë argumente, që trajtohen si të vjetruara, edhe në predikimet tona e në katekizëm. Por është i bukur dhe interesant fakti se katekizmi, kur flitet për këto argumente, për demonin, dreqin, djallin apo shejtanin, si dhe për katër elementet vendimtare të fundjetës njerëzore: vdekjen, gjyqin e mbramë, parajsën ose skëterrën, kjo bëhet gjithnjë përmes vënies në dukje të veprës së Krishtit. Prej këndej, tërthorazi, katekizmi thekson sa i çmuar, sa i bukur, sa i fuqishëm, sa i frytshëm është veprimi i Krishtit mbi ne, kur na ruan ose na çliron nga pushteti i djallit, që - e dimë mirë - nuk rri kurrë duarkryq, por është gjithnjë i zënë deri në fyt me punë. Ditë-natë mes njerëzve! Por, njëkohësisht, i duhet të përballojë Krishtin, që e mund gjithmonë!  Krishti është ai, që na ruan në luftën kundër pushtetit të djallit. Prej këndej, edhe ne duhet të jemi të aftë në predikim e në katekizëm, të flasim për këto argumente, edhe pse shumë njerëz na drejtohen ne, meshtarëve, ne, ipeshkvijve, duke na kërkuar ndihmë: mundemi, kështu, ta vëmë gjithnjë më mirë në dukje veprimin e Zotit që, përmes Birit të Tij, të vdekur e të ngjallur për virtyt të Shpirtit Shenjt, na jep vërtet një dorë të fuqishme, na mbron e na çliron nga pushtete të tilla të errëta.

Duhet kujtuar - e kjo po bëhet në këtë kurs – që para se të arrihet tek ekzorçizmi e tek lutja për lirim nga djalli, mjete, këto, të jashtëzakonshme - mund e duhen përdorur mjete, që Kisha ia vë përherë në dispozicion njeriut …

Për shembull, dëgjimi i Fjalës së Zotit, lutja, pjesëmarrja në një jetë sakramentore më të thellë, më të ndjerë, përmes Sakramentit të Rrëfimit, Sakramentit të Eukaristisë. Pastaj, natyrisht, kemi edhe lutjet e posaçme, të tipit të ekzorçizmit. Pa dyshim, edhe këto, shumë të rëndësishme! Por, për fat të keq, shpesh herë ndodh që njerëzit, të cilët kërkojnë ndërhyrje të jashtëzakonshme, i harrojnë, a nuk i praktikojnë  mjetet e zakonshme, të cilat na i vë në dispozicion feja e krishterë, e edhe katekizmi i këshillon vazhdimisht.  








All the contents on this site are copyrighted ©.