2017-05-09 10:56:00

Kardinali Saraiva Martins: aktualiteti i mesazhit të Zojës së Fatimës


Edhe kardinali Josè Saraiva Martins, prefekt nderi i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, do ta shoqërojë Papën në shtegtimin e ardhshëm, në Fatima, më 12 e 13 maj. Prelati i lartë portugez, përfaqësues i Atit të Shenjtë në Kongresin e mariologjisë, organizuar shtatorin e kaluar në Shenjtëroren portugeze, me rastin e 100-vjetorit të dukjeve mariane, sapo ka botuar, në Shtëpinë Botuese të Vatikanit (LEV), vëllimin me titull “Ngjarja e Fatimës”. Në mikrofonin tonë, flet për aktualitetin e mesazhit të Fatimës:

Përgjigje: - Ky i Fatimës është mesazh jashtëzakonisht aktual për shoqërinë bashkëkohore, sepse Zoja u dha barinjve të vegjël porosi tejet të nevojshme për njeriun e sotëm. Mesazhi i Fatimës mund të reduktohet në tre o katër kapituj themelorë. Kapitulli i parë ka të bëjë me fenë. Thirrja e parë, që u bëri Zoja  barinjve të vegjël, ishte çështja e fesë: besimtarët duhet ta thellojnë vazhdimisht fenë. Prej këndej, kapitulli i parë i mesazhit të Fatimës është ftesë për përtëritjen e fesë. Jashtëzakonisht aktuale, kjo ftesë e Zojës, sepse një nga problemet e shoqërisë bashkëkohore ka të bëjë pikërisht me fenë.

Pyetje: - Cili është roli i tre barinjve të vegjël në këto dukje?

Përgjigje: - Roli i barinjve është shumë i qartë: të transmetojnë besnikërisht  mesazhin, që ua besoi vetë Zoja. Prej këndej, pas mesazhit të parë, atij të fesë, vjen i dyti: mesazhi i pendesës. Zoja u përcolli barinjve të vegjël mesazhin e kthimit në udhën e Zotit. E ky është kapitulli i dytë i mesazhit të Fatimës. “Kthejuni kah Zoti e kthejuni kah vëllezërit!”.  Janë dy gjëra të pandara. Nëse njeriu i sotëm, shoqëria e sotme, ka nevojë për ndonjë gjë, kjo gjë është pikërisht afërsia e vëllezërve, pavarësisht nga feja, kultura, origjina a mënyra e jetesës: jemi të gjithë vëllezër, bij të të njëjtit Atë. Nëse njeriu ka nevojë për ndonjë gjë, është pikërisht ta ndjejë veten pjesëtar të një familjeje të vetme.

Pyetje: - Ky mesazh, veç të tjerash, është edhe shumë afër modelit të Kishës në dalje, të Papës Françesku…

Përgjigje: - Natyrisht ka një aktualitet të jashtëzakonshëm. Ishte aktual në vitin 1917, kur Zoja iu duk barinjve të vegjël, e është aktual edhe për sot. Prej këndej, për të kanë folur shumë papët…

Pyetje: - Mund të na thoni diçka për lidhjen e Papës Françesku me Zojën e Fatimës?

Përgjigje: - Papa Françesku ka pasur gjithnjë devocion të madh për Zojën e Fatimës. Në kryeqytetin argjentinas, Buenos Ajres, ngrihet një shenjtërore kushtuar Zojës së Fatimës. Françesku e vizitonte shumë shpesh.  Pastaj ka bërë edhe shumë deklarata, duke theksuar rëndësinë e Zojës së Fatimës, të Dukjeve të saj, shprehur me fjalë prekëse, mahnitëse, përmes të cilave nënvizon posaçërisht aktualitetin e mesazhit të Fatimës. 








All the contents on this site are copyrighted ©.